Basha: “Qytetarët në këmbë për liritë dhe ligjin!
Basha: “Rama spekulon, Komisioni Europian nuk është avokat i aktit antikushtetues që shkelmoi konsensusin”
Kryetari i PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike deklaroi se Edi Rama gënjeu dje, kur i atribuoi Komisionit Europian, avokatin e një akti antikushtetues që ka shkelmuar konsensusin, të cilin Komisioni e ka çmuar më shumë se referendumin.
“Por paturpësia që ka shoqëruar trajektoren e aktit normativ, shënoi një kulm të paimagjinueshëm dje, kur kryeministri i vendit, për të kompleksuar e mashtruar deputetët e tij, që këta të votojnë symbyllur sot si turmë pa tru, deklaroi se progres –raporti i Komisionit Europian mbështet aktin e tij normativ! Kjo është një gënjeshtër 24 karatëshe, që vetëm zoti Rama merr guximin ta thotë. Guximi i tij për të spekuluar në këtë shkallë, me një dokument serioz të Komisionit Europian dhe për t’i atribuar këtij Komisioni avokatinë e një akti antikushtetues, që ka shkelmuar konsensusin që vetë ky Komision e ka çmuar me shumë se referendumin, tregon se sa i madh është oreksi i z. Rama për të shkallmuar administratën publike, për interesat e tij të ngushta klienteliste” – deklaroi Basha.
Zoti Basha ka theksuar se Partia Demokratike do ta vazhdojë betejën e saj në Gjykatën Kushtetuese dhe me çdo formë e mjet demokratik, për të ndaluar aktin normativ dhe çdo akt tjetër të paligjshëm të kësaj qeverie.
“Sot, Edi Rama me Ilir Metën nuk po ndryshojnë thjesht një ligj të votuar me konsensus, por po përcaktojnë vijën e sjelljes me opozitën, me publikun, me ligjin: arrogancë, arbitraritet, përplasje, paligjshmëri. Sot, ata po sfidojnë në mënyrën më të papërgjegjshme gjithë kulturën politike moderne e bashkëkohore, që na thotë se konsensusi nuk është një çështje numrash, por një çështje e vullnetit politik për të punuar së bashku për vendin. Partia Demokratike do ta vazhdojë betejën e saj në Gjykatën Kushtetuese dhe me çdo formë e mjet demokratik, për të ndaluar aktin normativ dhe çdo akt tjetër të paligjshëm të kësaj qeverie. Ne presim që Gjykata Kushtetuese të bëjë drejtësi. Ne kemi lëshuar dje apelin: “Në këmbë për liritë dhe ligjin!”, për të zgjedhurit tanë vendorë, apel të cilin sot bashkë me demokratët dhe opozitarët në tërësi, do t’ia drejtojmë publikut mbarë” – deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.
Fjala e Kryetarit të PD Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar:
Dje, Komisioni Europian rekomandoi marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Sot, shumica e pacilësuar, Rama-Meta ka vendosur të votojë aktin normativ famëkeq për nëpunës civil, duke vulosur ekzekutimin për herë të parë gjatë 22 viteve demokraci dhe pluralizëm të konsensusit midis mazhorancës dhe opozitës, të konsensusit që bëri të mundur pikërisht heqjen e pengesave të fundit, ndonëse me vonesë për marrjen e statusit.
Dje, ishte një ditë feste për të gjithë shqiptarët. Sot, shumica e pacilësuar po regjistron një ditë të zezë për parlamentarizmin dhe jetën politike shqiptare. Progres raporti i Komisionit Europian që u publikua dje theksonte si fjalë kyçe për Shqipërinë, gjithpërfshirjen. Sot, shumica e pacilësuar po përgjigjet flakë për flakë me arrogancë, me arbitraritet të skajshëm, me peshkim mandatesh, për të siguruar numrat e ekzekutimit të konsensusit dhe mprehjes se hanxharëve kundër administratës publike. E gjithë kjo ngjan të jetë hakmarrja e bllokuesve të statusit, ndaj zhbllokimit të tij.
Siç filloi tinëzisht dhe siç po votohet sot paturpësisht, akti normativ është nga ato ngjarjet ku sintetizohen dhe kondensohen tiparet e kundërshtarit tonë politik që sot ka në duar fatet e qeverisjes së vendit. Një moment shumë i shëmtuar ishte e ashtuquajtura ftesë për dialog dhe konsensus, që na drejtoi kryeministri Rama dhe pas tij edhe kryetari i Kuvendit Meta.
Me një megalomani të pashoqe, na ftuan të ulemi, por të mos diskutojmë, sepse akti normativ nuk diskutohet, na ftuan të japim konsensusin për prishjen e njëanshme të konsensusit nga ana e tyre, na ftuan të pudrosim me farsën e dialogut për muhabet faktin e kryer. Dhe kur u përballën me argumentet tonë të shumtë juridikë dhe politikë dhe me kërkesën tonë të prerë për tërheqjen e kushtit të tyre, aktit normativ, si rruga e vetme e arsyeshme për të filluar dialogun dhe gjetjen e zgjidhjeve, ata e hoqën fare maskën e hipokrizisë.
Por paturpësia që ka shoqëruar trajektoren e aktit normativ, shënoi një kulm të paimagjinueshëm dje, kur kryeministri i vendit, për të kompleksuar e mashtruar deputetët e tij, që këta të votojnë symbyllur sot si turmë pa tru, deklaroi se progres –raporti i Komisionit Europian mbështet aktin e tij normativ!
Kjo është një gënjeshtër 24 karatëshe, që vetëm zoti Rama merr guximin ta thotë. Guximi i tij për të spekuluar në këtë shkallë, me një dokument serioz të Komisionit Europian dhe për t’i atribuar këtij Komisioni avokatinë e një akti antikushtetues, që ka shkelmuar konsensusin që vetë ky Komision e ka çmuar me shumë se referendumin, tregon se sa i madh është oreksi i z. Rama për të shkallmuar administratën publike, për interesat e tij të ngushta klienteliste.
Ai e ka fyer rëndë administratën, thjesht duke e kërcënuar nëpërmjet lënies zbuluar pa mbrojtje ligjore, në mëshirë të revanshit të skuadrës së tij politike.
Kjo është administrata që përmbushi detyrat anëtarësimit të vendit në NATO. Është administrata që implementoi kërkesat e paketës për liberalizmin e vizave dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve në zonën Shengen. Është administrata e reformave të mëdha, që çuan në rekomandimin për statusin e vendit kandidat.
Këtë administratë, të cilën e konsiderojmë pasuri kombëtare, mbrojmë ne me qëndrimin tonë të vendosur dhe aspak zyrtarët politikë apo nëpunësit e veçantë që provohet se abuzojnë me detyrën. Mbrojmë këtë administratë, mbrojmë ligjin, mbrojmë Kushtetutën, mbrojmë konsensusin, si vlerë e vlerave, mbrojmë nevojën për paqe, bashkëjetesë dhe bashkëpunim politik me mendje të hapur, që kaq shumë i duhen vendit.
Sot, Edi Rama me Ilir Metën nuk po ndryshojnë thjesht një ligj të votuar me konsensus, por po përcaktojnë vijën e sjelljes me opozitën, me publikun, me ligjin: arrogancë, arbitraritet, përplasje, paligjshmëri. Sot, ata po sfidojnë në mënyrën më të papërgjegjshme gjithë kulturën politike moderne e bashkëkohore, që na thotë se konsensusi nuk është një çështje numrash, por një çështje e vullnetit politik për të punuar së bashku për vendin.
Duke iu drejtuar qytetarëve, siç kemi bërë gjithë këtë periudhë, dua të përsëris me forcë se ligji po shtyhet dhe konsensusi po vritet, jo sepse ky ligj është i pazbatueshëm, por ngaqë ky ligj e bën të pazbatueshme reprezaljen dhe “vitin zero” që Edi Rama ka në mendje për administratën publike dhe gjithë piramidën shtetërore.
Kjo nuk është më një ide, por një projekt
që ka nisur të zbatohet që ditën e parë të instalimit të kësaj qeverie në pushtet, me shkarkime kolektive të paligjshme, si në një situatë pushtimi, ku spikat shkarkimi në një ditë i gjithë drejtuesve të policisë së shtetit, por votimi i sotëm nuk e bën kurrsesi të ligjshëm dhe kushtetues aktin normativ.
Partia Demokratike do ta vazhdojë betejën e saj në Gjykatën Kushtetuese dhe me çdo formë e mjet demokratik, për të ndaluar aktin normativ dhe çdo akt tjetër të paligjshëm të kësaj qeverie. Ne presim që Gjykata Kushtetuese të bëjë drejtësi. Ne kemi lëshuar dje apelin “Në këmbë për liritë dhe ligjin!” për të zgjedhurit tanë vendorë, apel të cilin sot bashkë me demokratët dhe opozitarët në tërësi, do t’ia drejtojmë publikut mbarë.