Deklaratë për media e Prof. Dr. Sali Berisha:
Në historinë 23-vjeçare te marrëdhënieve te forcave të mëdha politike, ky është akti më i rëndë në tërë ekzistencen e pluralizmit.
Të gjithë ata që kanë ndjekur zhvillimet e vështira demokratike në Shqipëri, por në tërësi të suksesshme, e kanë të qartë se këto zhvillime kanë pasur në bazë ligjet e vendit Kushtetutën dhe Konsensusin.
Në doktrinën kushtetuese, konsensusi ka vlerën e normës kushtetuese.
Në të drejtën kushtetuese konsensusi ka rëndësinë e një norme të çmuar të Kushtetutës, pavarësisht kundërshtisë madhore midis forcave politike, ai është nderuar.
Ai ka bërë të mundur të kapërcehen vështirësi të mëdha dhe serioze, shumë më serioze sesa kjo e tanishmja.
Në një vullnet të verbër, në një armiqësi të egër të paimagjinueshme ndaj opozitës, qeveria e cila është gjithmonë në çdo rast përfituese, po ti bëjmë në raport, të së paku 60 përqindëshit, në një konsensus shkelmon me harbutëri konsensusin me opozitën dhe çon në zero, ashtu siç do bashkëkryetari i mazhorancës, marrëdhënien me opozitën.
Ky është një fillim jashtëzakonisht problematik, ky është një akt shumë i rrezikshëm.
Cilat janë aktet që vijnë prapa…
Janë absolutisht të paparashikueshme. Po shkelmove konsensusin, marrëveshjen që ke arritur me palën tjetër, ti i pret asaj çdo urë, çdo mundësi që të merresh vesh me të.
Nuk ka ndodhur në 23 vjet, kanë ndodhur ngjarje nga më problematiket, por kjo nuk ka ndodhur.
Dhe ata të cilët bënë këtë veprim nuk duhet ta ndërmerrnin kurrë në prag të disa zhvillimeve shumë të rëndësishme. Ne kishim të garantuar statusin e vendit kandidat.
Ne duhej të luftonim së bashku për të hapur negociata në dhjetor, sepse ne e meritojmë, por në qoftë se ecet me këtë vullnet të ligë, për të çuar vendin drejt destabilizimit, se ti i pret urat me opozitën, por bën gabimin më fatal, më të madh.
Ata ose punojnë për destabilizimin e këtij vendi, ose mashtrojnë, janë miqtë e Edi Ramës dhe ju garantoj se ata s’kanë asgjë në dorë për t’i dhënë Shqipërisë statusin.
Ata kanë në dorë, po, të inkurajojë ndonjë prej tyre destabilizimin e vendit, por jo statusin. Nuk mund të preket kurrë konsensusi.
Ai është njëriu që kundërshtoi referendumin sepse donte konsensusin.
Shqiptarët duhet të nderojnë kërkesat për procesin e integrimit, sepse në fund të fundit e kush e paguan, e paguan çdo fëmi, çdo burrë, çdo grua, ngelen pa status.
Mund të imagjinoni një mazhorancë në botë që të fillojë qeverisjen me mega – afera korrupsioni?
A e dini ju që njeriu që ka marrë Albpetrolin është bashkëpronar, është administrator në 8 ndërmarrje të Koço Kokëdhimës, është këmisha e tij, eshtë njeriu më i afërt në të gjitha aferat e pista të tij, bosit të kupolës së Partisë Socialiste.
Kur ka ndodhur ndonjëherë që një mazhorancë të ketë guxuar, të marrë një vendim të tillë për sipërmarrje që sot është më kryesorja.
Kontraktohen kompani të mëdha ndërkombëtare pa asnjë tender, pa asnjë linjë prokurimi, përmbysen ndërtesa të tëra, pa asnjë tender, pa prokurim, është e vërtetë ë Koçua merr naftën, por shqiptarët marrin kartonin e kuq për statusin. Koçua dhe Rama pasurohen, absolutisht që e ndajnë bashkë kjo s’ka asnjë diskutim.
Se një akt i tillë verbërie që të gjejë njeriun që ka 8 sipërmarrje të përbashkëta, e ka ortak, administrator dhe në tre katër prej tyre ka borxhe në Albpetrol, ta marrë në këtë mënyrë, një vjedhje të tillë, një akt të tillë nuk e ka bërë kush kurrë në një sistem demokratik.
Konsensusi ka qenë element themelor i paqes sociale në këtë vend. Konsensusi ka shërbyer edhe dekada para se të dalë statusi në horizont dhe ne jemi për marrjen e statusit.
Ne përkundrazi, mendojmë se jo vetëm statusi por edhe negociatat duhet të hapen në Shqipëri. Por, konsensusi, është një nga mekanizmat më kryesorë në këtë vend të paqes sociale.
Dhe këtë e shkelmoi kjo mazhorancë me papërgjegjshmërinë absolute.
Me të njëjtën papërgjegjshmëri, kjo mazhorancë i dha naftën bashkëkryetarit të mazhorancës Koço Kokëdhimës dhe Edi Ramës.
Me të njëjtën papërgjegjshmëri, çdo ligj të prokurimeve, çdo ligj të funksionimit të qeverisë, çdo ligj të funksionimit të shtetit.
Pyetje: Z. Berisha do të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të ndërmarrë atë që e quajtët hapa të paparashikueshëm?
Berisha: Z. Berisha është thjesht një deputet dhe anëtar i Partisë Demokratike dhe absolutisht unë do të mbështes qëndrimet. Ky ka qenë një vendim i lidershipit të opozitës të mbledhur dje, dhe unë do të mbështes të gjitha vendimet e opozitës.
Por, vendimet e krerëve të opozitës janë njëra anë dhe shkelja e konsensusit është gabim fatal historik për Shqipërinë.