Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike Arben Ristani.
Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike Arben Ristani. Pesha e anti-ligjit është e rëndë. Dorëheqja e djeshme e një funksionari të lartë të ekipit të ri të kësaj qeverie, është një dëshmi se sado të shkosh në drejtim të kundërt me ligjin dhe me normat, rruga nuk do të jetë e gjatë. Pas qëndrimit të palëkundur të Partisë Demokratike për respektimin e ligjit dhe të standardeve profesionale në emërimin e zyrtarëve të lartë, erdhi rezultati i parë. Ne i bëmë një shërbim qytetarëve dhe institucionit të Drejtorisë së Burgjeve. Partia Demokratike kërkon që shembullin e zyrtarit të dorëhequr ta ndjekin edhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, të emëruar në kundërshtim me ligjin. Ftojmë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së shtetit, të reflektojë për antiligjmërinë e caktimit të tij në këtë detyrë të lartë. Ai nuk është një profesionist i pavarur si kërkon ligji Për Policinë e Shtetit, por një njeri politik i shpërblyer për shërbimet politike ndaj Partisë Socialiste Ftojmë të reflektojnë dy zëvendësdejtorët e përgjithshëm të policisë dhe të gjithë të tjerët që janë emëruar në kundërshtim me ligjin sepse, Pesha e anti ligjit është e rëndë dhe nuk do ta mbajnë dot gjatë mbi supe. Drejtori i SHKB-së, Arben Skëndo, si financues i Partisë Socialiste, por edhe si numërues i parë i saj në tavolinën ngjitur me Artan Didin, nuk është një profesionist i pavarur politikisht, prandaj i kërkojmë të tërhiqet nga posti publik, pasi e ka vendin në radhët e partisë për të cilën kontribuon. Partia Demokratike është e vendosur të mos e lejojë rrëshqitjen e shtetit demokratik në shtet policor, prandaj kërkon edhe një herë nga këta drejtues të lartë të policisë, të reflektojnë si kolegu i tyre dhe t’i shërbejnë ligjit me dorëheqjen e tyre, sepse duke i shërbyer ligjit, do t’i shërbejnë vendit.