Fjala e plotë e Kryetarit të PD, z Lulzim Basha:
Të nderuar deputetë,
Para së gjithash dëshiroj t’ju shpreh përgëzimet e mia më të thella për diskutimet tuaja në foltoren e Kuvendit gjatë seancës së debatit për Aktin Normativ të qeverisë mbi ndryshimet në buxhetin e shtetit.
Kemi premtuar para publikut shqiptar opozitë të fortë, ballore, të drejtë, profesionale, etike, demokratike.
Këtë po bëjmë e do të bëjmë çdo ditë.
Këtë bëtë ju më së miri në përballjen e parë me qeverinë në aulën e Kuvendit për një temë madhore të politikës dhe shumë të ndjeshme për qytetarët, siç është ekonomia, buxheti.
Falë qëndrimeve të Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar, shqiptarët kuptuan mirë se qeveria e tyre vendosi të merrte borxh me një dorë çfarë planifikoi të humbte nga mbledhja e taksave me dorën tjetër.
Qeveria vendosi kështu t’i fuste dyfish në debit financat e shtetit.
Kjo nuk ka ndodhur kurrë, askund. Asnjë kryeministër nuk ka guxuar në histori ta bëjë këtë.
Ky është në thelb një krim ekonomik i kryer me gjakftohtësi dhe, më keq akoma, i votuar me verbëri në tempullin e ligjit.
Është hera e parë që një qeveri heq dorë në këtë shkallë, pa asnjë arsye të përligjur, nga mbledhja e taksave dhe tatimeve.
Është hera e parë që një qeveri planifikon një dështim të këtij lloji dhe të këtyre përmasave.
Kjo është rruga e rrokullisjes drejt recesionit, drejt krizës “Rama”.
Sipas testimeve tona qytetarët e përcollën me shqetësim të madh këtë rënie me top të qeverisë “Rama” ndaj stabilitetit makro ekonomik dhe financiar të vendit. Sidomos ligjërimin e uljes
drastike të të ardhurave nga taksat dhe tatimet.
Si mundet që në tremujorin e fundit të vitit një qeveri që sapo ka ardhur në pushtet, vendos të mbledhë 4 herë më pak se qeveria paraardhëse.
Qytetarët pyesin: Ku do të shkojnë këto para që do t’i mungojnë arkës së shtetit? Për ku janë nisur 60 milionë dollarë në muaj që nuk do të mbërrijnë më në arkën e publikut?
Është detyra jonë si opozitë të japim përgjigjen e saktë për këtë pyetje themelore.
Qeveria ndoqi logjikën e saj të numrave.
Ne kemi folur e do të vazhdojnë të flasim me publikun për këto çështje.
Dhe me drejtësinë aty ku konstatojmë se ka shkelje të ligjit.
Tani me lejoni të nderuar deputetë t’ju informoj për Samitin e radhës të Partive Popullore Europiane, që u mbajt në Bruksel të enjten e javës së shkuar.
Si pjesëmarrës për herë të parë në një Samit të tillë, m’u rezervua një prezantim i veçantë dhe një pritje e shkëlqyer nga gjithë të pranishmit, kryetarë qeverish, burra shteti, personalitete dhe liderë shumë të njohur të jetës politike në vendet e ndryshme të kontinentit, drejtues në institucionet më të larta legjislative dhe ekzekutive të Bashkimit Europian.
Në këtë pritje pashë shprehjen e respektit të madh të partive simotra europiane për Partinë Demokratike të Shqipërisë; ndjeva vlerësimin e tyre të veçantë për rolin kyç të partisë sonë në gjithë ndryshimet epokale që kanë ndodhur në Shqipërinë e re demokratike, por edhe për kontributin e dhënë në gjirin e familjen së përbashkët të Partive Popullore Europiane.
Është vërtetë një nder dhe një privilegj i merituar për partinë tonë, dhe për vendin tonë gjithashtu, të jemi pjesë e Partive Popullore Europiane; të jemi pjesë e këtij bashkimi dhe dhe fuqie të madhe politike që mban të ankoruar Europën në vlerat supreme të lirisë dhe demokracisë.
Pjesëmarrja në këtë familje na ka ndihmuar dhe na ndihmon shumë për t’u modernizuar pandërprerë si alternativë politike dhe për të qenë gjithnjë në pararojë të proceseve integruese të vendit.
Shqipëria u dedikon vlerave që mishërojnë dhe promovojnë partitë popullore europiane demokracinë e saj, integrimin e saj, zhvillimin e saj mbi themelet e lirisë.
Edhe kësaj radhe, si gjithnjë, kryetarët e partive simotra europiane dhe drejtuesit më të lartë të institucioneve të Bashkimit Euripian, që përfaqësojnë qendrën dhe qendrën e djathtë, më shprehën gadishmerinë dhe vendosmërinë e tyre të palëkundur për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj të pakthyeshme të integrimit europian; njëherësh për të mbështetur pa rezerva partinë Demokratike, aleate e tyre, në sfidat e saj të reja Fillimit të Ri, të Ringritjes dhe rikthimit në shumicë si forcë e zhvillimit.
Gjatë këtij samiti pata kënaqësinë të zhvilloj takime me personalitete të larta të BE-së dhe me drejtues të qeverive të qëndrës së djathtë, me presidentin e Këshillit Europian, Herman van Rompy, me presidentin e Komisionit Europian, Manuel Barroso, me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, Kryeministri suedez Reinfeld, Kryeministri hungarez Orban, Kryeministri grek Samaras, Portugezin, Finlandezin, Lituanez dhe Letonez, Joseph Daul, Spindeleger, zëvendëskryeministrin e Italisë, Agelino Alfano etj.
Kërkova prej tyre, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe në emër të aspiratave europianiste të popullit shqiptar, konfirmimin e rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian për dhënien Shqipërisë të statusit të vendit kandidat në BE në dhjetor të këtij viti.
Gjatë viteve në pushtet, qeveria e partisë demokratike dhe aleatëve të saj të qendrës së djathtë përmbushi me përkushtim dhe persistencë të veçantë të gjitha kriteret e Komisionit Europian për marrjen e statusit.
Ne e përgatitem vendin për këtë ngjarje të bukur dhe të merituar, që shkurton më tej rrugëtimin e Shqipërisë dhe popullit shqiptar drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. I falënderova miqtë dhe parnerët tanë për ndihmën e pakursyer që na kanë dhënë në këtë përpjekje historike.
Gjej rastin t’u drejtoj sot një falënderim të veçantë qytetarëve shqiptarë që më mbështetjen konstante që i japin integrimit të vendit në Europë dhe me sjelljen europianiste ndaj arritjeve të deritanishme, siç është përshembull liberalizimi i vizave, janë forca shtytëse e pazëvendësueshme e ëndrrës sonë europiane, e përpjekjeve që ka bërë e duhet të bëjë elita politike e vendit në këtë drejtim.
Tani është momenti ta finalizojmë marrjen e statusit dhe të shohim përpara. Në këtë kontekst, në përputhje me vizionin dhe vendimin tonë politik për të qenë protagonistë në çështjet e integrimit europian të vendit, pavarësisht se në qeveri kanë ardhur kundërshtarët tanë politikë të së maj
tës, unë i garantova miqtë, kolegët dhe partnerët tanë të Partive Popullore se do të angazhohemi me të gjitha forcat dhe kapacitetet tona si opozitë për hapjen e negociatave për anëtarësim.
Në takimet dypalëshe që pata në Bruksel bëra edhe një prezantim të situatës politike në vend, veçanërisht për shqetësimet tona, edhe në këtë fazë të fillimit të shumicës së re, për shpërfilljen sistematike dhe totale prej saj të parimeve të shtetit ligjor, për fushatën e saj kundër kushtetutës, ligjmërisë, konsensusit, vlerave të gjithëpërfshirjes, dialogut, e tjerë.
Mund t’u them se në mjaft takime nuk kisha të reja të veçanta për bashkëbiseduesit e mi. Paligjmëria, si dukuria më evidente e kësaj qeverie në javët e para të saj, ka marrë dhenë dhe po shqetëson çdo vend dhe çdo aulë demokratike ku parimi i sundimit te ligjit konsiderohet një gur themeli dhe një vijë demarkacioni që ndan qeverisjen demokratike nga qeverisja kleptokratike klienteliste.
Opozita, Partia Demokratike, grupi i saj parlamentar është përfshirë në një betejë pa pauza kundër paligjmërisë dhe arbitraritet, të cilët i shohim si një rrezik të madh për vendin.
Me paligjmëritë e saj qeveria na ka imponuar këtë axhendë dhe ne nuk konsiderojmë asgjë më të shenjtë se sa mbrojtjen pa kompromis të shtetit ligjor dhe vlerave të demokracisë për të cilat ka lindur dhe ekziston kjo parti.
Do ta vazhdojmë dhe do ta përshkallëzojmë këtë betejë. Në aulat e Kuvendit dhe kudo ku tingëllon fjala jonë si opozitë. Kundërshtarët tanë në qeveri po rrezikojnë shumë me shpërfilljen e pashembullt të ligjit. Po rrezikojnë stabilitetin e vendit, vetë procesin e integrimit. Duhet ta kenë të qartë: Nëqoftëse projekti i tyre është në papajtueshmëri me shtetin ligjor, automatikisht janë të vetëdeligjitimuar dhe të vetëpërjashtuar nga sistemi demokratik.