Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Gent Strazimiri:
Partia Demokratike denoncon shkarkimet masive në policinë shqiptare, si akt i një ndëshkimi kolektiv.
Ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e rinj të policisë po dështojnë të paraqesin motive apo arsye ligjore për vendimet e tyre.
Dhe kjo për faktin e thjeshtë; Sepse nuk ka!!!
Cili është ekipi që po shkarkohet çdo ditë për “kolaboracionizëm” me ligjin dhe me shtetin, jo me armikun e brendshëm e as atë të jashtëm?
Janë ata “heronj pa fjalë”, të cilët Partia Demokratike dhe Sali Berisha i gjeti në Polici në vitin 2005, u dha besimin dhe mbështetjen e duhur, dhe ata arritën të nxjerrin Shqipërinë nga hartat e trafikut të drogës dhe klandestinëve.
Janë ata që e gjetën Adriatikun, një autostradë skafesh e prostitutash dhe e rikthyen në një det të kthjellët.
Janë ata që Shqipërisë i bënë nder, e për shkak te përkushtimit të tyre sot shqiptarët qarkullojnë pa viza si qytetarë të denjë të një Evrope njerëzish të lirë.
Ju ftoj të kërkoni në Google emrat e tyre, dhe do të gjeni që janë ata që kanë pritur e shoqëruar si të barabartë gjatë këtyre 8 viteve, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Drejtorin e Policisë Kriminale Britanike SOKA, të asaj gjermane BundeskriminalAmt, të policisë Italiane e të Karabinierëve, ata që janë në vijën e parë të luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Teksti i prononcimeve të këtyre personaliteteve është i njëjti, i shkurtër, ezaurues:
“Kemi ardhur vetëm t”ju themi “Faleminderit”!
Cilat janë kriteret i rimarrjes apo promovimit të “ekipit te ri”…?
Janë 2:
“Të ketë mbaruar shkollën e Sigurimit të Shtetit, të ketë sa më shumë bëma kundër opozitës kryesisht në periudhën ’97-‘2005.”
Për efekt barazie në trajtim dhe vlerësim, ju ftoj të kërkoni gjithashtu në Google “emrat e rinj”… do t’i gjeni protagoniste të betejave dhe sulmeve më të egra jo në luftë kundër krimit, por kundër opozitës.
Kush beson se “nën drejtimin e dishepujve të Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut” policia shqiptare bëhet me evropiane, qoftë ky shqiptar apo i huaj, do t’i duhet të pranojë edhe faktin që Gjermania e sotme do të ishte edhe me demokratike dhe e fuqishme nëse drejtimin e pasluftës do ta merrte në dorë përsëri Gestapo!
Partia Demokratike dhe opozita shqiptare, duke shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë efektivat e Policisë së Shtetit, që sot ndodhen nën një sulm të paprecedent anti-ligjor, siguron opinionin publik dhe zullumqarët që kërkojnë të rilindin Kadri Hazbiun dhe Sigurimin e Shtetit, se në asnjë rast, asnjë hap prapa ky vend nuk do të sprapset në rezultatet dhe standardet e arritura me aq mund e djersë, e herë – herë edhe me gjak.
Dhe për këtë garancia jemi ne!!! Ta dinë mirë edhe zullumqarët!