Në Aktin Normativ Nr. 6, datë 4.10.2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2012 “Për buxhetin e vitit 2013”, Qeveria Rama ka miratuar nivelin e huamarrjes së re vjetore në shumën 240 milionë dollarë, ku mbi 90 milionë dollarë shkojnë për shpenzime operative.
Në nenin 57 të ligjit Nr.9936, datë 26.6.2008 “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet se: “Këshilli i Ministrave është i vetmi autoritet në nivel qendror që ka të drejtën e marrjes së huave për financimin e projekteve të investimeve nga institucionet ndërkombëtare, shtetet ose personat juridikë, në përputhje me dispozitat Kushtetuese dhe me ligjet në fuqi. Ai është i vetmi autoritet që jep garanci shtetërore të huasë.”
Siç mund të shihet, Akti-Normativ i cituar më sipër është në kundërshtim të plote me ligjin organik, i cili rregullon procesin e buxhetimit dhe menaxhimin financiar të vendit, dhe krijon një precedent të rrezikshëm për prishjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit duke marrë borxhe për të paguar pagat e nëpunësve apo kryer shpenzime të tjera për administratën publike.
Gjatë 8 viteve te qeverisjes së Partisë Demokratike borxhi jo vetëm nuk është përdorur për shpenzime rutinore operative, por nga 5.4 miliardë dollarë investime, 4 miliardë janë mbuluar me borxh dhe pjesa tjetër nga të ardhurat.
Për këtë arsye, jam sot këtu si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që t’i kërkojmë Kryetarit të Parlamentit që në bazë të kompetencave që ka, ta kthejë këtë Akt Normativ në qeveri dhe të mos e paraqesë për miratim në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Siç e theksova edhe më sipër ky është një akt i paligjshëm sepse Qeveria e ka mundësinë e marrjes së huave vetëm për investime dhe projekteve të investimeve dhe jo për shpenzime të administratës, siç ka parashikuar me këtë Akt Normativ, ku 90 milionë dollarë parashikohen të përdoren për shpenzimet e administratës. Ky Akt Normativ është antiligjor dhe i kërkojmë Kryetarit të Parlamentit t’ia kthejë qeverisë për ta hartuar në përputhje me ligjin.