Partia Demokratike e palëkundur në mbrojte të demokracisë, zgjedhjeve të lira, dhe shtetit ligjor.
Partia Demokratike e palëkundur në mbrojte të demokracisë, zgjedhjeve të lira, dhe shtetit ligjor. Kryetari i opozitës, z. Lulzim Basha priti Këshillin për Ballkanin Perëndimor të përbërë nga diplomatët e Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në Bruksel të cilët ndodhen në Shqipëri për një mision faktmbledhës mbi hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit Europian të Shqipërisë. Zoti Basha vlerësoi mbështetjen që Vendet Anëtare dhe Institucionet e BE-se po i japin vendit tonë në këtë projekt madhor dhe u shprehu diplomatëve te BE mirënjohjen më të thellë. Kryetari Basha vlerësoi si një arritje madhore rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë pavarësisht se i vonuar për shkak të bllokimit që Partia Socialiste dhe Rama i bënë këtij procesi për më shumë se dy vjet. Kryetari Basha theksoi se “Partia Demokratike është partia që ndryshoi rrjedhën e historisë së Shqipërisë duke i kthyer sytë e vendit drejt perëndimit dhe komunitetit të vendeve të lira dhe nuk do të reshtë përpjekjen e saj për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE si e ardhmja më e mirë dhe më e sigurt që shqiptarët meritojnë”. Përfaqësuesit e vendeve anëtare te BE vlerësuan progresin e Shqipërisë gjatë tetë viteve të mazhorancës së Partisë Demokratike në përmbushjen e detyrimeve për të merituar rekomandimin e statusit te vendit kandidat. Diplomatët e Vendeve Anëtarë të BE-se e konsideruan tepër te rëndësishëm dhe shume inkurajuese modelin e ri të opozitës se sotme ne mbështetje te procesit të integrimit dhe të gjitha aspekteve të lidhura me të. Duke u ndalur në zhvillimet tronditëse të blerjes së votës nga ana e Partisë Socialiste gjatë zgjedhjeve vendore për Bashkinë Korçë zoti Basha theksoi se blerja e votës është vrasja e votës së lirë të qytetarëve. Partia Demokratike po ndjek të gjithë hapat për ndëshkimin dhe kapërcimin në rrugë ligjore, institucionale të pasojave të rënda të krimit zgjedhor në Korçë, theksoi kryetari I opozitës ne takim, por opozita është e vendosur të ndërmarrë një aksion të gjerë popullor për të ndaluar dënimin me vdekje të zgjedhjeve të lira e të ndershme, nëpërmjet parave të pista të krimit dhe mafias politike në vend. Z. Basha i njohu diplomatet europianë edhe me sulmet e njëpasnjëshme të mazhorancës kundër kushtetutës dhe shtetit ligjor, agresivitetin ndaj opozitës, fushatën e sulmeve ndaj presidentit të Republikës dhe institucioneve të pavarura: KLD, ILDKP, INSTAT, KQZ, AMA etj nga mazhoranca. Kryetari i opozitës u ndal tek emërimet në kundërshtim me ligjin dhe politizimin e kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit duke nisur nga drejtori i përgjithshëm, drejtori i personelit, dhe dhjetëra emërime të tjera të drejtuesve të lartë si dhe pushimet e jashtëligjshme dhe ndëshkimet kolektive si për shembull në drejtorinë e krimit ekonomik, njësinë operacionale të Tiranës, RENEA, FNSH dhe në Ministrinë e Brendshme. Politizimi i shpejtë i Policisë së Shtetit dhe keqpërdorimi i saj në fushata antiligjore po zhbëjnë kredibilitetin dhe legjitimitetin e saj në sytë e mbarë qytetarëve shqiptarë duke hapur një kapitull shumë të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë në vend. Largimet e paligjshme nga puna duhet të ndëshkohen dhe të larguarit në mënyra të paligjshme duhet të rikthehen në detyrë në bazë të ligjit theksoi zoti Basha. Akti normativ për buxhetin, si një akt të paligjshëm, i cili pritet të përkeqësojë treguesit e zhvillimit ekonomik të vendit dhe të cënojë rëndë mirëqenien e çdo shqiptari ishte po ashtu një temë e rëndësishme e takimit. Partia Demokratike do te ngrejë qëndresën e saj të palëkundur me të gjitha mjetet ligjore e institucionale kundër sulmit te hapur qe mazhoranca ka ndërmarrë ndaj demokracisë, zgjedhjeve të lira, dhe shtetit ligjor deklaroi zoti Basha.