Deklarata për media e zëdhënëses së Partisë Demokratike Laura Vorpsi:
Dy ditë më parë, Partia Demokratike ngriti shqetësimin për praninë e vëllait të Kryeministrit, Olsi Rama në një delegacion zyrtar në Izrael.
Pyetjet që bëri Partia Demokratike janë pyetjet e cdo shqiptari.
A është Olsi Rama përfaqësues i biznesit?
A është ai përfaqësues i qeverisë, në këto takime?
Pse gjendej në një delegacion me zv-Kryeministrin dhe Ministrin e Bujqësisë?
Reagimi i Kryeministrit ishte zhgënjyes. Asnjë transparencë dhe asnjë përgjigje për pyetjet tona. Nga verifikimi, rezulton se Olsi Rama nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë biznes të regjistruar në Shqipëri. Atëherë, edhe një herë po pyesim sot, cili është roli i vëllait të Kryeministrit në të tilla vizita dhe në të tilla delegacione zyrtare jashtë vendit?