Apeli për ndihmë i të paktën 3 mijë banorëve të njësisë bashkiake nr. 11 vazhdon të injorohet nga qeveria. Prej 5 ditësh, këta banorë e kalojnë natën në qiell të hapur për shkak të shkatërrimit të gjithçkaje që kishin nga përmbytjet, si pasojë e daljes nga shtrati i lumit të Tiranës. Një natë më parë, qeveria u ofroi këtyre banorëve një ndihmë në çarçafë e batanije të mjaftueshme për afro 50 familje, nga të paktën 600 që kanë nevojë imediate për t’u ndihmuar. Për deputetin Aldo Bumçi kjo është tallje me banorët, ndërsa i ka bërë sërish apel qeverisë se është detyrimi i saj ti ndihmojë këta banorë.
“Ne jemi këtu në një nga zonat e përmbytura të Bregut të Lumit, përmbytja ka qenë shumë e madhe, e jashtëzakonshme. Po të shikoni murin, do të dalloni deri ku ka qenë niveli i ujit, 1.5 m mbi nivelin e tokës, një përmbytje që ka dëmtuar gjithë katet e para të të gjithë banesave që janë në këtë zonë. Janë rreth 600 banesa, me një dëm të jashtëzakonshëm në orendi shtëpiake. I bëjmë thirrje të fortë kryeministrit Rama, të kthejë vëmendjen, të mos tallet me këtë zonë duke dërguar 50 çarçafë dhe batanije por të nxjerrë një fond dëmshpërblimi dhe ti gjendet me ato që janë nevoja imediate, librat e shkollës, krevat, batanije, ushqime dhe gjithçka tjetër që është nevojë emergjente për këtë komunitet, për rreth 600 familjet e dëmtuara rëndë” – u shpreh deputeti Bumçi.
Kryetari i njësisë bashkiake nr. 11, e ka konsideruar fyerje të rëndë për këta banorë ndihmën që i akordoi dje dhe injorim total gjendjen e rëndë të këtyre banorëve, të cilëve qeveria ka detyrim t’i ndihmojë.
“Unë shoh sot një neglizhencë të jashtëzakonshme të qeverisë në lidhje me këto banorë. Dje, më është thënë mua që të shpërndajë ndihmat, unë dola me gëzimin se jam duke sjellë diçka në lagje, më thanë që ke vetëm për 50 familje dhe ato ishin disa dyshekë e batanije. Shuma e të gjithë ndihmës për këto familje ishte 130 mijë lek të vjetra, në një kohë kur familja më e shkundur këtu ka pasur 2 milionë lekë dëme, ndërsa familjet e mëdha mbi 10 milionë lekë dëme. Ju e shikoni, qeveria nuk ka ardhur as sot. Thonë kanë shumë dyshime gjendja nuk është kështu, ashtu, ne i themi qeverisë të sjellë punonjësit e vetë, me prezencën tonë ose edhe pa prezencën tonë të hyjnë në familje. Këtu qytetarët janë të nëpërkëmbur. Unë dje nuk do të dilja të merrja ato 50 pako ndihma, sepse me vinte edhe turp por në mënyrë që t’u vij 50 familjeve në ndihmë jam detyruar të dal” – u shpreh z. Mustafa.
Qeveria duhet të reagoj sot, nesër do të jetë vonë dhe qytetarët do të ndërmarrin hapat e tyre sepse nuk mund ta përballojnë më këtë situatë.
“Ne shpresojmë që qeveria të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, t’ju vijë në ndihmë këtyre qytetarëve, pastaj do t’u themi qytetarëve që jeni të lirë që të ndërmerrni hapa të tjerë sepse kjo situatë nuk mund të shtyhet më tepër. Sot, këto familje nuk kanë bukë, nuk kanë libra, nuk kanë vend për të flejtur, shikoni, futuni në familje kudo, do të shikoni se nuk kanë ku të flenë” -u shpreh Mustafa.