Basha: Qëllimi i ndryshimi të ligjit, spastrimi politik i administratës dhe zëvendësimi me militant, minon konsensusin
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka ndarë me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian shqetësimin për shtyrjen, përtej datës 1 tetorit, të hyrjes në fuqi të ligjit për “Shërbimin Civil”. Sipas zotit Basha qëllimi i vetëm i ndërmarrjes se këtij akti jo transparent dhe tinëzar nga Edi Rama është spastrimin politik i administratës publike, shtyrja e hyrjes në fuqi të këtij ligji të miratuar me konsensus ndërpartiak përpara zgjedhjeve të 23 qershorit dhe kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat shkelmon konsensusin ndërpartiak.
“Në mënyrë krejtësisht jo transparente, larg vëmendjes së publikut, palëve të interesuara, faktorëve bashkëpunues në këtë ligj, mësojmë, përsëri jo zyrtarisht, se ka një përpjekje për të ndryshuar përmbajtjen e këtij ligji konsensual, të votuar me votë unanime, në Kuvendin e Shqipërisë më 30 maj. Kjo përpjekje ka një dhe vetëm një motiv, për të intensifikuar spastrimin e administratës publike dhe të shërbimit civil dhe zëvendësimin e tyre me militantë partiak. Ky është një hap prapa për vendin tonë, është një hap i kushtueshëm për taksapaguesit shqiptarë dhe europianë të cilët kanë investuar në këtë aset të vyeshëm të shtetit, që është shërbim civil, sikundër është një shkelmim dhe një shkallmim i konceptit të konsensusit politik, pra bashkëpunimit midis partive politike për qëllime të përbashkëta” -u shpreh Basha.
Zoti Basha ka bërë të qartë se PD nuk do të ketë asnjë mirëkuptim për ndryshimin e këtij ligji konsensual i cili shkatërron administratën publike dhe vë në rrezik aspiratën për avancim sa më të shpejtë në rrugën e integrimit europian të vendit.
“Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë mirëkuptim për këtë hap, përgjegjësia do të jetë e tëra e kryeministrit dhe e tijve. Ligji i miratuar me konsensus që po tentohet të ndryshohet apo të shtyhet në mënyrë tinëzare dhe pa asnjë kriter transparence është faktikisht një shpallje lufte e hapur ndaj aspiratës tonë për integrimit në Bashkimin Europian, ndaj kritereve profesionale të rekrutimit dhe avancimit të shërbimit civil në bazë të meritës dhe ndaj frymës së domosdoshme të konsensusit dhe të bashkëpunimit midis forcave politike në vend” –deklaroi Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha.
Prononcimi i plotë i kryetarit të PD Lulzim Basha, pas takimit me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe KE-së.
“Patëm një takim me përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Europian dhe përfaqësuesit e Komisionit Europian në Tiranë, për të shprehur shqetësimin tonë në raport me një përpjekje jo transparente, madje do të thoja tinëzare për të shkelmuar konsensusin mbi tre ligjet, mes të cilëve edhe ligjit për “Nëpunësin civil”, ligj i cili hyn në fuqi në datën 1 tetor. Në mënyrë krejtësisht jo transparente, larg vëmendjes së publikut, palëve të interesuara, faktorëve bashkëpunues në këtë ligj, mësojmë, përsëri jo zyrtarisht, se ka një përpjekje për të ndryshuar përmbajtjen e këtij ligji konsensual, të votuar me votë unanime, në Kuvendin e Shqipërisë më 30 maj. Kjo përpjekje ka një dhe vetëm një motiv, për të intensifikuar spastrimin e administratës publike dhe të shërbimit civil dhe zëvendësimin e tyre me militantë partiak. Ky është një hap prapa për vendin tonë, është një hap i kushtueshëm për taksapaguesit shqiptarë dhe europianë të cilët kanë investuar në këtë aset të vyeshëm të shtetit, që është shërbim civil, sikundër është një shkelmim dhe një shkallmim i konceptit të konsensusit politik pra bashkëpunimit midis partive politike për qëllime të përbashkëta.
Partia Demokratike dhe opozita shqiptare e kanë denoncuar këtë përpjekje akoma jo transparente, tinëzare dhe të papërgjegjshme të kryeministrit Rama për të shkelmuar konsensusin e arritur para zgjedhjeve, kur askush nuk e dinte rezultatin dhe vënien në rrezik midis të tjerave edhe aspiratën tonë për avancim sa më të shpejtë në rrugën e integrimit europian të vendit, vetëm e vetëm për të ekzekutuar skenarët e tij të shkatërrimit të administratës publike dhe zëvendësimit të saj me militant partiak. Nuk ka dhe nuk do të ketë, asnjë mirëkuptim për këtë hap, përgjegjësia do të jetë e tëra e kryeministrit dhe e tijve. Ligji i miratuar me konsensus, që po tentohet të ndryshohet apo të shtyhet në mënyrë tinëzare dhe pa asnjë kriter transparence, është faktikisht një shpallje lufte e hapur ndaj aspiratës tonë për integrimin në Bashkimin Europian , ndaj kritereve profesionale të rekrutimit dhe avancimit të shërbimit civil në bazë të meritës dhe ndaj frymës së domosdoshme të konsensusit dhe të bashkëpunimit midis forcave politike në vend.”