Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi, kryetarit të Grupit të PPE, Joseph Daul, për ndarjen nga jeta të Presidentit të PPE Wilfried Martens. Zoti Basha ka vlerësuar kontributin e tij të pazëvendësueshëm, si krijues dhe një lider i admiruar i Partisë Popullore Europiane.
Ndër të tjera, në mesazhin e ngushëllimit, kryetari i PD Lulzim Basha shkruan:
“Mësova me keqardhje të thellë, se presidenti dhe miku ynë i shquar Wilfried Martens nuk ndodhet më mes nesh.Në këto momente pikëllimi dhe dhimbjeje të thellë, dëshiroj t’ju shpreh juve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, ngushëllimet e mia të përzemërta, për humbjen e këtij burri të madh shteti, lideri vizionar dhe miku të dashur. Presidenti Martens do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij të pazëvendësueshëm, si krijues dhe një lider i admiruar i Partisë Popullore Europiane. Në krye të PPE, pa rritjen e të djathtës së qendrës moderne europiane dhe transformimin e platformës së vet politike në alternativën politike më të përkrahur dhe të pranuar, për një të ardhme më të mirë të kontinentit europian, zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm, për një jetë më të mirë dhe më shumë progres. Me karrierën e tij të shquar politike, bazuar në bindje të forta, dashuri për qytetarët dhe integritetin e tij personal, Presidenti Martens do të mbetet gjithmonë një ndër personalitetet më të shquar të politikanëve europianë të dy shekujve të fundit. Partia Demokratike e Shqipërisë do të vijojë të përkrahë vlerat më të çmuara dhe kontributin e palodhur të presidentit Martens, në drejtim të konsolidimit të saj dhe për ndërtimin e forcimin e demokracisë shqiptare, ashtu siç ka ndodhur për më tepër se dy dekada. Sot, çdo anëtar dhe simpatizant i PD ndan dhimbjen dhe lutjet tuaja, që shpirti i këtij lideri të madh të gjejë prehjen që meriton.” – përfundon mesazhi i ngushëllimit i kryetarit të PD Lulzim Basha, për ndarjen nga jeta të presidentit të PPE, Wilfried Martens.