Deklarata për shtyp e Koordinatores për Media në Partinë Demokratike Silvi Bardhi:
Deklarata për shtyp e Koordinatores për Media në Partinë Demokratike Silvi Bardhi: Dje, e frikësuar nga mbështetja e fuqishme e qytetarisë korçare për kandidatin e Partisë Demokratike dhe opozitës, zotin Sotiraq Stratobërdha, Partia Socialiste hodhi në lojë aleancën me ish-presidentin Bamir Topi, të cilin e kishte mbajtur rezervë dhe të pashpallur publikisht deri dje. Në shkëmbim, siç njoftohet gjerësisht në mediat e sotme, kryeministri Rama po bën gati thërrimet dhe kockat e mbetura nga gostia e klaneve dhe kioskave socialiste për të shpërblyer shërbimet e paskrupullta. Partia Demokratike shpreh sërish keqardhjen e saj për katandisjen në këtë shkallë të ish – Presidentit të Republikës, i cili u ngjit në postin më të lartë të shtetit me votat e kësaj partie, dhe sot e ka bërë veten të përdoret si patericë lokale e Partisë Socialiste. FRD u krijua si opozitë e qeverisë së Partisë Demokratike, por nuk rezistoi asnjë ditë në opozitë me Partinë Socialiste. Ky është një moment qartësie për çdo zgjedhës që mund të ketë patur ndonjë iluzion apo të jetë mashtruar nga pseudodjathtizmi i saj. Partia Demokratike është e përqëndruar në komunikimin me qytetarët, dhe qytetarët për ne janë të parët, qytetarët e Korçës dhe kudo në Shqipëri. Prandaj ne kemi si kandidat një qytetar të mirë si z.Stratobërdha, i cili me vizionin dhe programin që ka për t’i shërbyer Korçës, e bën dukshëm diferencën me kandidatin e PS. Partia Demokratike i sheh zgjedhjet në Korçë si një mundësi për të sjellë në Bashkinë e Korçës projektin më të mirë për t’u shërbyer qytetarëve, dhe nuk i sheh ato si një rast për të gatuar prapaskena politike, apo për të shpërblyer klane të ndryshme me tortën e pushtetit. Ndërsa Edi Rama e sheh votimin e ditës së diel si një mundësi për të rregulluar punët në Tiranë, Partia Demokratike ka një projekt për qytetarët e Korçës, ka një kandidat qytetar që kërkon dhe është gati t’u shërbejë korçarëve.