Fjala e deputetit të Partisë Demokratike, Keltis Kruja në Parlament:
Fjala e deputetit të Partisë Demokratike, Keltis Kruja në Parlament: I nderuar z kryetar Të nderuar kolegë deputetë, Sot normalisht, duhet të ishim këtu për të diskutuar për çështje të cilat një Parlament normal në çdo demokraci normale, duhet të diskutonte. Por sot, të gjithë ne, pavarësisht përkatësisë politike, pavarësisht ideve apo qasjeve të ndryshme që kemi për çështje dhe politika të veçanta, na bashkon diçka. Jemi në emergjencë të thellë ligjore. Në çdo qelizë, në çdo aksion, në çdo detaj, kjo qeveri dhe ligji janë dy drejtëza paralele që nuk priten kurrë. Në fakt askush nuk priste që kjo qeveri të ishte garant i respektimit të ligjit për vete përbërjen dhe për vetë orientimin që ka Kryeministri për ligjin. Por sigurisht, se ata që e votuan, prisnin pa diskutim, që të paktën të respektonte ligjin, si e vetmja mënyrë që e bën një qeveri legjitime. Por jo! Asnjë lidhje me ligjin nuk ka kjo qeveri, asnjë lidhje me ligjin nuk kanë agjensitë ligjzbatuese që po krijon kjo qeveri. Them që po krijon, sepse në sfilatat mediatike të Kryeministrit e ministrave, flitet që shteti na qenka krijesë e këtij Kryeministrit të sotëm e në këtë cep të rruzullit, nuk na paska ekzistuar kurrë. Ky Kryeministër po sillet sikur ka dalë nga një revolucion që ka ndryshuar sisteme e jo sikur ka dalë nga një palë zgjedhje krejt të lira brenda një sistemi thellësisht demokratik dhe si pasojë e të cilit ka patur thjesht një rotacion normal pushteti dhe vetëm kaq. Rotacion pushteti ama, por jo rotacion shteti. Do doja të ndalesha pak tek paligjshmëria në organizatën që ka për mision, pikërisht garantimin për zbatimin e ligjeve në Republikën e Shqipërisë, Policinë e Shtetit. Sot kjo polici drejtohet nga një drejtor i paligjshëm i emëruar nga zyrat e partisë, me një procesverbal zgjedhjesh ku ka firmosur si numërues i Partisë Socialiste, që e tund si CV. A është e depolitizuar policia sot ??? Mund të jetë përtej të majtës e së djathtës, por është plotësisht, fund e krye e Edi Ramës. Është shkelur ligji në çdo nen të kritereve që përcaktohen për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të policisë. Kurrë nuk ka ndodhur që një Kryeministër, ta shkelmoje ligjin në të tillë mënyrë e të ketë kurajon edhe të tallet me të. Në atë bllokun e përçartjes që na e serviri si program, na paraqiste parimin “Një shtet, një polici”. E pra sot, kemi të bëjmë me një polici shtet, apo më keq akoma, me një shtet policor. Çdo emërim, çdo veprim, çdo aksion i Policisë së Shtetit, nuk ka asgjë të përbashkët me ligjin por vetëm me celularin e Edi Ramës. Oficerët e policisë, po trajtohen sikur të ishin oficerë tradhtarë që kanë shitur interesat e vendit, kur në fakt, janë po ata oficerë që kanë garantuar sigurinë dhe paqen në këtë vend, kanë garantuar me vendosmëri e sakrificë jetën e çdo qytetari shqiptar, madje edhe të vetë Edi Ramës. Tradhti më të madhe se kjo që i bën Kryeministri dhe qeveria këtyre shërbëtorëve të shtetit e qytetarëve nuk mund të ketë. Me një maskë hipokrizie të pashembullt, Kryeministri shfaqet gati i përlotur me familjet e policëve të rënë në krye të detyrës, e në të njëjtën kohë, me një telefon përjashton nga policia kolegët e tyre, bashkëluftëtarët e tyre që vetëm fati dhe jo devotshmëria ndaj detyrës i ndau nga ta. I garanton mbështetje me fjalë familjeve të të vdekurve, ndërkohë që me vepra, godet pabesisht e paligjshmërisht familjet e të gjallëve. Betohet e stërbetohet për luftë ndaj krimit e kriminelëve, ndërkohë që deri sot. ashtu si edhe dje në opozitë, po lufton vetëm kundër policëve e shtetit ligjor. Bërtet e çirret për luftë pa kompromis kundër korrupsionit, ndërkohë që maska nuk ia fsheh dot nënqeshjen e ulët të kënaqësisë e talljes, madje edhe me familjarët e shokut të tij të armëve, Shpëtim Gjikës. Gëzuar Hallowin-in, z. Kryeministër. Ti nuk ke nevojë për maskë!