Prononcimi për media e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha pas takimit me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu:
Prononcimi për media e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha pas takimit me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu: “Tema për të cilën diskutova me Ambasadorin Arvizu është edhe shqetësimi numër një i qytetarëve shqiptarë, sot dhe qytetarëve shqiptarë nesër, dhe kjo është sulmi i paprecedentë ndaj votës së lirë në Korçë, cënimi i themeleve të demokracisë. E njoha me këtë shqetësim që vjen pas shqetësimeve të ngritura në raport me shkeljet ndaj Kushtetutës, shkelmimin e shtetit ligjor dhe sjelljen antiligjore të maxhorancës në të gjitha drejtimet veçanërisht ndaj institucioneve të pavarura, emërimeve të paligjshme kryesisht në Policinë e Shtetit, dhe në strukturat e tjera të shtetit. E njoha edhe me kursin ligjor dhe institucional që opozita ka nisur dhe po vazhdon si dhe me vendosmërinë tonë për të mos u dorëzuar dhe për të mos dorëzuar kauzën e demokracisë, shtetit ligjor, askujt që synon t’i zhbëjë këto arritje të patjetërsueshme të çdo shqiptari. Këto ishte tema e diskutimit dhe me këtë rast e informova ambasadorin me qëndrimin tonë si opozitë si dhe për hapat që kemi ndërmarrë dhe për ato që do të ndërmarrim”. Ndëra, Ambasadori Amerikan Aleksandër Arvizu, ka theksuar se themeli i çdo demokracie është të ketë respekt për shtetin ligjor. Arvizu bëri të ditur se shqetësimet e opozitës do t’i diskutojë edhe me Washingtonin. “I dëgjova me vëmendje shqetësimet e kryetarit sepse ne besojmë se themeli i çdo demokracie është të ketë respekt për shtetin ligjor dhe në këtë frymë i dëgjova me shumë kujdes detajet e shqetësimeve që u shprehën. Natyrisht, kjo do të raportohet në Washington, do ta diskutojmë atje me kolegët e mi, por dhe me qeverinë këtu” – theksoi ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu.