Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, e ka konsideruar kontratën e qeverisë me “Crown Agents” të errët, abuzive, të paligjshme dhe të papranueshme. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, zoti Basha theksoi se qeveria do të harxhojë miliona euro të qytetarëve shqiptarë për të paguar një kompani e cila do të mbledhë të ardhurat e fshehura nga vetë qeveria.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, e ka konsideruar kontratën e qeverisë me “Crown Agents” të errët, abuzive, të paligjshme dhe të papranueshme. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, zoti Basha theksoi se qeveria do të harxhojë miliona euro të qytetarëve shqiptarë për të paguar një kompani e cila do të mbledhë të ardhurat e fshehura nga vetë qeveria. “4.5 milionë euro në vit do t’i paguajë qeveria shqiptare kësaj kompanie private kundrejt shërbimeve ende të paqarta në detajimin e tyre. 400 mijë euro do t’i merren arkës së publikut vetëm për të blerë makina luksi për agjencinë në fjalë. ‘Të gjitha këto pagesa dhe favore të tjera do t’i jepen agjencisë për rritjen e të ardhurave doganore’, – thotë qeveria. Bashkë me qytetarin e vëmendshëm kemi të drejtën dhe detyrimin të konstatojmë sot: “Crown Agents” do të paguhet për rritjen e të ardhurave të ulura nga vetë qeveria Rama. Këta pra, në rastin më të mirë, do të mbledhin të ardhurat që vijnë natyrshëm dhe në vazhdimësi nga doganat, por që do të duken të rritura për shkak të uljes së tyre artificiale dhe të paligjshme nga vetë Rama. Ky është shembulli “par excellence” i kapjes së shtetit. Ky është një batakçillëk, në përputhje me stilin e një kryeministri, që kërkon të bëjë sukses me gjetjen e një gjëje që ka fshehur vetë”- deklaroi Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Zoti Basha e ka konsideruar të paligjshme kontratën me “Crown Agents” pasi në mënyrë arbitrare qeveria përjashton nga pagimi i çdo lloj takse kompaninë dhe punonjësit e saj, duke krijuar një pabarazi shumë të madhe me kompanitë e asistencës që operojnë në vend dhe me punonjësit shqiptarë të sistemit tonë doganor. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha denoncoi dhe faktin se qeveria po tenton ta kalojë këtë marrëveshje me procedurë të përshpejtuar duke e kthyer Kuvendin në një zyrë që noterizon arbitraritetin dhe abuzimvizmin e saj. “Qeveria po tenton ta kalojë në Kuvend me procedurë të përshpejtuar, duke dëshmuar sërish se e konsideron aulën e përfaqësuesve të popullit një zyrë të rëndomtë ku shkon dhe noterizon arbitraritetin, abuzivizimin dhe makutërinë e saj. Pse me procedurë të përshpejtuar? Çfarë urgjence ka? Drejtoresha e re e Doganave, sapo na deklaroi se po e tejkalon planin e ulur, apo jo? Kush po i pret me urgjencë këto para që Rama ka vendosur t’ja marrë në mënyrë arbitrare arkës së publikut?”-u shpreh zoti Basha. Zoti Basha ka sjellë sërish në vëmendje paligjshmërinë dhe arbitraritetin që karakterizon vendimmarrjen e qeverisë së re duke nënvizuar se Rama i ka shpallur luftë të hapur shtetit ligjor. “Askush nuk duhet të shpresojë se mund të marrë peng liritë demokratike dhe Shqipërinë demokratike. Askush të mos shpresojë se mund të kalojë e të vazhdojë duke bërë shurdhin e keq ndaj opozitës së vendit, për pyetjet dhe shqetësimet që i kemi shtruar dhe do të vazhdojmë të shtrojmë siç është rasti i vrasjes mafioze e një ish-pronari kazinoje, për të cilën ministri i Brendshëm nuk po përgjigjet, që nuk po përgjigjet. Siç nuk po përgjigjet për emërimet politike në krye të Policisë së Shtetit, nga Drejtori i Përgjithshëm, drejtorit të personelit, drejtorë rajonesh, shefa komisariatesh, etj”- u shpreh zoti Basha. Ndryshe nga angazhimi i opozitës në aktivitetin e saj politik apo takime me partnerë perëndimorë për të kontribuar në përshpejtimin e procesit të integrimit europian, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, shprehu shqetësimin për faktin se qeveria po zëvendëson çdo reformat e domosdoshme për integrimin me politikën e zhbërjes dhe arbitraritetin në vendimmarrje. Integrimi po bëhet një fjalë e huaj për artikulimet e Ramës. Pse? Arsyeja e vetme është se kultura e zhbërjes dhe arbitrariteti i tij janë në papajtueshmëri të plotë me detyrat e integrimit. Dashtë Zoti të mos ketë zgjedhur paligjshmërinë para integrimit”- deklaroi kryetari i Partisë Demokratike. Në vijim fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së: Të nderuar deputetë, Javën e kaluar në mbledhjen e grupit, u thelluam në aktin pa preçedent të uljes drastike nga qeveria të të ardhurave tatimore dhe doganore. Miliona dollarë të humbur me ligj në më pak se tre muaj. Shtruam pyetjen javën e kaluar: “Ku do të shkojnë këto para, që do t’i mungojnë arkës së shtetit”? U zotuam para qytetarëve se kjo pyetje është pa dyshim në buzët dhe gjuhën e çdo qytetari të vëmendshëm se kësaj pyetje, është detyra jonë si opozitë t’i japim përgjigje si një çështje themelore, transparence dhe përgjegjshmërie. Përgjigjen e parë po e japim dhe do të vazhdojmë ta thellojmë, duke ndriçuar të vërtetën e kontratës midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë “Crown Agents”. Kontratë për menaxhimin e doganave shqiptare, e mbushur me elementë të errët, abuziv, të paligjshëm dhe të papranueshëm. 4.5 milionë Euro në vit, do t’i paguajë qeveria shqiptare kësaj kompanie private kundrejt shërbimeve ende të paqarta në detajimin e tyre. 400 mijë Euro do t’i merren arkës së publikut vetëm për të blerë makina luksi për agjensinë në fjalë. “Të gjitha këto pagesa dhe favore të tjera do t’i jepen agjensisë për rritjen e të ardhurave doganore”, – thotë qeveria. Bashkë me qytetarin e vëmendshëm kemi të drejtën dhe detyrimin të konstatojmë sot: “Crown Agents” do të paguhet për rritjen e të ardhurave të ulura nga vetë qeveria Rama. Këta pra, në rastin më të mirë, do të mbledhin të ardhurat që vijnë natyrshëm dhe në vazhdimësi nga doganat, por që do të duken të rritura për shkak të uljes së tyre artificiale dhe të paligjshme nga vetë Rama. Ky është shembulli “par excellence” i kapjes së shtetit. Ky është një batakçillëk, në përputhje me stilin e një kryeministri, që kërkon të bëjë sukses me gjetjen e një gjëje që ka fshehur vetë. Nevoja për këtë marifet të ulët, përputhet edhe me vlerësimin dhe qëndrimin e Bankës Botërore ndaj kompanisë Crown Agents, të cilën e ka përjashtuar për gjashtë muaj nga projektet e saj për praktika mashtrimi. Këtë kompani ka gjetur të kontraktojë z.Rama. Ka gjetur, siç thotë populli – Tenxherja kapakun. Ja ku kemi fokusuar destinacionin e një pjese të parave, që Akti Normativ i qeverisë ia ka hequr arkës së publikut. Por nuk mbaron këtu! Kontrata e qeverisë me “Crown Agents” është e errët, abuzive, e paligjshme, e papranueshme. Është e errët sepse nuk sqarohet statusi dhe përshkrimi i hollësishëm i detyrave që do të kryejë kjo kompani, raporti i saj me administratën doganore shqiptare dhe me projekte të tjera bashkëpunimi dhe asistence që ka në vijimësi dogana shqiptare me partnerët tanë europianë. Sqarohet vetëm një pjesë e asaj çfarë do të përfitojë kjo agjensi, por jo çfarë do të bëjë. Qeveria ende nuk e ka paraqitur në Kuvend shtojcën “C” ku detajohen të tjera çështje, që ajo ka zgjedhur në mënyrë të kundraligjshme t’i mbajë sekret apo ka rezervuar të drejtën t’i ndrys
hojë deri në çastin e fundit në varësi të reagimit publik. Është abuzive kjo kontratë, sepse e para dhe më elementarja, nuk bazohet në asnjë analizë dhe në asnjë studim konkret në lidhje me problematikën e doganave shqiptare, nuk jep përgjigje të qartë pse duhet të bëhet, çfarë problemesh kanë doganat shqiptare që nuk i zgjidhka dot administrata dhe faktori vendas me ndihmën institucionale të Bashkimit Europian tash 23 vjet, por u dashka pajtuar një agjenci private që do të paguhet gati-gati, sa paguhet gjithë personeli shqiptar i doganave. E dyta, pavarësisht problematikës, në vlerësimin e Bashkimit Europian dhe të institucioneve të tjera, doganat janë një nga sektorët më të rregulluar të sistemit tonë, fryt i investimeve disavjeçare në logjistikë, në trajnim, në kulturën e punës. Kjo është arsyeja që Bashkimi Europian disa herë është shprehur jo në favor të ndërhyrjeve të tilla në sistemin doganor shqiptar, duke i cilësuar ato të panevojshme dhe të kushtueshme. E treta, në dritën e ndryshimeve strukturore dhe perspektivës së shërbimit doganor në kuadrin e përafrimit në Bashkimin Europian, ndërhyrje si këto në dogana na kthejnë jo vite, por dekada prapa, në përvoja dhe sisteme afrikane të tejkaluara nga Shqipëria dhe përvoja e saj. Ose ky kryeministër nuk e njeh vendin e tij, ose nuk ka gjetur rrugë tjetër për të sajdisur me paratë e taksapaguesve shqiptarë miqtë e tij të Crown Agents. Kontrata është e paligjshme sepse përjashton në mënyrë arbitrare nga pagimi i çdo lloj takse kompaninë dhe punonjësit e saj, duke krijuar në mënyrë të paprecedentë një pabarazi me kompanitë e asistencës që operojnë në vend dhe me qytetarët shqiptarw apo të huaj që i japin asistencë sistemit tonë doganor. Për të gjitha këto, kjo kontratë është jo vetëm e papranueshme, por edhe e dënueshme nga ne si opozitë dhe nga çdo qytetar i vëmendshëm dhe i përgjegjshëm. Qeveria po tenton ta kalojë në Kuvend me procedurë të përshpejtuar, duke dëshmuar sërish se e konsideron aulën e përfaqësuesve të popullit një zyrë të rëndomtë ku shkon dhe noterizon arbitraritetin, abuzivizimin dhe makutërinë e saj. Pse me procedurë të përshpejtuar? Çfarë urgjence ka? Drejtoresha e re e doganave, sapo na deklaroi që po e tejkalon planin e ulur, apo jo? Kush po i pret me urgjencë këto para, që Rama ka vendosur t’ja marrë në mënyrë arbitrare arkës së publikut? Ne do të intensifikojmë punën tonë, të nderuar deputetë, gjatë kësaj jave dhe në vazhdimësi për t’i shkuar deri në fund kësaj afere të përmasave europiane, abuzivizmit të shumfishtë dhe aferave të tjera të korrupsionit dhe arbitraritetit që po ngre me shpejtësi në sistem kjo qeverisje. Dëshiroj ta përsëris për qytetarët atë që tashmë e themi me zë të lartë në çdo aulë publike dhe para partnerëve tanë perëndimorë: Paligjshmëria dhe arbitrariteti është lufta e zezë që Rama i ka shpallur hapur shtetit ligjor, duke hyrë me arrogancën tipike të paraardhësve të tij ideologjik, në domenet e shenjta të sistemit të drejtësisë dhe duke cënuar, sipas interesit të tij, liritë dhe të drejtat demokratike të fituara nga qytetarët shqiptarë me përpjekje të mëdha, me kushtetutë dhe me ligj. Lufta e zezë e Ramës kundër ligjeve dhe arritjeve demokratike në vend nuk mund të jetë lufta finale, që mesa duket i tingëllon në mendje. Opozita e paralajmëron sërish, që një qeveri që angazhon në punën e saj, paligjshmërinë sistematike dhe metodat e mafias, nuk mund të jetë më qeveri, por një bandë me veshjen e pushtetit. Ndërhyrjet arbitrare, kundër të drejtave themelore, kundër pasurisë dhe pronës së qytetarëve dhe paligjshmëria si sjellje konstante e qeverisë, përligjin vetvetiu dhe në mënyrë të rrezikshme vetëmbrojtjen e qytetarëve, kultivojnë në shkallë të gjerë vetëgjyqësinë, çfarë nuk mund të jetë, e nuk duhet të jetë kurrë qëllimi i një shteti. Askush nuk duhet të shpresojë se mund të marrë peng liritë demokratike dhe Shqipërinë demokratike. Askush të mos shpresojë se mund të kalojë e të vazhdojë duke bërë shurdhin e keq ndaj opozitës së vendit, për pyetjet dhe shqetësimet që i kemi shtruar dhe do të vazhdojmë të shtrojmë siç është rasti i vrasjes mafioze e një ish-pronari kazinoje, për të cilën Ministri i Brendshëm nuk po përgjigjet, që nuk po përgjigjet. Siç nuk po përgjigjet për emërimet politike në krye të Policisë së Shtetit, nga Drejtori i Përgjithshëm, drejtorit të personelit, drejtorë rajonesh, shefa komisarësh, etj. Pyetjet janë shumë, pyetjet po shtohen. Ne nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër nga detyrat dhe detyrimet tona si opozitë. Kemi patur pikëpamje se duhet të ekzistojë një sektor i përbashkët takimi midis nesh si opozitë dhe qeverisë. Ky është Integrimi Evropian. Jemi para një ngjarjeje historike, siç është marrja e Statusit. Duhet të punojmë fort për hapjen e shpejtë të negociatave për anëtarësim. Qytetarët e kanë vënë re, se ne e kemi çështjen e statusit dhe integrimin në qendër të aktivitetit tonë të përditshëm e të përjavshëm, në të gjitha takimet tona me miqtë dhe partnerët perëndimore, e kemi Integrimin, Kryefjalë të bisedave, shqetësimeve dhe lobimit tonë pozitiv edhe si opozitë. Në krahun tjetër, qeveria nuk flet fare ose thotë ndonjë fjalë me arra në gojë për këtë aspiratë të madhe mbarëpopullore. Integrimi po bëhet një fjalë e huaj për artikulimet e Ramës. Pse? Arsyeja e vetme është se kultura e zhbërjes dhe arbitrariteti i tij janë në papajtueshmëri të plotë me detyrat e integrimit. Dashtë Zoti të mos ketë zgjedhur paligjshmërinë para integrimit!