Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Eduard Halimi:
Ngjarja e djeshme është ngjarja më e rëndë, kur nga burgu i sigurisë së lartë, i ndërtuar nga Bashkimi Europian, janë larguar jo 1 por 7 të dënuar me burgim të përjetshëm. Rendi dhe siguria kanë rënë poshtë, çdo ditë.
2 muaj më parë më 23 shtator 2013, ish-drejtuesit e policisë së shtetit kanë dorëzuar një raport të detajuar informimi mbi planet e këtij grupi për t’u arratisur, Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço. Pak ditë më vonë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, ka paraqitur planin e masave që duheshin marrë për ta parandaluar arratisjen e këtyre të burgosurve me burgim të përjetshëm.
Asnjë masë nuk u mor, asnjë ligj nuk u respektua, por ministrat nuk kryen minimalisht detyrën e tyre, policia bashkë me të heshti, nuk vepruan! Konkluzioni i qarte. Armë të futura në një burg të sigurisë së lartë, arratisje spektakolare e 7 të burgosurve.
Ky raport i ish-drejtuesve të policisë dhe plani i masave për të parandaluar, nuk është marrë në konsideratë, dhe është flakur ashtu siç janë flakur dhe të gjithë oficerët profesionistë të policisë së shtetit.
Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Drejtësisë u përpoqën sot të fshehin përgjegjësinë e qeverisë dhe të tyren personale për arratisjen e djeshme të 7 personave nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë, me metodën e vjetër të lëshimit të akuzave të pabaza për paraardhësit.
Kjo metodë nuk i shpëton ata dhe qeverinë e tyre nga përgjegjësia që kanë për ngjarjen më të rëndë të ndodhur në gjithë këto vite në burgjet shqiptare, një ngjarje që buron nga sistemi që kanë ndërtuar këto 3 muaj, me emërime të dyshimta, me caktimet mbi bazën e interesave financiare dhe elektorale të njerëzve të paaftë në postet kyçe.
Sepse dyshja Rama-Meta janë lëshuar të babëzitur në ndarjen e tortës së pushtetit duke dëmtuar rëndë profesionalizmin në institucionet e zbatimit të ligjit, dhe duke i hapur rrugë lulëzimit të krimit, me shkarkimet masive dhe kolektive të profesionistëve dhe me zëvendësimin e tyre me militantë përmes një sistemi të pastër korruptiv. Kjo është atmosfera e burgjeve dhe e policisë, ndaj personat më të rrezikshëm të shoqërisë arrijnë të arratisen.
Nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë më parë që të futen armë në qelitë tona nga jashtë. Sipas të gjithë burimeve të informacionit, armët janë futur nga jashtë dhe kanë rënë në duart e këtyre personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Armët kanë kaluar nën hundën e policisë dhe drejtuesve të burgjeve me një rrugë të pastër ryshfeti. Të futen armë në një burg të sigurisë së lartë, të ndërtuar me fonde të Bashkimit Europian, ky është fundi i shtetit.
Grupi i arratisur dje, ka tentuar ta bëjë të njëjtën gjë edhe në vitin 2012. Mirëpo falë punës profesionale të institucioneve të policisë dhe të inteligjencës, këta të dënuar nuk ia dolën dot të iknin nga burgu.
Megjithatë, u morën masat ndaj përgjegjësve që nuk kishin treguar vigjilencën e duhur për të kapur në kohë këtë tentativë. Ne 8 vitet e fundit janë ndërtuar me fonde te qeverise dhe BE, 11 burgje te reja, përfshi dhe burgun e Korçës, me standardet më të larta të sigurisë, siç tregohet në progres raportet e 4 viteve të fundit të Bashkimit Europian.
Ne dorëzuam një sistem burgjesh, më të sigurtin në rajon. Nga këto 11 burgje, për 8 vjet nuk pati ASNJË arratisje. Një sistem burgjesh që i bën qytetarët ta bëjnë gjumin të qetë.
Qytetarët europiane dhe ata shqiptarë, kanë paguar më shumë se 50 milionë Euro në 8 vjet për të ngritur sistemin e sigurt të burgjeve për jetën e tyre dhe familjeve të tyre.
Kështu funksiononte sistemi i mëparshëm i burgjeve dhe i policisë.
Jam krenar, thotë Ministri i Brendshëm. Për çfarë je krenar zoti Ministër, që qelitë e burgjeve furnizohen me armë? Që duke neglizhuar informacionet e oficerëve të policisë, vutë në rrezik jetën e qytetarëve shqiptarë dhe sigurinë publike? Jeni krenar që 7 të dënuar kryesisht me burgim të përjetshëm, arrijnë të dalin lehtësisht nga burgu i sigurisë së lartë.
Për çfarë je krenar?
Që vure policinë e shtetit në një sprovë të panevojshme, thjesht për shkak të dështimit kapilar të sistemit të ri korruptiv që ju keni ngritur.
Për çfarë je krenar, se 3 të arratisur janë ende të lirë?
Drejtuesit e sotëm të burgjeve dhe të policisë janë të gjithë të emëruarit e rinj në këto poste nga kjo qeveri, dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët.
Dështimin e tyre, ministrat Tahiri dhe Naço nuk mund t’ia faturojnë askujt tjetër, përveç pazareve që kjo qeveri bën në administrimin e në menaxhimin e institucioneve.