Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike Gert Bogdani:
Shqiptarëve u kujtohet me siguri se kur Edi Rama emëroi këshilltarët e tij, ai i mbushi mediat me meritat e tyre. Opinioni publik u ushqye për ditë të tëra me lëvdatat e kryeministrit për arritjet e mëdha rajonale e botërore të stafit që kishte përzgjedhur.
Këto ditë Edi Rama ka emëruar drejtuesit e institucioneve që menaxhojnë paratë dhe pasuritë e shqiptarëve, por nuk ka belbëzuar as edhe një fjalë rreth tyre.
Cilat janë meritat, përvojat dhe ekspertizat e këtyre individëve?
Kryeministri ka emëruar në heshtje drejtuesin e doganave. Asnjë fjalë për drejtuesin e tatimeve. Asnjë fjalë për drejtuesin e Albpetrolit. Heshtje për drejtuesin e lojrave të fatit. Asnjë fjalë për drejtuesit e inspektoriateve. Asnjë fjalë për drejtuesit e agjensive të rëndësishme. Asnjë fjalë për drejtuesin e QSUT. Pse kjo heshtje për emërimet e këtyre individëve që kanë marrë në dorë fatet e shërbimeve, pasurive dhe parave publike? Kush janë drejtuesit që do të menaxhojnë qindra miliona euro në vit?
Pse publiku nuk paska asnjë të drejtë, sipas Edi Ramës, të dijë se cilët janë këta?
Mungesa e transparencës për këto emërime lidhet vetëm me një gjë. Me planin ogurzi të shpallur nga Ministri i Financave për të krijuar gropën qindra milionë euro në buxhetin e shtetit.
Dhe për të përmbushur profecinë e Canit, janë vënë njerëzit më të përshtatshëm për evazion, abuzime, dhe vjedhje të financave publike. Ministri i Financave tha para pak ditësh se 250 milionë euro do t’i mungojnë buxhetit të shtetit, ndërsa Edi Rama caktoi ustallarët që do ta hapin këtë gropë.