Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Arben Ristani:
Partia Demokratike, në mënyrë të përsëritur, me qëllim që të ngulisë mirë në mëndjen e çdo shqiptari, denoncon fuqimisht shkeljet e ligjit në emërimet në Policinë e Shtetit dhe vendosjen e kontrollit partiak mbi të.
Shkelja e ligjit dhe kontrolli partiak mbi Policinë e Shtetit, janë rrezik i shtuar për demokracinë dhe me pasoja të rënda për jetën e qytetarëve.
Partiakët socialistë të emëruar në drejtimin e policisë së shtetit në kundërshtim me kriteret ligjore, janë ogur i keq për të ardhmen e rendit dhe sigurisë në vend, siç është bërë e qartë edhe këto ditë ku krimi po merr jetë njerëzish në mënyrë të pandalshme.
Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur:
1- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nuk ka shkollimin përkatës për detyrën që ka marrë, nuk ka gradën dhe përvojën që kërkon ligji dhe për më tepër është militant partiak.
I ka shërbyer Partisë Socialiste si numërues i parë i saj në zgjedhjet e fundit elektorale, në Qarkun Tiranë.
2- Dy zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm të Policisë, Sokol Bizhga dhe Altin Qato janë emëruar në kundërshtimin me ligjin sepse nuk kanë gradën që kërkon ligji për pozicionin e punës, për më tepër njëri nga nën drejtorët është nën efektin e masës disiplinore të marrë ndaj tij.
3-Drejtori i SHKB, Arben Skendo, është përsëri një militant partiak.
Ai është një nga kontribuesit financiar të fushatës së fundit të Partisë Socialiste dhe renditet në listën zyrtare të donatorëve.
4-Drejtori i Personelit i Policisë së Shtetit, Xhevahir Karaj, militant i partisë socialiste.
Ai ka qenë kandidat për deputet i Partisë Socialiste.
5- Të 12 drejtorët e policisë në qarqe, janë emëruar në kundërshtim me ligjin sepse asnjëri prej tyre nuk ka gradën që kërkon ligji për pozicionin e punës
6- Drejtori i Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani, është arrestuar në 20 prill të vitit 2003 për trafik të qenieve njerëzore, teksa kishte detyrën e shefit të Komisariatit të Rinasit.
Këta janë njerëzit që drejtojnë sot policinë e shtetit shqiptar, të gjithë të emëruar në kundërshtim me ligjin, të gjithë militantë partiak dhe ne që presim nga ata rend dhe siguri.