Fjala e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së: Të nderuar deputetë, Prej më shumë se një javë qytetarët shqiptarë po përjetojnë një alarm dhe ankth në rritje për lajmet e frikshme që kanë mbushur eterin e vendit tonë dhe botës mbarë për Shqipërinë si dentinacion i asgjësimit të armëve kimike të Sirisë. Shqiptarët, i madh e i vogël, pyesin “ç’po ndodh”, ngrenë zërin e kundërshtimit dhe protestës, kërkojnë të dinë të vërtetën nga kryeministri i qeverisë së tyre që është investuar personalisht dhe me sa shihet vetëm fare në këtë çështje. Që prej ditës së parë të përhapjes të këtij lajmi Partia Demokratike i kërkoi zotit Rama me forcë dhe përgjegjësi të jetë i hapur dhe transparent para qytetarëve, dhe me opozitën. Kryeministri zgjodhi rrugën e tij të preferuar, heshtje arrogante, injorim të papërgjegjshëm ndaj kërkesës sonë të përsëritur, si dhe ndaj zërit të mijëra e mijëra qytetarëve të këtij vendi. Në vijim, si kryetar i Partisë Demokratike dhe opozitës, por edhe si qytetar i këtij vendi, i drejtova thirrje publike, të mos bëjë strucin me publikun dhe me partnerët ndërkombëtarë. Më në fund foli. Shqiptarët e dëgjuan, por nuk u qetësuan aspak. Përkundrazi. U shqetësuan edhe më shumë, po indinjohen edhe më shumë. Kryeministri u foli me gjuhën e mashtrimit dhe gënjeshtrës. Mashtroi popullin e tij duke i thënë “nuk kemi marrë vendim”. Por qytetarët nuk e besuan. Besimi i qytetarëve ka një shqisë të veten, të pagabueshme. Në pozicionin e një kryeministrit arbitrar edhe për çështjen e armëve kimike, Edi Rama është dy herë gënjeshtar: edhe me publikun shqiptar, edhe me ata të cilët i ka iluduar sikur drejton një vend ku nuk ka opinion publik, nuk ka opozitë, por është vetëm ai. E nisi me mashtrime, e vazhdoi me mashtrime dhe shpreson të dalë me mashtrime nga rrethimi i gënjeshtrave të veta. Si jo rrallëherë, në këto vite ka vendosur të mos e dëgjojë zërin e qytetarëve të tij. Por nuk mundet. Nuk do ta lejojmë. Për një javë me radhë injoroi zërin e opozitës. Injoroi zërin e qytetarëve të këtij vendi. Të mbarë popullit. Tani është radha jonë ti bëjmë me dije këtij kryeministri që ka vendosur të sillet me standartin arbitrar dhe arrogant të një satrapi oriental. Partia Demokratike, është e vendosur të ndalojë me çdo çmim papërgjshmërinë tënde ndaj qytetarëve shqiptarë, duke nisur me ata që të kanë besuar votën dhe u ke kthyer bërrylin dhe duke vazhduar me ata që s’të kanë besuar kurrë. Partia Demokratike, do të depozitojë sot në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për mbajtjen e një referendumi popullor për çështjen e armëve kimike. Për këtë çështje kaq jetike duhet dhe do të vendosë populli sovran, duhet të vendosin shqiptarët me të drejtë vote, nga i pari tek i fundit, por përmes tyre edhe më të vegjlit, edhe fëmijët, edhe të posalindurit, edhe të palindurit akoma që kanë përpara një jetë, që do të jenë populli i nesërm dhe i përjetshëm i Shqipërisë, të cilën kemi detyrimin tua lemë më të bukur, më të begatë, me të sigurtë në të gjitha pikëpamjet. Dua të garantoj sot çdo shqiptar, mbështetës apo jo të Partisë Demokratike se për ne zëri juaj, vullneti juaj është gjëja më e shtrenjtë. Se në përmbushje të detyrimeve tona si opozitë jemi të vendosur që bashkë me ju të bëhemi një barrierë e pakapërcyeshme për paligjmërinë, arbitraritetit dhe papërgjegjshmërinë e qeveritare. Zotimi im solemn si kryetar i Partisë Demokratike dhe opozitës është se asgjë, e përsëris, asgjë nuk do të mund të pengojë aplikimin e demokracisë së drejtpërdrejtë të popullit për këtë çështje kaq të ndjeshme si kjo e armëve kimike dhe për çështje te tjera madhore që kanë të bëjnë me sigurinë, mirëqenien, shëndetin publik, dhe dinjitetin e shqiptarëve. Por nuk do të mjaftohemi me kaq. Bashkë me kërkesën për referendum, grupi ynë parlamentar do të depozitojë sot edhe kërkesën për mocion me debat me kryeministrin e pasinqertë, mashtrues e turbullues të opinionit publik, për ta detyruar të japë shpjegime para publikut për këtë aferë të armëve kimike që jo vetëm ua ka bërë gjakun ujë shqiptarëve, por ka ardhur edhe si një investim shumë negativ për imazhin e vendit në tërësi. Të nderuar deputetë,
Duke e konsideruar si të papranueshme marrjen dhe asgjësimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri dhe duke ndërmarrë sot iniciativën për referendum popullor – është rasti të theksojmë se vendi ynë, opozita shqiptare, populli shqiptar janë faktorë të përgjegjshëm, seriozë dhe të përkushtuar për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë. Aleatët tanë e njohin këtë përkushtim. Ne nuk kemi ngurruar dhe nuk do të ngurrojmë asnjëherë të japim kontributin tonë sa herë që nevojitet për një botë më të sigurt, për një botë më në paqe. Por shoqëria e lirë shqiptare nuk mund e nuk do të pranojë kurrë të trajtohet nga kryeministri si një çiflig personal ku arbitrariteti dhe arroganca, papërgjegjshmëria dhe aventurizmi politik të marrin peng dinjitetin, jetën dhe integritetin fizik dhe mendor të çdo shqiptari. Këto ditë treguan e po tregojnë serish, më fort se më parë, se shoqëria e lirë shqiptare është një realitet i gjallë, produkti më i mirë i lirisë dhe demokracisë në vend dhe nuk ka dyshim se demokracia do të behët gjithnjë e më fortë dhe më funksionale falë njerëzve të lirë, të cilët opozita jonë i ka konsideruar dhe i konsideron fibra e Shqipërisë së zhvilluar europiane. Me njerëzit e lirë do të shpëtojmë votën e lirë. Me njerëzit e lirë do të shpëtojmë demokracinë dhe shtetin ligjor. Me njerëzit e lirë do ta shpëtojmë dhe ruajmë Shqipërinë tonë të shtrenjtë.