Deklarata për media e koordinatores për media në Partinë Demokratike Silvi Bardhi:
Shteti shqiptar ka rënë dje dy herë në harkun e një ore, teksa qeveria shtrohet në gosti nëpër resorte luksoze të Tiranës.
7 persona të dënuar me burgim të përjetshëm arrijnë të dalin të armatosur nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Kjo është rënia e parë e shtetit.
Rreth një orë më vonë, të arratisurit arrijnë të çajnë me forcë një postbllok të policisë të ngritur në Pogradec enkas për ndalimin e tyre. Dhe ky është rrëzimi i dytë i shtetit.
Ndërkohë, qeveria përhap panik duke i thënë qytetarëve të bëjnë kujdes se personat janë të rrezikshëm dhe të armatosur.
Partia Demokratike është e shqetësuar nga kjo ngjarje e rëndë dhe ne konstatojmë se për fat të keq shteti ka pushuar së ekzistuari në dy raste dje, dhe pikërisht për funksionet më të rëndësishme për të cilat shteti ekziston, për sigurinë dhe rendit publik.
Kjo situatë e rënduar e pasigurisë dhe e vërshimit të krimit e dobësimit të shtetit në çdo drejtim vjen si rezultat i mënyrës së qeverisjes.
Filozofia e dyshes Rama-Meta është allishverishi, ndarja e tortës së përfitimeve, dhe kjo ka bërë zëvendësimin e profesionistëve në polici e kudo, me militantë të paaftë por besnikë të partisë dhe të shefave të tyre.
Për këtë qeveri, përfitimi dhe ndarja e tortës së pushtetit është shqetësimi kryesor, dhe kjo ka sjellë pasoja të dukshme në rritjen e kriminalitetit në vend, në rritjen e pasigurisë për qytetarët.
Rënia e institucioneve të zbatimit të ligjit, të policisë, të burgjeve, lidhet kryesisht me keqqeverisjen dhe me faktin se emërimet në detyrat dhe në postet kyçe janë bërë sipas llogarive financiare dhe elektorale.
Kjo është situata ideale për krimin, dhe situata më e keqe për qytetarët. Kjo është një qeveri ideale për krimin, dhe qeveria më e keqe për qytetarët dhe shtetin.