Deklarata e plotë e z. Bardh Spahia
Ministri i Shëndetësisë është qytetari më pak i informuar në vend për sektorin që ai mbulon.
Prej disa javësh në krye të Shëndetësisë ai ka pasur kohën e mjaftueshme të mësojë për disa shërbime të rëndësishme të spitaleve.
Kështu, mund të ishte informuar se trajtimi i të gjithë rasteve me kancer në Shqipëri është tashmë falas.
Ligji nr 10383, i datës 24 shkurt 2011, pika e, parashikon përfshirjen në marrjen e shërbimit shëndetësor falas të shumë kategorive, ndër të cilat dhe kategorinë e të sëmurëve me kancer.
Nëse Ministri i Shëndetësisë i kësaj qeverie do ta kishte këtë informacion, atëherë me siguri nuk do të ishte bërë qesharak dy ditë më parë kur premtoi se qeveria e tij do ta ofrojë falas këtë shërbim.
Të premtosh një gjë që është realizuar me kohë, do të thotë të mashtrosh. Mashtrimi publik është i dënueshëm.
Shëndetësia shqiptare ka mjaft sfida, dhe kërkon njerëz seriozë që të përballen me to.
Mashtruesit nuk janë personat e përshtatshëm për të drejtuar shëndetësinë, ata në fakt kanë nevojë të trajtohen seriozisht nga mjekësia.