Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, situata aktuale politike, zgjedhjet në Korçë dhe asgjësimi i armëve nga Siria janë disa nga temat që trajton Kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha, në bisedë me Deutsche Welle.
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, situata aktuale politike, zgjedhjet në Korçë dhe asgjësimi i armëve nga Siria janë disa nga temat që trajton Kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha, në bisedë me Deutsche Welle. DW: Zoti Basha, sa i frutshëm ishte qëndrimi juaj sot në Berlin, ku ishit pjesëmarrës i Konferencës për situatën në Europë të mbajtur nga Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman van Rompuy, me të cilin patët rastin edhe të bisedonit? Kreu i opozitës z.Lulzim Basha: Sot në konferencën vjetore të Presidentit të Bashkimit Europian, van Rompuy, ishte një rast i mirë për të nënvizuar edhe në takimin që unë pata personalisht me të edhe me personalitetet e tjera zyrtare europiane dhe gjermane, si me europarlamentarin Hans Gert Pötering, për të përsëritur qëndrimin e Partisë Demokratike dhe të opozitës në mbështetje të plotë të vendimmarrjes së dhjetorit për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat si një hap, i cili përmbyll një fazë performance të denjë të Shqipërisë. Unë pata rastin të nënvizoj qëndrimin tonë si opozitë e re e vendit për të marrë çdo masë dhe për të mbështetur çdo hap në favor të integrimit europian të vendit dhe ecjes së Shqipërisë me hapa të shpejtë drejt përmbushjes së etapave të ndryshme ku natyrisht më i rëndësishmi është marrja e statusit të vendit kandidat brënda dhjetorit të këtij viti dhe menjëherë pas kësaj përpjekjet për të hapur negociatat për anëtarësim. Nga ana e tij Van Rompuy, fare qartë tha, se vendi i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, është në Bashkimin Europian. Sigurisht, ai nënvizoi se ky proces bazohet mbi meritat dhe performacën e vendeve të cilat aspirojnë të bëhen anëtare në Bashkimin Europian. DW: Atëherë zoti Basha, kur janë hedhur këto hapa pozitivë, kur Shqipëria ka arritur në këtë stad, pse kërkoni t’i mbuloni tani me një hije të zezë duke dalë në protesta ditën e hënë, madje edhe kur në Tiranë do të jetë për vizitë Komisioneri i BE-së për zgjerim, zoti Fyle? Kjo mund t’i kushtojë Shqipërisë. Kreu i opozitës z.Lulzim Basha: Qëndrimi ynë për statusin është fare i qartë, mbështeje e plotë dhe totale, sepse jemi koherentë në mbështetjen, që i kemi dhënë statusit dhe procesit të integrimit europian, kur ishim mazhorancë. Besojmë se dhënia e statusit është e merituar nga Shqipëria dhe shqiptarët. Kjo jo vetëm nuk pengon kauzën e drejtë të opozitës shqiptare në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit ligjor, por e forcon atë, sepse me prozhektorët tashmë akoma më të fuqishëm të një vendi, që e ka statusiin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, opozita shqiptare në bashkëpunim me patnerët europianë mund ta ngrejë zërin më qartë dhe të ketë një përgjigjë edhe më të qartë nga patnerët tanë për çështjet, dilemat dhe sfidat e mëdha, para së cilës po e vendos demokracinë dhe shtetin ligjor kjo mazhorancë. Nisur nga kjo, pyetja duhet drejtuar në fakt Edi Ramës dhe mazhorancës së tij se pse në këto shtatë javë të para të qeverisjes së tij e ka konceptuar dhe zbatuar qeverisjen jo si një fushatë për t’i shërbyer qytetarëve në raport me premtimet, që ai ka bërë para tyre dhe për të merituar statusin e vendit kandidat, por pothuajse si një fushatë kundër statusit, si një kryqëzatë apo fushatë kundër opozitës, kundër institucioneve të pavarura, kundër shtetit ligjor dhe për fat të keq siç dëshmuan me zë dhe me figurë pamjet në TV Top-channel para të gjithë shqiptarëve, pamje tronditëse. Kjo në fakt është hija e zezë, dhe më shumë se hija e zezë është njolla e zezë, të cilën kjo mazhorancë në mënyrë fare të panevojshme dhe të pakuptueshme ka vendosur dhe që jam dakord me ju kjo mund të përbëjë një kërcënim të madh për integrimin europian të shqiptarëve si një fushatë kundër votës së lirë të shqiptarëve, por një kërcënim akoma më të madh të shqiptarëve për çështje ekzistenciale siç janë demokracia, vota e lirë, shteti ligjor. DW: Zoti Basha, a nuk mjafton Parlamenti për të diskutuar dhe zgjidhur të gjitha këto akuza, që keni ndaj mazhorancës? Pse zgjidhni rrugët? Ju vetë, kur ishit në mazhorancë, e keni kritikuar opozitën për veprime të tilla. Kreu i opozitës z.Lulzim Basha: Partia Demokratike, opozita janë të vendosur të ndërmarrin të gjitha hapat ligjorë dhe institucionalë me shpresën që këto hapa do të shërbejnë për të kapërcyer dhe ndëshkuar pasojat e rënda të shitblerjes së votës, që në fakt nuk është asgjë më shumë apo asgjë më pak se sa vrasja e demokracisë në vend. Kjo është në mënyrë alegorike shkatërrimi i votës së fshehtë dhe rikthimi tek praktikat diktatoriale, kur vota nuk kishte më vlerë, apo me vlerën që i vunë në Korçë prej 2 mijë lekësh të vjetra për votë. Pra Shqipërisë i është vënë çmimi i demokracisë. Në qoftë se në vend kemi 1.8 milionë votues, çmimi i demokracisë shqiptare qenka 36 milionë dollarë, sipas mazhorancës. Kjo është e papranueshme, kjo është një katastrofë e vërtetë, të cilën vendi nuk e meriton dhe shqiptarët nuk e meritojnë. Ne jemi të vendosur që të përdorim të gjithë hapësirën institucionale parlamentare ligjore sipas ligjit dhe kushtetutës së vendit, por dhe në përputhje me atë që çdo shqiptar pret dhe ka të drejtën të presë nga opozita. Kësaj rradhe i kemi kërkuar qytetarëve shqiptarë të na bashkangjiten për një çështje, që është shumë e rëndësishme dhe shumë më e madhe se çdo parti politike. DW: Ju thatë se qytetari ka të drejtë të presë nga opozita, aq më shumë në çështje të rëndësishme të vendit. Por jeni ju në gjendje ti përgjigjeni qytetarit si një opozitë e pjekur dhe e fuqishme, sepse Ilir Meta tha në bisedë me DW se opozitës njëherë i duhet kohë të gjejë vetveten. Kreu i opozitës z.Lulzim Basha: Zoti Meta është në konflikt interesi, kur komenton për opozitën, sepse ai tashmë është pjesë e mazhorancës. Megjithatë më lejoni t’ju them se në këto shtatë apo tetë javë të zyrtarizimit të partisë demokratike si opozita e re e vendit besoj se kemi demonstruar përtej fjalëve se jemi të gatshëm, të vendosur dhe tërësisht të përgatitur për t’ju përmbajtur zotimit tonë për një opozitë të fortë, ballore, europiane moderne dhe konstruktive në shërbim të interesave të shqiptarëve. Ne kemi mbajtur qëndrimet tona këtë jave për çështje mjaft të rëndësishme siç janë emërimet e paligjshme në strukturat drejtuese të policisë së shtetit dhe në të tjera organe të rëndësishme të vendit. Ne të premten organizuam një konferencë mbi shqetësimet për politikat qeveritare ekonomike. Pra Partia Demokratike sot po udhëheq një opozitë të plotë dhe me shumë dimensione. DW: Mund ta quajmë ngërç politik mungesën e një dialogu mes dy forcave më të mëdha politike PS dhe PD zoti Basha? Pse ende nuk uleni në një tavolinë për problemet aktuale të vendit? Kreu i opozitës z.Lulzim Basha: Nuk ka asnjë ngërç politik dhe nuk ka absolutisht asnjë ngurrim as nga ana e opozitës e Partisë Demokratike apo nga ana ime personale për të dialoguar për çështje e rëndësishme të vendit. Ka qartësisht nga ana tjetër një vendosmëri për ta trajtuar opozitën jo si një institucion qoftë ky dhe një kundërshtar politik, por si një armik asgjësimi. Referohuni fjalës së kryeministrit në seancën e fundit në parlament, kur tha se jemi 84-85 depu
tetë dhe do bëhemi edhe më shumë. Ky është qëllimi i Edi Ramës, i qeverisë së kësaj mazhorance. Jo të qeverisë për ti përmbushur premtimet ndaj qytetarëve, jo të sigurojë një rrugëtim të mbarë nga momenti kur e mori qeverisjen me nje rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian deri tek marrja e statusit. Më shumë flasim ne si opozitë për integrimin europian se sa qeveria, e cila ka si qëllim që opozitës në parlament tia zvogëlojë numrat. Por kjo është çështje mentaliteti, çështje qëndrimi, ku zoti Rama sheh si prioritet kryesor luftën e opozitës dhe jo shërbimin ndaj qytetarëve. Këtë e tregoi më së miri me aktin normativ për nëpunësin civil, ku shkelmoi konsensusin e arritur me unanimitet në maj. Në këtë mënyrë, përkundrejt paralajmërimeve tona, lutjeve tona, vendosmërisë tonë për ta mbrojtur konsensusin, ndërmori atë veprim më 30 shtator. DW: Por sipas jush cila është zgjidhja e një gjendje të tillë të krijuar mes mazhorancës dhe opozitës? Ju personalisht çfarë do të sugjeronit? Kreu i opozitës z.Lulzim Basha: Opozita ka për detyrë të bëjë transparencën, të përdorë instrumentat parlamentarë, ligjorë kushtetues dhe publikë për të detyruar qeverinë për llogaridhënie demokratike të një qeverie në një vend, ku detyra e saj, nuk është sikurse thotë zotit Rama të udhëheqë, fjalor ky shumë i vjetëruar i tij, fjalor i para 24 vjetësh, por është tju shërbejë qytetarëve brënda ligjit dhe kushtetutës dhe ne këtë detyrë po e bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me përkushtim të plotë. Refleksionet e qeverisë deri tani nuk kanë qenë zemërdhënëse. Në vend që të reflektonte për të gjitha çështjet, që ne kemi ngritur publikisht, mediatikisht, institucionalisht është zhytur më keq me sulmin, që i ka bërë demokracisë në rastin e Korcës ditën e dielë, jashtë çdo konteksti, nevoje apo domosdoshmërie. Ne në asnjë sekond, në asnjë veprim, në asnjë çështje nuk do të ndërmarrim asnjë hap, i cili nuk është 100% në mbështetje të interesit publik të shqiptarëve. DW: Zoti Basha thjesht a ia keni lënë vërtet arkën “bosh” Shqipërisë, siç pretendon qeveria? Kreu i opozitës z.Lulzim Basha: Ky është nje pretendim populist, demagogjik dhe i rrezikshëm për ekonominë shqiptare. Arka e shtetit nuk është kuletë, nuk është një baule, por është një realitet dinamik i marrjes së të ardhurave, vjeljes së të ardhurave dhe i disponimit të tyre, i shpenzimit të tyre në raport me buxhetin e shtetit. Konferenca për ekonominë e tregoi më së miri faktin që ne nuk jemi vetëm opozitë e kundërshtimit, por dhe opozita e alternativës, opozitë e gatshme për të nxjerrë në pah dobësitë e propozimit të palës tjetër. Ne heqim dorë nga retorika negative ndaj ekonomisë shqiptare, heqim dorë nga nxirja e realitetit për interesa përfitimi politik, aq më shumë që fushata ka mbaruar, por opozita është e gatshme për të kontribuar në rrugën pozitive përpara, që ka të bëjë me mirëqënien e qytetarëve, me tavolinat e familjeve shqiptare. Pra është një opozitë e re, një opozitë alternative, një opozitë konstruktive. DW: Temë aktuale zoti Basha në Tiranë janë dhe armët kimik, që diskutohet në media se do të asgjësohen në Shqipëri? Ju çfarë qëndrimi keni? Kreu i opozitës z.Lulzim Basha: Gjithçka që kjo qeveri ka bërë në këto shtatë javë, opozita shqiptare është tërësisht e painformuar për gjithçka që është diskutuar midis Shqipërisë dhe aleatëve për këtë çështje, madje informacionet opozita shqiptare edhe sot e kësaj dite nuk i ka nga kanalet zyrtare, siç duhet të jetë qoftë edhe konfidenciale për çështje të sigurisë kombëtare, por i ka nga organet e huaja të shtypit. Prandaj ne presim nga qeveria shqiptare që pikë së pari ta trajtojë këtë çështje me seriozitet, me transparencë dhe me një sens përgjegjshmërie para qytetarëve shqiptarë pse jo dhe para opozitës shqiptare. Kjo do të thotë që për çdo propozim, që ka marrë apo që mund të marrë, të jetë e hapur, transparente dhe bashkëpunuese me opozitën dhe me publikun në tërësi, të jetë një proces, ku të diskutohet pa asnjë ngurim anët pro dhe anët kundra, çfarëdo lloj vendimmarrje për këtë çështje dhe sigurisht të jetë koherente. DW: Ju sot qëndruat në Berlin, por sa afër Tiranës është kryeqyteti i Gjermanisë, zoti Basha? Kreu i opozitës z.Lulzim Basha: Mendoj se afërsia ka filluar të ndodhë në disa plane, më së fundi në një plan simbolik, ku një pjesëz e të kaluarës dramatike të Berlinit, që në fakt simbolizon dhe mishëron të kaluarën dramatike të miliona europianëve dhe miliona shqiptarëve përtej perdes së hekurt, është pjesëza e murit të Berlinit që sot është vendosur në një instalim modern brënda ish territorit të bllokut në Tiranë. Ndërkohë jam i bindur se hapësirat dhe potencialet e bashkëpunimit jo thjesht midis Tiranës dhe Berlinit si kryeqytete, por në veçanti mes Shqipërisë dhe Gjermanisë janë shumë të mëdha dhe unë jam i vendosur edhe si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, edhe si kryetar i opozitës që të bëjmë gjithçka që këto potenciale t‘i kthejmë në bashkëpunim sa më të frutshëm duke e konsideruar Gjermaninë jo thjesht një vend të rëndësishëm të Bashkimit Europian, por një vend kyç, patner të vërtetë, jo të sforcuar strategjik të Shqipërisë. Intervistoi: Mimoza Cika-Kelmendi Redaktoi: Angjelina Verbica