Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në konferencën për media mbajtur pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, theksoi se: “Rama i ka ngulur thikën konsensusit. I ka ngulur thikën një vlere që publiku shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare e kërkojnë prej vitesh nga partitë dhe politikanët shqiptarë”. Në komunikimin me median, z. Basha theksoi se konsensusi asnjëherë nuk është parë nga mazhoranca aktuale në funksion të integrimit, në funksion të një klime pozitive, në funksion të politikës si interes publik për qytetarët, në funksion të nevojave të vendit, por në funksion të interesave të çastit, të interesave vetjake, meskine e deri diabolike si kjo e pushtimit të administratës publike.
“Demokratët dhe mbarë opozitarët janë të indinjuar me këtë pabesi. Janë të indinjuar me mesazhin që po përcjell përditë qeverisja e mëngjesit të keq dhe e provokimeve të përditshme të Edi Ramës, i cili po u thotë demokratëve dhe opozitarëve: ne nuk mjaftohemi të qeverisim pa ju! Ne jemi këtu të qeverisim kundër jush”, kujtoi z. Basha.
Ai ritheksoi edhe një herë se zoti Rama dhe zoti Meta duhet ta ngulisin mirë në mendje: “Legjitimiteti nuk mbështetet as në vjedhje votash, as në blerje votash, as në trafik votash. Legjitimiteti është kurdoherë e drejta e popullit Sovran dhe nesër në Kuvend ne do ta mbrojmë këtë të drejtë ashtu siç i takon një opozite dinjitoze dhe demokratike”.
Në vijim fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha:
Rama nuk i dëgjoi thirrjet dhe paralajmërimet tona për të mos e vrarë konsensusin.
Vazhdoi në rrugën e tij, në aventurën e tij të anti-ligjit. Ne nuk kemi asnjë dyshim se kjo është rruga që do ta çojë atë në greminë. Gjithë shqetësimi ynë si opozitë ka qenë dhe mbetet që ky njeri dhe tarafi i tij politik të mos marrë me vete, në humnerën për ku është nisur, aspiratat e shqiptarëve për integrim europian, qoftë edhe përkohësisht arritjet demokratike të vendit në 22 vite.
Rama zgjodhi të fliste me ne me gjuhën e arbitraritetit të skajshëm. Prej këtij momenti, ne do të flasim me qytetarët. Me durim, me qetësi, me fakte, me argumente do t’u tregojmë orë për orë e ditë për ditë qytetarëve të këtij vendi dhe partnerëve tanë europianë e amerikanë gjithashtu bëmat që sapo kanë nisur të kësaj qeverie, bëmat e qeverisë së Zhbërjes, që shihet qartë se ka mashtruar publikun për ti marrë votat me gjoja për Rilindje, por ka ardhur vetëm për të zhbërë, vetëm për të sunduar.
Me durim dhe respekt do ti shpjegojmë sërish sot qytetarëve shqiptarë. Ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë dhe e pareçedentë parmbrëmë.
Rama i ka ngulur thikën konsensusit
I ka ngulur thikën një vlere që publiku shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare e kërkojnë prej vitesh nga partitë dhe politikanët shqiptarë.
Mezi e arritëm.
Erdhi ky dhe e zhbëri.
Nuk e dha konsensusin kur duhet ta jepte, në vjeshtë e vitit 2012 dhe Shqipëria humbi statusin për kapriçion e tij.
E dha pas pilafit, siç thotë populli, në maj të këtij viti, për ti bërë qejfin aleatit të tij të ri, apo për ti hedhur të dy hi syve publikut për vota, në kuadrin e mashtrimeve elektorale gjigandeske, që ne i kemi evidentuar dhe po i bëjmë transparente çdo ditë para qytetarëve.
Por tani, që menduan se e kaluan lumin dhe janë në majë të kalit, duan ta ekzekutojnë.
Shikoni me vëmendje: Asnjëherë nuk e kanë parë konsensusin në funksion të integrimit, në funksion të një klime pozitive, në funksion të politikës si interes publik për qytetarët, në funksion të nevojave të vendit, por në funksion të interesave të çastit, të interesave vetjake, meskine e deri diabolike si kjo e pushtimit të administratës publike.
Kjo që po bëjnë me konsensusin është padyshim një pabesi burracakësh.
Demokratët dhe mbarë opozitarët janë të indinjuar me këtë pabesi. Janë të indinjuar me mesazhin që po përcjell përditë qeverisja e mëngjesit të keq dhe e provokimeve të përditshme të Edi Ramës, i cili po u thotë demokratëve dhe opozitarëve: ne nuk mjaftohemi të qeverisim pa ju! Ne jemi këtu të qeverisim kundër jush.
Ka zgjedhur të provokojë. Ka zgjedhur përplasjen me Kushtetutën dhe Ligjin. Po zgjedh përplasjen me opozitën sot dhe me publikun e gjerë nesër.
Ne i kemi të gjitha potencialet politike, intelektuale dhe njerëzore për të përballuar në çdo moment këtë etje për përplasje dhe këtë revansh të paparë të Edi Ramës dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij.
Ne i kemi të gjithë potencialet për t’i treguar vendit, revanshit dhe antiligjit, këtyre vjetërsirave që po kërkon të riciklojë në Shqipërinë e re zoti Rama.
Demokratët dhe opozitarët janë në këmbë me ne.
Sot duam ti themi zotit Rama dhe zotit Meta diçka që shpresoj ta ngulisin mirë në mendje: Legjitimiteti nuk mbështetet as në vjedhje votash, as në blerje votash, as në trafik votash. Legjitimiteti është kurdoherë e drejta e popullit Sovran dhe nesër në Kuvend ne do ta mbrojmë këtë të drejtë ashtu siç i takon një opozite dinjitoze dhe demokratike.