Deklarata e plotë e deputetit të PD-së z. Sherefedin Shehu:
Raporti i Bashkimit Europian përgënjeshtron panikun që përhap Qeveria për situatën e rëndë ekonomike.
Qytetarët të mos besojnë qeverinë por institucionet ndërkombëtare dhe Bashkimin Europian.
Kryeministri Rama thotë që Shqipëria është në ditën më të vështirë por FMN, në mbledhjen e tij vjetore, dhe raporti i Komisionit Europian konfirmojnë stabilitet dhe mundësi për përmirësim të situatës ekonomike dhe fiskale në vitin e ardhshëm.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave të Italisë, z. Fabrizio Saccomanni, me 12 Tetor, 2013 në Takimin Vjetor të FMN, deklaroi;
• Shqipëria në 2013 pritet të ketë një rritje reale të PBB rreth 2 për qind dhe në 2014 ajo do të përmirësohet.
• Papunësia mbetet stabel në 12.8 për qind dhe është rritur paga reale dhe për ditë pune.
• Inflacioni për 8 muajt e parë të vitit ishte mesatarisht 2.1 përqind.
Katër ditë më vonë, me 16 Tetor, raporti i Progresit i BE konfirmon se:
• Shqipëria ruajti stabilitetin makroekonomik me rritje 3.1% në 2011, 1.6% në 2012, dhe 1.7% ne tremujorin e I-rë 2013.
• Investimet e huaja në gjysmën e parë të 2013 u rritën 12.3% dhe eksportet u rritën me 18.4%.
• Papunësia në 2012 u ul në 13% nga 13.4% në 2011. Punësimi u rrit me 2.8% dhe në gjysmën e parë të 2013, papunësia u ul më tej në 12.8%.
• Inflacioni nga 3.5% në 2011, ra në 2% në 2012, dhe në tremujorin e I-rë dhe të II-të të 2013 ishte përkatësisht 2.5% dhe 2.2%. Ndërsa kursi i këmbimit të lekut ishte i qendrueshëm.
Në vend të forcimit të stabilitetit të trashëguar, Qeveria ka zgjedhur destabilizimin.
• Dje deputetët e Qeverisë miratuan aktin për ndryshimin e buxhetit 2013, i cili nxit destabilizimin fiskal.
• Raporti i BE konfirmon se në 2012, deficiti u ul në 3.4% të PBB nga 3.5% që ishte në 2011, ndërsa qeveria në vend që ta ulë me aktin e djeshëm e rrit atë në 6.3%.
• Raporti i BE thekson se rishikimi i buxhetit në 2012 e kompensoi uljen e të ardhurave me shkurtim të shpenzimeve, ndërsa akti i kësaj qeverie e katërfishon mosrealizimin mujor të të ardhurave dhe e mbulon atë me borxh të dyfishuar. Deri në Gusht u morën borxh rreth 35 miliardë lekë, ndërsa në 4 muajt e mbetur do të merren rreth 37 miliardë lekë
Në vend të forcimit të stabilitetit fiskal, qeveria rrit shpenzimet e veta dhe borxhin ndaj bizneseve.
• Akti i Qeverisë rrit borxhin me 24 miliardë pa ulur asnjë lek shpenzimet për veten dhe rrit buxhetin e Kryeministrit me 600 mijë dollarë.
• Akti i Qeverisë i ul investimet me rreth 100 milionë dollarë dhe nuk shton asnjë lek për faturat e papaguara të investimeve publike
• Qeveria rrit borxhin për të ardhurat që nuk do të mbledhë me qëllimin e fshehtë që të shpërblejë klientët e saj duke mospaguar tatime ose u rikthyer ato të paguara.
Deputetët e qeverisë shkelen standardet fiskale dhe miratuan një akt të paligjshëm. Që nga 2005, është marrë borxh vetëm për investime, ndërsa me aktin e djeshëm rreth 100 milionë dollarë borxh do të shkojnë për pagat e administratës dhe shpërblimin e klientëve të qeverisë. Akti i djeshëm është i paligjshëm, mbasi neni 57 i ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor e lejon qeverinë të marrë borxh vetëm për investime.