Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një intervistë për gazetën kosovare “Demos” ka folur për situatën politike në vend. Basha shprehet se Edi Rama po ushqen përçarjen në PD dhe në opoitën në Shqipëri.

Ai tha se Rama dhe qeveria e tij është konsumuar tej mase, duke mos plotësuar dot asnjë nga premtimet madhore me të cilat ka ardhur në pushtet dhe ka mbajtur pushtetin dhe se është një model që është demaskuar për fat të keq nga skandalet e njëpasnjëshme.

Sipas Bashës, detyra e grupimit që drejton është të ngrihet në lartësinë e një oferte politike që nga njëra anë të trajtojë me realizëm problemet e shoqërisë dhe grupeve të ndryshme të interesit në shoqëri përmes programit të prezantuar më 1 qershor.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Kundërshtari politik e ushqen ndasinë e opozitës, ndasinë në Partinë Demokratike, sepse ta themi troç, nuk ka asgjë tjetër për të ofruar përveçse luftës së brendshme në opozitë. Zoti Rama dhe qeveria e tij është konsumuar tej mase, duke mos plotësuar dot asnjë nga premtimet madhore me të cilat ka ardhur në pushtet dhe ka mbajtur pushtetin. Duke qenë shkaktar i një modeli jo thjesht të gabuar, do të thoja kriminal për rininë, për ekonominë. Një model i cili është demaskuar për fat të keq nga skandalet e njëpasnjëshme por dhe nga çështjet gjyqësore, si një model të korruptuar dhe i bazuar tek bashkëpunimi i politikës me krimin. Por, përtej kësaj që e di çdo shqiptar e di dhe çdo qytetar, detyra jonë është të ngrihemi në lartësinë e një oferte politike që nga njëra anë të trajtojë me realizëm problemet e shoqërisë dhe grupeve të ndryshme të interesit në shoqëri. Dhe nga ana tjetër të ketë si garanci për zbatimin e këtij programi politik që ne kemi shpalosur në 1 qershor një ekip të përbërë nga kandidat për deputetë që mishërojnë pritshmëritë dhe vlerat më të larta të shoqërisë. Dhe jo pazare dhe allishverishe politike për të kërkuar emëruesin më të ulët të përbashkët.