Fjala e deputetes së Partisë Demokratike Majlinda Bregu në seancën e Kuvendit:
Si për ta nisur punën me këmbë të mbarë, Edi Rama e filloi nga vetja e të tijtë.
I Këputi që në javën e parë një të zbukuruar zyrave, “Me fonde të një rilindasi bujar”,- tha. Mister ende është sot, si e bëri, me ç’proçedura e sa i kushtoi?
Nisi të këpusë përditë fijet e lidhjes me ligjin e zbatimin e tij. Dhe i këputën nën porosinë e tij, një të fshirë Gardës së Republikës, Policisë së Shtetit, Drejtores së INSTAT, drejtorëve të shkollave, e me rradhë, duke i hapur rrugë një sërë emërimesh, të atyre që vetëm nevojë për performancë në punë e cilësi nuk kanë.
I këputi dhe një anullim loje konsensusit politik me aktin normativ për nëpunësin civil dhe votoi si maxhorancë e re zhbërjen e asaj që e kishte votuar si opozitë.
I këputi edhe një kod heshtjeje e sekreti sa s’dimë më as ne dhe as media, që lufton për lajm, se çfarë vendimesh merr kjo qeveri, por duhet të presim të gjithë t’i shohim të botuara në fletoren zyrtare. Siç ndodhi me ndryshimin e ligjit për kompetenca të INUK, siç ndodhi me këtë tjetër akt normativ që vjen sot, me të cilin po i këput një marrje borxhi, prej 240 ml USD, sepse i duhen atij dhe 5 ministrive të reja, që të jenë komode në shpenzime deri në fund të këtij viti.
Kur Edi Rama tha,- “Më keni akuzuar për dhunë, po s’keni parë gjë akoma”, e paska patur sinqerisht. Na prezantoi kryefjalën e programit të tij qeveritar: Dhunë! Dhunë, të tillë ndaj ligjit, institucioneve, biznesit, askush s’kishte parë e dëgjuar, të pakten për brezin tim që kohën e Enver Hoxhës e kemi pak më të largët në memorie.
Pasi i mbushi qytetarët me rrena të zbukuruara me batuta stilistike gjatë gjithë periudhës zgjedhore, filloi me ardhjen në pushtet, të zbatojë planin e rrënimit.
Kush mendonte se Kryeministri i sotëm fliste kuturu për të mbushur këndet e fjalës dhe premtonte se nuk e kuptonte shtetin, ishte tërësisht gabim. Me të vërtetë Edi Rama, e ka ndarë mendjen në jetën e tij, të mos e përfille rregullin e shtetin, por premtimet ishin thjesht preambula e një rrënimi të paralajmëruar, ose e asaj “Dhunës që nuk kishim parë akoma”.
Rrënimi, kriza ekonomike, papunësia, krimi, njerëzit që s’kanë ç’të hanë, përsëriten edhe sot çdo ditë në forma ligjëratash e predikimesh.
Sot është në pushtet e s’ka nevojë pse ta thotë këtë çdo ditë, por duhet që këto fjalë të kenë jehonë çdo ditë në të gjithë shoqërinë. Kështu njerëzit mund vetëm të alarmohen e të justifikojnë mosbërjen Bismilah të realizimit të asnjë premtimi!
I pari i bindur që Edi Rama s‘do të mbante premtimet, ishte vetë kryeministri i sotëm.
Ekziston një ide, në të cilën kontributori më i madh në përhapjen e saj, është shkëlqesa e këtij Kryeministri, se në politikë të gjithë janë njësoj. Të gjithë gënjejnë kur duhet dhe ia veshin fajin njeri – tjetrit.
E rremë. Por kjo është ajo që i duhet qeverisë sot. Demoralizimi dhe përhapja e ndjenjës së dëshpërimit, sa më e madhe të jetë, aq më shumë do të lehtësojë marrjen e veprimeve të paligjshme, “Sepse ne jemi në krizë”,- thotë Rama. Kur flet çdo ditë se sa keq e ke gjendur këtë vend, pavarësisht se të gjitha institucionet ndërkombëtare të thonë të kundërtën, njerezit fillojnë besojnë se janë edhe më keq seç e pandehnin, bizneset hyjnë në spiralen e ankthit të pasigurisë, transaksionet financiare pengohen, shkurt e poshtërisht ecet me plan drejt rrënimit.
Argumenti këtu mbërrin në qorrsokak. Nëse ishte vendi kaq keq, si keni menduar ta qeverisni?!
Përgjigja është e thjeshtë: Duke e rrënuar!
Dhe ne sot në Parlament, na kërkohet të votojmë vetëm një nga aktet e planit të rrënimit.
Borxhi, ka qenë gogoli me të cilin në çdo takim në fushatë, Rama i trembte qytetarët. Dhe normalisht, për një familje që i duhet të marrë dhe borxh për të shtyrë muajin, tmerri kur i jep shifra alarmante është edhe më i madh.
Citoj Ramën vjet: “Të gjithë duhet ta kuptojnë, që borxhi nuk është i shtetit dhe heqja e kufirit të borxhit duke e çuar mbi 62 për qind, bie ndesh me interesin e çdo familje të zakonshme shqiptare. Vlera e kursimeve të tyre në lekë është cënuar drejtpërsëdrejti që prej momentit që borxhi ka kapërcyer mbi 62 për qind dhe tavani është hequr.”
Po sot? I këput një të rritur borxhit me 6 % menjëherë ose 6 pikë përqindje në 4 muaj. Ndërkohë, që kaq u rrit për 4 vjet, të cilat ishin vite të krizës globale të ekonomisë.
Dhe ky borxh do të përdoret vetëm për shpenzime qeveritare.
Asnjë faturë e prapambetur e biznesit nuk do paguhet me të, asnjë TVSH e prapambetur, asnjë faturë për pushtetin lokal, as për pagesa invalideti, as për pensione. Thjesht është vazhdimi i programit: “Më keni akuzuar për dhunë, por s’keni parë gjë akoma”.
Qytetarët duhet të dinë se ky borxh, prej 240 milionë dollarësh, merret i gjithi për qeveritarët dhe do të paguhet i gjithi, nga qytetarët. Këtë e di dhe Edi Rama. E ka pranuar para një viti.
Por kryeministri e di gjithashtu se vështirësitë kanë qenë prezent dhe e kanë tronditur ekonominë tonë gjatë këtyre viteve dhe janë dashur përpjekje madhore për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, rritjen ekonomike qoftë edhe prej 1,7 % vitin e fundit, për të ulur qoftë edhe lehtësisht papunësinë e sidomos për të ruajtur të njëjtin nivel të dyfishimit të investime të huaja direkte në ekonomi, ashtu siç vlerësohet edhe në Progres – Raportin e Komisionit Evropian.
Raport progresi 2013 (BE)
Ekonomia shqiptare ka vazhduar të ruajë qëndrueshmërinë makroekonomike. Shqipëria ka bërë progres të mëtejshëm drejt shndërrimit në një ekonomi tregu funksionuese. Ajo duhet të jetë e aftë t’u bëjë ballë trysnive konkurruese dhe forcave të tregut brenda Bashkimit Evropian në periudhën afatmesme, me kusht që të përshpejtojë reformat strukturore, përshirë forcimin e shtetit ligjor dhe të drejtën e pronës, luftën kundër korrupsionit, trajtimin e pagesave të prapambetura, si dhe zhvillimin e infrastrukturës dhe nxitjen e kapitalit njerëzor, Deficiti i buxhetit kaloi objektivin prej 60% te GDP, por në krahasim me rajonin vazhdon të mbetet i ulët”
Për t’i bërë ballë trysnive konkurruese të tregut brenda BE-së, por dhe atij rajonal, duhen përpjekje madhore. Duhet një realitet si ky i progres raportit apo i BB-së apo i FMN-së, që deklaroi se “Pritet një rritje ekonomike e PBB rreth 2% në terma realë, që ndërkaq është ndër më të lartat në rajon”, që t’u mbushësh mendjen partnerëve të fuqishëm ekonomike, që të kthejnë kokën për projekte gjigande që sjellin investime, punësim, të ardhura, për shqiptarët siç bëri Sali Berisha me TAP. Por, nëse do të largosh investitorët e huaj, të dhunosh ata vendas, t’u thuash të gjithëve se ne jemi keq, të rrënuar, nuk kemi shpresë, ne jem
i si Italia e viteve të pasluftës, etj etj, fol çdo ditë për rrënim e pasiguri.
Qytetarët duhet ta dinë, se ky borxh që merret sot, nuk është si borxhi që merr një familje për të rregulluar çatinë, apo rrugën para shtëpisë, apo për të blerë ilaçet, por kjo është njësoj si të lësh çatinë, të mos blesh ilaçet, të mos paguash ujë e drita, por të marrësh borxh për t’u veshur me Versaçe, siç do të thoshte Edi Rama!
Ky nuk është borxh për të ndihmuar biznesin, as për të hapur ndonjë vend pune, ky është borxh për të ecur me shpejtësi drejt krizës.
Sepse Edi Rama s’ bën dot pa këtë krizë. I duhet të krijojë rrënim që të shpëtojë fytyrën nga premtimet megalomane dhe të gjithë të paktën këtu në këtë sallë, e dimë se sa herë në këtë
vend janë krijuar ngjarje për të shpëtuar fytyrën politike të Edi Ramës. E dinë mirë socialistët që i mbajti peng të strategjisë “Hap kutitë, dua të shoh votën time,” vetëm që të shpëtonte fytyrën nga humbja; apo si i nxori në greve urie për dy javë si strategji për të shpëtuar fytyrën, ngaqë kish thënë kudo se “ Duhet të hapeshin kutitë, që të çliroheshin vizat”; apo votimi i 3 ligjeve në maj, për të shpëtuar fytyrën, pasi i kishte bllokuar për 9 muaj duke humbur marrjen e statusit vjet, pas rekomandimit të parë nga KE.
Sot kryeministrit të ri të këtij vendi, i duhet të projektojë “Vuajtjen e pushtetarëve të virtytshëm”, që të harrohet “mashtrimi i pushtetarëve të pavirtytshëm”!
Dhe presin me këtë plan, që në vend të solidarizohen këta me qytetaret, e të mbajnë premtimet, presin që qytetarët të solidarizohen me vuajtjen e qeverisë e ta mirëkuptojnë se s’do mbajë premtimet.
Shihni planet e tyre. Ende pa ditur se çfarë do të bëjnë, e kanë caktuar se kush do ta BËJË, sepse interesi është, që askush të mos bëjë gjë.
Menduam se kishim konsoliduar një shtet me reforma të thella strukturore, që do të ishin bazë për cilëndo qeveri të pas 23 qershorit.
Por qenkemi gabuar.
„E keqja s’ka fund“. – thote populli, dhe ajo që kjo qeveri po bën me ngulm, seriozitet absolut dhe me interes të madh është: Bërja realitet i ëndrrës së rrënimit të këtij vendi.
Më vjen keq, shumë keq edhe për ata, që premtimet i tunduan, por të gjithë duhet ta mbajnë në vesh se ky do të jetë shteti, ku Brizi i tatimeve duhet të bëjë sallore, Lizi i doganës të bëjë letra të hapura, Koço të lahet me naftë e kryeministri thotë: „Unë udhëheq, jo unë qeveris“.
Ndaj të gjithë ju të tjerët që s‘jeni këta, duhet vetëm të mos harroni, se kjo është kronika e një rrënimi të paralajmëruar!