Deklarata për media e zëdhënëses të Partisë Demokratike Laura Vorpsi:
Kryeministri Rama po shënon rekorde të reja në theqafjen e degradimit kulturor.
Me shkarkimin pas krahëve, të Drejtorit të Teatrit të Operës dhe Baletit, maestro Zhani Cikos, Kryeministri i ka vënë kazmën kontributit të palodhshëm të një jete të tërë për operën, muzikën dhe artin.
Zhani Ciko është një shërbëtor i përulur i kulturës tonë kombëtare, dhe është një nder për vendin tonë që ai drejtonte Teatrin e Operës dhe Baletit.
Me një vendim të errët, me prepotencë të pashoqe, Edi Rama largoi nga detyra maestron e famshëm, pa pasur guximin t’i komunikonte atij as dhe dy fjalë. Asnjë falënderim për mundin e dhënë për artin dhe kulturën e vendit.
Zhani Ciko po përgatitej për koncertin e djeshëm të bamirësisë, dhe nuk ishte në dijeni të vendimit që Kryeministri kishte marrë ndërkohë. Ai u lajmërua nga miqtë e tij në telefon, të cilët kishin dëgjuar në media për shkarkimin e tij.
“TURP”, e cilësoi me të drejtë Tenori i Famshëm Saimir Pirgu, dhe i turpshëm është trajtimi që Kryeministri i vendit i ka bërë maestros së palodhur, Zhani Ciko.