Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar Edi Paloka në seancën e Kuvendit:

Zoti Kryetar i Parlamentit,

Po flas këtu në emër të të gjithë opozitës shqiptare.

Të dashur qytetarë !

Kur ne denoncuam dhunën dhe arrogancën me të cilën Edvin Rama u prezantua që ditën e parë të tij në Parlament, dikush nga maxhoranca e quajti këtë si një ‘’furtunë në gotë” të Partisë 
Demokratike.

Kur ne protestuam pas kërcënimit të Edvinit kryeministër, se ne ende nuk kemi parë asgjë nga dhuna që ai paska planifikuar në kokën e tij të sëmurë, Kryetari i Parlamentit na tha se Rama është thjesht shakaxhi.

Sot ndodhemi përpara një fakti të kryer .

Një akt normativ i kësaj qeverie, i datës 30 shtator, është kthyer në aktin më të rëndë politik e antiligjor të gjithë historisë së pluralizmit shqiptar.

Akti normativ i qeverisë, një akt antikushtetues, I cili praktikisht shfuqizon për gjashtë muaj ligjin “Për nëpunësin civil”, hedh në erë jo këtë ligj, por konsensusin e arritur me mjaft vështirësi më 30 maj të këtij viti për miratimin e këtij ligji.

Ju z.Meta, e dini shumë mirë se çfarë vështiresish u kaluan përderisa u vutë në pozicionin e negociatorit që ti mbushnit mendjen aleatit tuaj të ri,  të realizonte, çfarë Brukseli na kërkonte prej kohësh,  si kusht të qartë, të vetëm e të fundit për ti dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian; KONSENSUSIN!

E përsëris dhe ju të gjithë e dini shumë mirë, se pavarësisht rëndësisë së tyre, jo tre ligjet në vetëvete, por konsensusi ishte kushti i BE-së.
Miratimi i tre ligjeve, kërkohej vetëm si tregues i mirëkuptimit dhe konsensusit politik, si tregues i faktit që realisht të gjitha palët e politikës shqiptare ishin për integrimin e Shqipërisë. Për këtë arsye dhe referendumi i paraqitur si opsion nga Partia Demokratike ,nuk u konsiderua nga partnerët tanë europianë si zgjidhja e duhur. Kërkohej një marrëveshje dhe konsensus midis maxhorances dhe socialistëve në opozitë. Me këtë kusht, abuzoi dhe Rama që e bllokoi statusin për një kohë aq të gjatë.

Sot pikërisht ky konsensus është hedhur në erë, për herë të parë në historinë e politikës shqiptare të viteve të fundit. 
Shtylla më e rëndësishme që ka mbajtur në ekuilibër në momente deçizive një politikë, që fatkeqësisht në shumë raste është bërë shkaktare e destabilizimit të vendit,  konsensusi, sot po ekzekutohet nga Rama kryeministër.

Akti i Ramës nuk është një detaj teknik i parëndësishëm e ca më tepër dhe pozitiv, siç po ju serviret dhe partnerëve tanë në Bruksel.

Ky është një akt i pastër politik me synime të qarta që lidhen me shkatërrimin e administratës shtetërore dhe zëvendësimin e saj me një tufë butaforike të përbërë nga ortakët e Koços dhe Lamedonatorët e Ramës.

Gjithçka bëhet, që ashtu siç po ndodh dhe këto dite, Rama dhe Koço të kenë kohë të ndajnë sinorët.

Njëri merr Albpetrolin, tjetri Legalizimet. “Une tatimet e ti doganat. Une mora bjonden e ti merr brunen”

Vetëm për hir të këtyre pazareve të pista, u godit konsensusi dhe vendi çohet përsëri në rrugën e konfliktit dhe destabilizimit politik.

Rama është një personazh i lindur nga konflikti. Ai kurrë nuk i ka ndërmarrë aktet e tij në interes të shqiptarëve, por vetëm duke llogaritur interesat e tij edhe kur ato kanë qenë me pasoja të rënda për shqiptarët .

Sot me këto interesa po kërkohet të ndyhet edhe Parlamenti.

Ju keni vendosur që jashtëqitjen e Ramës në qeveri, ta kaloni për tu përmjerrë në Parlament me shpresë se kështu do ta lani ligjërisht pa i dhënë mundësi të shprehet as Gjykatës Kushtetuese.

Sigurisht që mund ta bëni dhe do ta bëni,  megjithëse e dini shumë mirë se as kjo dhe as marrja me qera apo blerja e deputetëve nuk e zgjidh problemin. Konsensusi politik nuk peshohet me kile deputetësh.

Sidoqoftë, ju bëheni atë që keni nisur. Ne do ju lëmë ta shijoni të gjithë vetë e nuk do të behemi në asnjë lloj mënyre pjesë e kësaj.

Për ne Rama, e ka nisur siç e prisnim; me provokime, me arrogancë prej të forti, me shpërfillje të ligjit e Kushtetutës, me përplasje me opozitën, por që shumë shpejt të gjitha këto do ta çojnë në përplasje me të gjithë shqiptarët.