Deklarata e plotë e koordinatores së medias, Silvi Bardhi:
Deklarata e plotë e koordinatores së medias, Silvi Bardhi: E morët vesh? Ka zbarkuar e gjithë qeveria në Korçë, me kuç e me maç. Dy ditë do të qëndrojë atje. Pse? Për të mbajtur nën presion zgjedhësit korçarë. Abuzim i paparë. Nuk ka ndodhur kurrë. U ka kallur datën kandidati ynë, Sotiraq Stratobërdha. Është bërë për të qeshur ky kryeministër: E ka bërë qeverinë si ariun e cirkut, e gjezdis nga një qytet në tjetrin për të mbledhur kureshtarë. Zotëria harron se është në Korçë, është në qytet, në një qytet të vjetër, qytet i njerëzve të lirë. Është bërë për t’i qarë hallin ky kryeministër: E përdor qeverinë si dordolec për të trembur zgjedhësit. Zotëria harron se jemi në demokraci, se njerëzit janë të lirë dhe nuk mund të tremben me hijen e rëndë të qeverisë. E dëgjuat fjalimin që mbajti në Korçë dje? Shkoi të shiste për herë të dyte sapunin për djathë, por, një sapun që e ka katandisur sa një thua, ngaqë është shpëlarë me gënjeshtrat e panumërta elektorale. Tha disa herë: – “Fitoren e kemi të sigurt”, dhe nga ana tjetër, shpalli dëshirën e tij të vjetër për ta parë Korçën dhe Shqipërinë njëpartiake, si njëherë e një kohë. Edhe ta kesh fitoren të sigurt, edhe të kërkosh që zgjedhësit të votojnë vetëm për ty, kësaj i thonë të urresh pluralizmin. Ai qoftë, që ka guximin ta fyejë Korçën në këtë shkallë! Partia Demokratike dhe kandidati ynë Sotiraq Stratobërdha, kemi në qendër të vëmendjes qytetarët e Korçës, shqetësimet dhe kërkesat që ata kanë. Partia Demokratike nuk shqetësohet nga demonstrimi i forcës së qeverisë, sepse ne e dimë se Korça dhe qytetarët e saj dinë të çmojnë vlerat, parimet, qytetarinë dhe programin.