Deklaratë për media e deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi:
Sot z. Rama, doli në konferencë të përbashkët për shtyp me z. Blair për të lançuar për herë të dytë iniciativën për “njësinë e prioriteteve”.
Por, njësia që kërkon të ngrejë z. Rama, ekziston tashmë prej 8 vjetësh. Është strukturë e krijuar me ekspertizën më të mirë botërore, me ekspertizën e profesionistëve të fushës dhe jo të politikanëve.
Është strukturë e cila ka funksionuar me sukses përtej ngjyrave partiake që prej vitit 2004 në qeverisjen e mëparshme socialiste dhe e konsoliduar më tej në Qeverinë Berisha e në bashkëpunim pikërisht me Bankën Botërore. Në qendër është Sistemi i Planifikimit të Integruar i cili bazuar në vizionin e Qeverisë përcakton objektivat dhe prioritetet dhe orienton burimet e brendshme e të huaja kundrejt tyre.
Në këtë strukturë, janë investuar burime të mëdha njerëzore, teknologjike dhe organizative. Përveç buxhetit të shtetit, janë financuar mbi 10 milionë dollarë prej donatorëve të huaj për mbështetjen e këtij sistemi dhe kësaj strukture e cila është konsideruar një sukses nga Banka Boterore por edhe nga Bashkimi Europian dhe donatorë të tjerë.
Keqpërdorimi propogandistik i disa prej funksioneve kyçe të qeverisjes është i dëmshëm. Strukturat planifikuese, menaxhuese dhe zbatuese të financave, buxhetit, ndihmës së huaj, nuk duhet të bëhen pre’ e pasioneve mohuese dhe zhbërëse të sindromës së vitit zero nga e cila vuan zoti Rama.