Deklaratë për media e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Laura Vorpsi:
Revanshi politik i mazhorancës së re, presioni dhe largimi i nëpunësve të shtetit me metodën e vjetër të luftës së klasave, po mbizotëron në çdo zyrë të administratës shtetërore.
E gjithë administrata është nën presion, ankth dhe pasiguri për vendin e punës dhe vazhdimin e karrierës, në respekt të meritës.
Nga sot, Partia Demokratike ka hapur në faqen e saj zyrtare një portal të ri, “Denonco presionin dhe largimin nga administrata”, që do të jetë i aksesuseshëm 24 orë në ditë.
Në këtë portal çdo nëpunës, do të marrë këshillim falas për të gjitha të drejtat e nëpunësve, do të mund të denoncojë çdo rast të presionit politik për t’u dorëhequr nga detyra dhe çdo akt për largimin e padrejtë nga administrata.
Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës, të ndalë presionin mbi administratën, dhe revanshin për spastrimin e saj.
Partia Demokratike fton çdo nëpunës që të denoncojë rastet e presionit apo largimit dhe i garanton ata se do ndërmarrë të gjitha masat për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që përdorin pushtetin për të dhunuar të drejtat e nëpunësve, ushtrojnë presion e ndikim të paligjshëm ndaj tyre dhe abuzojnë me pushtetin për të larguar nga puna stafet profesioniste duke i zëvendësuar me listat e militantëve politikë.