Që nga data 4 tetor, përmes Aktit Normativ, Qeveria i ka lejuar vetes të marrë një borxh të ri prej 240 milionë dollarë. Borxh i cili merret i gjithi kryesisht nga tregu i brendshëm, duke i hequr mundësinë bizneseve të përdorin këtë për rritjen apo zgjerimin e tyre, dhe për punësimin e shqiptarëve.
Zyrtarisht qeveria bëri të ditur se në tre muajt në vijim do të mbledhë rreth 360 milionë dollarë të ardhura më pak.
Paaftësi apo më keq akoma, devijim i të ardhurave nga buxheti i shtetit të cilën duhet ta paguajnë shqiptarët me borxhin e ri. Asnjëherë, në asnjë situatë, institucionet kryesore të mbledhjes të të ardhurave nuk kanë pasur një performancë kaq të dobët, as në 1997, dhe as në 2005. Dua t’ju rikujtoj që në 2005 mbas ndërrimit të qeverive u mblodhën rreth 120 milionë dollarë më shume se sa ishte parashikuar nga qeveria socialiste.
Akti Normativ vërteton në rastin më të mirë paaftësinë e kësaj qeverie, dhe në rastin më të keq synimin e saj për të mbushur xhepat e zbrazur gjatë fushatës së klientëve të saj.
Po për çfarë do të përdoret ky borxh?
Për herë të parë në Shqipëri ne kthehemi 10 vite pas, ku borxhi nuk përdoret më për investime, ashtu siç i takon të jetë, por do të përdoret ekskluzivisht për shpenzime operative.
Borxhi nuk përdoret për të mbështetur pushtetin vendor, të cilit i reduktohen të ardhurat me 6.5 milionë dollarë.
Borxhi nuk përdoret as për rrugë të reja e rritje pagash. Kjo qeveri jo vetëm që e ka deklaruar se nuk do t’i rrisë më pagat, jo vetëm që ka deklaruar se nuk do të kryejë asnjë investim publik por nuk garanton dot as pagat e punonjësve të administratës së për të hapur vende të reja pune as nuk mendohet.
Borxhi nuk përdoret as për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët. Kryesisht të gjitha programet buxhetore që kane lidhje me shërbimet kanë ulje, që nga mbrojtja e mjedisit, bujqësia, peshkimi, arsimi e deri tek tregu i punës dhe trajnimet profesionale.
Po kemi rritje, kemi rritje tek shpenzimet për pritje e përcjellje e për zyra e rregullime te tjera. Kemi rritje që variojnë nga 130 mijë dollarë tek Ministria e Jashtme, në mbi 600 mijë dollarë në Kryeministri dhe deri ne 4.2 milionë dollarë në Ministrinë e Ekonomisë. Ndërkohë që shqiptarëve, hapja e çdo ministrie të re i kushton mesatarisht 300 mijë dollarë për 3 muajt në vijim.
Zoti Rama, nëse vendi është në krizë pse duhet te merrni borxh për 600 mijë dollarë vetëm për shpenzimet e zyrës tuaj?
Zoti Rama, nëse vendi është në krize pse merrni vendime për të shpërblyer ministrat e kabinetit tuaj për çdo mbledhje të KKT me pagën e një punonjësi të thjeshtë? (deri tani janë zhvilluar 3 mbledhje).
Velloja e zezë që tentuat t’i hidhnit sipër ekonomisë nuk mund të mbuloje gjëmën që keni nisur t’i bëni këtij vendi.
Shqipëria që ne lamë në javën e parë të shtatorit është ajo që lexuam në raportin e progresit, një vend me probleme, por që ndryshe nga gjithë rajoni arriti të mbijetojë në periudhë krize pikërisht sepse u stimulua ekonomia. Me këtë Akt Normativ ne po i heqim mundësitë e zhvillimit biznesit, po rrisim borxhin për shqiptaret, për të justifikuar maninë e qeveritarëve të rinj për shpenzime luksi.