Deklarata për media e zëdhënëses së Partisë Demokratike Laura Vorpsi:
Partia Demokratike përgëzon Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për përfundimin me sukses të integrimit të plotë të Shqipërisë në NATO, me çertifikimin që u bë në Konferencën e Fundit të Integrimit të drejtuar nga Komanda e NATO-s për Transformimin, 6 ditë më parë.
Përmbushja me sukses e objektivave të fazës së integrimit, hapi final i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, u bë brenda katër viteve, kur parashikimi ishte 5 deri në 6 vite. Kjo tregon përkushtimin dhe seriozitetin me të cilin qeveria shqiptare, Ministria e Mbrojtjes dhe të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura, kanë punuar në 4 vitet e fundit për të arritur këtë qëllim madhor.
Ky lajm është lajmi i dytë i madh që Shqipëria merr pas rekomandimit të Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Qeveria shqiptare e fshehu këtë lajm, në mënyrë të turpshme për gati një javë.
Përpjekja e qeverisë për ta mbuluar këtë sukses të Shqipërisë, është një betejë donkishoteske, siç ishin edhe deklaratat e Kryeministrit në Bruksel, se ai do ta çonte Shqipërinë në NATO.
Shqipëria tashmë nuk është vetëm një vend anëtar i NATO-s, por një vend plotësisht i integruar në Aleancën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Por qeveria shqiptare vazhdon të ketë probleme me arritjet dhe me integrimin e Shqipërisë, veçanërisht kur këto vijnë si rezultat i punës dhe reformave të kryera nga qeverisja e Partisë Demokratike.
Ne i kujtojmë qeverisë së këto janë arritjet e vendit tonë, janë arritjet e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve.