Prononcimi për media i Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në selinë e PD-së:
Pikë së pari nuk ka asnjë ndryshim, akti normativ thika që i nguli në shpinë konsensusit katër orë para hyrjes së ligjit në fuqi në errësirë, në pabesi më 30 shtator, është akti më i rëndë dhe i paprecedentë në historinë 23 vjeçare të pluralizmit, i cili bashkë me problemet e tij ka sjellë edhe një kulturë konsensusi.
Konsensus i cili asnjëherë nuk është shkelur me përjashtim të këtij rasti, pra akti normativ, kjo thikë në shpinë të konsensusit, është dhe mbetet një fakt.
Akti normativ shkatërron konsensusin, shkatërron marrëveshjen unanime dhe votën unanime në Parlament, për një nga tre ligjet, kusht për statusin kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Të jeni të qartë. Asgjë s’ka ndryshuar në këtë drejtim. Nuk kërkon konsensus, kërkon nënshtrim. Kërkon që opozita t’i nënshtrohet vullnetit arbitrar dhe antikushtetues të aktit normativ. Akt normativ, i cili merr përsipër të zhbëjë një ligj me 3/5.
Ky është fakti dhe për këtë shqiptarët ta kenë fare të qartë që opozita e tyre, opozita shqiptare, do të qëndrojë fort në mbrojtje të vlerës së konsensusit dhe në mbrojtje të një ligji të miratuar me votë unanime në Kuvendin e Shqipërisë. Ky është fakti i parë.
Fakti i dytë. Nëse me të vërtetë dëshiron dialog dhe konsensus për çfarëdo problemi që mendon se ka evidentuar në mënyrë të ligjshme, opozita gjithmonë ka qenë e gatshme, por është ai që i ka prerë rrugën këtij dialogu, siç thash, duke miratuar në errësirë katër orë para hyrjes në fuqi të ligjit, aktin normativ, aktin antikushtetues me të cilën në mënyrë të pabesë prishi konsensusin e 30 majit.
Sot përsëri u tha shqiptarëve të pavërteta. U tha se ekspertët e Bashkimit Evropian kishin parashikuar që ligji t’i shtrinte efektet e tij një vit pas hyrjes në fuqi. Kjo është një gënjeshtër e pastër. Ekspertët e BE-së kishin parashikuar hyrjen e ligjit në fuqi, 15 ditë pas aprovimit nga parlamenti. U aprovua më 30 maj, duhej të hynte në fuqi më 15 qershor. Ishte opozita e atëhershme, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim që kërkuan që ligji do të hynte në fuqi më 1 shtator. Dhe, ishte mazhoranca e atëhershme, Partia Demokratike që ra dakort, për hir të konsensusit. U mblodhëm më 30 maj për të votuar ligjin që të hynte në fuqi më 30 shtator dhe përsëri ishte PS që kërkoi një tjetër shtyerje të hyrjes së ligjit në fuqi më 1 tetor dhe kështu u bë, ligji u votua dhe data e hyrjes në fuqi të këtij ligji u përcaktua ashtu siç u arrit me dakortësi të plotë me grupin parlamentar të PS-së më 1 tetor, duke i lënë 3 muaj afat përgatitjes së akteve nënligjore, akte që hyjnë në fuqi brenda 3 muajve të ardhshëm nga hyrja në fuqi e ligjit.
Këto janë fakte të njohura botërisht dhe transparente. Pra, këto janë alibi që nuk qëndrojnë dhe për fat të keq janë gënjeshtra që qarkullojnë përpara shqiptarëve për të fshehur një të vërtetë dhe vetëm një të vërtetë. Ligji nuk është i pazbatueshëm, por ligji bën të pazbatueshëm spastrimin e administratës dhe rekrutimit në mënyrë jo transparente, jo në bazë të meritës profesionale, por në bazë të kritereve jo transparente klienteliste dhe politike siç kemi patur rastin të shohim në këto ditë, në vende të rëndësishme që menaxhojnë pasuritë dhe paratë e shqiptarëve, në dogana, në tatime, në AlbPetrol, në lojërat e fatit e kudo tjetër.
Siç kemi parë po kështu sot, emërimet në kupolën e Policisë së Shtetit të personave që nuk kanë as kriteret ligjore të ligjit për policinë e shtetit dhe nuk kanë as kualifikimet e nevojshme për të drejtuar policinë e shtetit, por kanë disa prej tyre, atribute të tjera që tregojnë se kanë qenë shërbëtorë të zellshëm dhe të antiligjshëm, të shtypjes së opozitës së Partisë Demokratike në vitet 2001-2005 dhe shërbëtorë të zellshëm të trafiqeve dhe klientelës së ish-mazhorancës socialiste të asaj kohe.
Këto janë efektet e vërteta të kaosit dhe të vendosjes së vetes mbi ligjin, siç po bën dita-ditës kryeministri Rama. Nëse është serioz për atë që kërkon ka një dhe një rrugëdalje të qartë. Ta heqë këtë thikë që i ka ngulur pas shpine konsensusit, ta anulojë këtë akt arbitrar dhe antikushtetues që quhet – akt normativ, e që tenton në mënyrë antikushtetuese të zhbëjë efektet e një vote unanime, të një konsensusi mbarëpartiak.
Nëse është i sinqertë, nëse ka vënë mend, nëse e ka kuptuar se hapi që ka hedhur nuk e çon vendin drejt synimeve mbarëpopullore për integrim dhe mirëqenie dhe nis udhëtimin e vetë z.Rama drejt një gremine, një humnere ku pashmangshmërisht rrëzohet çdo udhëheqës që e shikon veten e tij mbi ligjin, atëherë pa dyshim që tek opozita ka dhe do të ketë gjithmonë një faktor që qëndron mbi interesin e saj dhe në funksion të interesit publik.
Gjithçka tjetër është farsë dhe gënjeshtër.
Tërhiq aktin normativ dhe drejtohu procedurave normale. Ky është një kusht kushtetues. E kundërta ishte një atentat antikushtetues ndaj kulturës së konsensusit, kulturës së bashkëpunimit.
Ndaj edhe një herë, duke iu përgjigjur deklaratës që sapo bëri nga foltorja e Kuvendit, i them, të tërheqë aktin normativ. Ta heqë këtë thikë që i nguli në shpinë konsensusit. Këtë pabesi që bëri ndaj një akti madhor siç është vota unanime e të gjithë partive politike, votë unanime edhe për datën e hyrjes në fuqi, të cilën tani rreket t’u mbushë mendjen e shqiptarëve se paska qenë ndryshe, por në fakt ka qenë ajo, që ne ramë raport më 30 maj në aolën e Kuvendit dhe në këtë mënyrë të eliminojë rreziqet e mëdha me të cilat mbarset rruga e arbitraritetit dhe vendosjes së tij mbi ligjin.