Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Gent Strazimiri:
Prej disa ditësh, shtypi ka dhënë informacion tejet shqetësues mbi lidhjet e Ministrit të Brendshëm me të ndjerin Elvis Doçi, pronar lojrash fati, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz para pak ditësh në Tiranë.
Ngjarja është mbuluar me mister, por mbi të gjitha, me heshtjen fajtore të vetë Ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.
Meqenëse dje në Komisionin e Sigurisë, zoti Tahiri ka kërkuar në mënyrë të përsëritur “sugjerimet” dhe “bashkëpunimin” tonë, në mënyrë shumë bashkëpunuese po i sugjerojmë të sqarojë opinionin publik për një sërë pyetjesh që qëndrojnë si hije mbi kokën e tij:
– Zoti Tahiri, cila është lidhja që keni me viktimën Elvis Doçi i njohur si pronar lojrash fati ekzekutuar në mënyrë mafioze para pak ditësh në Tiranë?
– A ka lidhje vrasja e tij me operacionin e koduar “Fund Marrëzisë” aq të pompuar nga ju personalisht?
– Zoti Ministër i Brendshëm, a keni komunikuar me viktimën dhe personat që e shoqëronin vetëm pak përpara krimit?
– A jeni i gatshëm të autorizoni Prokurorinë të këqyrë tabulatet e telefonit tuaj?
Ndiqni sugjerimet tona zoti Ministër, bashkëpunoni vullnetarisht me organet hetimore, sepse e vërteta do të dalë dhe bashkëpunimi do t’ju sillte lehtësira!
Neni 48, pika “dh”, i Kodit Penal!