Prononcim për media e deputetit të Partisë Demokratike Aldo Bumçi në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë:
Fushata e spastrimeve në administratë ka përfshirë edhe shërbimin e jashtëm. Këto ditë janë pushuar nga puna disa konsuj, përfaqësues tonë në botë. Janë pushuar ndërsa kryeministri ishte në avion, në fluturim. Në fakt ky është një dëm i madh që i bëhet Shqipërisë dhe imazhit të saj në botë, në mënyrën se si qeveria e re po trajton shërbimin e jashtëm që në programin politik që u votua në Kuvend shërbimi i jashtëm cilësohej si pasqyra më e mirë e keqqeverisjes. Kjo është një deklaratë çnderuese, një deklaratë që është bërë nga kryeministri jashtë Shqipërisë gjatë vizitës në New York, një deklaratë që nuk është e denjë sepse shërbimi i jashtëm është bashkëbiseduesi jonë, interlokutori i Shqipërisë me partnerët tanë. Ka një kontribut të jashtëzakonshëm për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në botë, ka një kontribut për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, liberalizimin e vizave, ratifikimin e Marrëveshjes së Asociim – Stabilizimit, propozimin për marrjen e statusit të vendit kandidat, ka një kontribut për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri dhe ky shërbim trajtohet në mënyrën më denigruese nga kryeministri I vendit. Kjo është fushatë e mentalitetit të Shqipërisë në vitin zero, nuk ka asnjë vlerë, gjithçka fillon me zotin Rama. Është një dëm shumë i madh që i bëhet imazhit të Shqipërisë në botë.
A. Bumçi: Deri tani bëhet fjalë për 6 konsuj, por ka dhe të tjerë. Në ditët në vijim do të njihemi edhe me urdhëra të tjerë, por deri tani janë shkarkuar 6 konsuj.
Pyetje: A ka të drejtë ti ndërmarrë kryeministri këto shkarkime?
A. Bumçi: Kryeministri i vendit vjen dhe analizon punën e shërbimit të jashtëm, punën që kanë kryer këta konsuj në vendet përkatëse, kontributin që kanë dhënë dhe më pas mund të ndërmarri vendime rast pas rasti, se kjo është puna që duhet të bëjë një kryeministër i përgjegjshëm aq më tepër kur nuk bëhet fjalë për administratë që është e fshehur diku, por një administratë që përfaqëson Shqipërinë në botë. Shkarkimi i menjëhershëm pa filluar detyrën është shkarkim që niset nga një qëndrim subjektiv, i njëanshëm i zotit Rama. Dëshiroj t’Ju kujtoj që në vizitën e tij në Vjene, në Akademinë Diplomatike të Vjenës është shprehur me fjalët më të rënda ndaj shërbimit diplomatik, shërbimit tonë të jashtëm, pra kemi një nisje paragjykuese ndaj një shërbimi që I ka dhënë kaq shumë Shqipërisë, ka kontribuar në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në botë. Sot Shqipëria ulet si një vend dinjitoz në tryezën e NATO-s. është një vend ku qytetarët e saj udhëtojnë të lirë në hapësirën Shengen, është një vend që ka trokitur në dyert e Bashkimit Europian dhe ky shërbim trajtohet në mënyrën më denigruese. dhe nga kush? Nga Kryeministri i vendit, i cili duhet të kishte një qasje tërësisht tjetër ndaj të gjithë administratës civile por shërbimit diplomatik në mënyrë të veçantë.