Fjala e plotë e ish të përndjekurit politik, Reshat Kripa:
Përshëndetje, unë jam Reshat Kripa. Kam nderin të flas në emër të shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, të asaj shoqate që përfaqëson mbi 6000 të pushkatuarit me osa pa gjyq, mbi 20.000 të burgosurit politikë, mbi 30.000 familjet e internuara dhe dëbuara, që përmbledhin mbi 400.000 të përndjekurit politikë në të gjithë vendin nga regjimi komunist. Për gati gjysmë shekulli ndiem mbi shpatullat tona shtypjen e diktaturës më të egër që ka njohur bota, diktaturën enveriste. Për gati gjysmë shekulli provuam humbjen e njerëzve tanë më të dashur, mohimin e të gjitha të drejtave tona. Por nuk ia arritën qëllimit. Ne mbijetuam, se ishim të pavdkshme parimet për të cilat luftuam. Ne mbijetuam sepse luftuam për një Shqipëri ku të mbretërojë liria e fjalës dhe e mendimit, për një Shqipëri të lirë, demokratike, të ndërtuar mbi baza moderne, për një Shqipëri ku nuk do të ketë vend për antipatriotët, spekulantët, dallkaukët, servilët dhe gjithë ata që pengojnë zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë së re. Por rrugën tonë vazhdojnë ta pengojnë hijet e së kaluarës. Shembullin më të keq ato e shfaqën në zgjedhjet e 23 qershorit te kaluar, por në një mënyrë më të hapur në zgjedhje për pushtetin lokal në Bashkinë e Korçës. Manipulimi I zgjedhjeve të fundit tregoi pariparueshmërinë e social-komunistëve shqiptarë. Me veprimin e tyre ata I mohuan të drejtën e votës së lirë qytetarëve. Vota e lirë është boshti I demokracisë. Por, a duhet të pajtohemi ne me shkeljen e së drejtës për një votë të lirë? Në asnjë mënyrë! Ne duhet ta kundërshtojmë këtë manipulim me forcën e arsyetimit tonë, me forcën e logjikës tonë, me forcën e mendimit të lirë. Historia jonë ka treguar se këtë forcë nuk mund ta ndalojë asgjë. Shqipëria po thërret bijtë e saj. Është detyra e Partisë Demokratike dhe e aleatëve të saj, është detyra e shoqërisë civile dhe mbarë popullit shqiptarë ti përgjigjen kësaj thirrje. T’i themi ndal manipulimit të paskrupullt të votës së lirë. Kjo është detyra e çdo shqiptari që e quan veten patriot. Gati një shekull më parë filozofi i shquar, Fridrih Niçe shkruante: “Unë ju mësoj që ti thoni “PO” çdo gjëje që ju jep forcë, që grumbullon forcë, që justifikon ndjenjën e forcës! Unë ju mësoj që t’i thoni “JO” gjithçkaje që ju bën të dobët, që ju ezauron!” Ndaj unë ju bëj thirrje që t’i themi “Jo”, blerjes së votës së lirë dhe t’i themi “Po” lirisë së mendimit dhe shprehjes, lirisë së votës së lirë.