Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike Aldo Bumçi:
Të nderuar qytetarë shqiptarë!
Jam këtu për t’ju bërë me dije atë që Kryeminstri Rama na e ka fshehur dhe duket se as që ka ndërmend të na e thotë.
Gjatë qëndrimit në OKB, z. Rama, e ka përfshirë Shqipërinë në një Aleancë të re të përbërë nga Etiopia, Gana, Haiti, Malawi dhe Senegali. Ky rrjet për mirëqeverisjen afrikane, na u shit si sukses i madh i marrëdhënies së tij personale me zyrën e Toni Blair, duke manipuluar mbi ndjenjat e mirënjohjes së thellë, që populli shqiptar ushqen ndaj këtij personaliteti botëror.
Kryeministri Rama e ka detyrim kushtetues të informojë shqiptarët se çfarë gjen të përbashkët ndërmjet Shqipërisë dhe Etiopisë, Ganës, Haitit, Malaëit dhe Senegalit.
Kryeministri Rama, e ka detyrim në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të informojë institucionalisht Bashkimin Europian, që Shqipëria është bërë anëtare e kësaj nisme.
Në kohën kur shqiptarët presin të marrin statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, ky kryeministër u jep lajmin, se prioritet është bërë një aleancë e re, jashtë kësaj.
Në kohën kur Shqipëria po mbyll vitin e katërt si vend anëtar i NATO-s, Edi Rama na zhvendos krejt jashtë këtij boshti, në rresht me botën e tretë pa na pyetur, pa na njoftuar, duke na gënjyer. Z. Rama, shqiptarët e kane zgjedhur vetë rrugën e tyre dhe modelin të cilit duan t’i përngjajnë, dhe ai është Bashkimi Europian, ai është NATO.