Kryetari i opozitës, z. Lulzim Basha priti në një takim delegacionin e Parlamentit Europian, për marrëdhëniet me Shqipërinë, të kryesuar nga Eduard Kukan.
Zoti Basha ka falënderuar euro-deputetët për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë, në rrugën e saj të reformave, të cilat çuan në rekomandimin për dhënien e statusit të vendit kandidat. Ky, sipas zotit Basha, është një hap shumë i rëndësishëm për Shqipërinë.
Kryetari i opozitës garantoi delegacionin e Parlamentit Europian, se me të njëjtin përkushtim që PD në qeveri përmbushi detyrimet për rekomandimin per statusin e vendit kandidat, sot në opozitë është e përkushtuar të bëjë gjithçka, për hapjen sa më parë të negociatave për anëtarësimin në BE.
Zoti Kukan ka vlerësuar përpjekjet e bëra nga PD dhe mazhoranca e djathtë, për të përmbushur detyrimet për marrjen e statusit të vendit kandidat,. Zoti Kukan ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm përkushtimin e opozitës, për të mbështetur procesin integrues të vendit.
Duke folur për situatën aktuale politike në vend, z. Basha shprehu shqetësimin për shkeljen e kushtetutës dhe ligjeve, agresivitetin ndaj opozitës, fushatën e sulmeve ndaj presidentit të Republikës dhe institucioneve të pavarura: KLD, ILDKP, INSTAT, KQZ, etj nga mazhoranca.
Në takim, zoti Basha nënvizoi goditjen që mazhoranca i bëri konsensusit për ligjin e nëpunësit civil, përmes një akti antikushtetues normativ, duke nëpërkëmbur parimet e dialogut dhe gjithpërfshirjes. Emërimet në kundërshtim me ligjin, në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit si dhe në Ministrinë e Brendshme, ku kandidati për deputet i PS mban sot postin e drejtorit të personelit, ndëshkimi kolektiv i drejtorisë së krimit ekonomik, emërimet jo transparente dhe jo meritokratike në administrimin e financave dhe pasurive publike të shqiptarëve, shkarkimi i drejtoreshës së INSTAT, kanë qenë një tjetër temë e diskutimit, mes zotit Basha dhe delegacionit të Parlamentit Europian.
Kryetari i opozitës shprehu shqetësim për aktin normativ për buxhetin, si një akt të paligjshëm, i cili pritet të përkeqësojë treguesit e zhvillimit ekonomik të vendit dhe të cënojë rëndë mirëqenien e çdo shqiptari. Që prej vitit 2009 është sanksionuar në ligj, që qeveria mund të marrë hua për të financuar investimet publike, por jo për të mbuluar rroga apo shpenzime operative.
“Përmes aktit normativ, – theksoi zoti Basha, – në mënyrë të paprecedentë qeveria ligjëron heqjen dorë nga mbledhja çdo muaj, e rreth 80 milionë dollarëve, të cilat nuk dihet se ku do të përfundojnë”.
Kryetari i opozitës e ka konsideruar përqasjen e qeverisë së re ndaj financave të vendit, rrezik për stabilitetin ekonomik.