Zoti kryetar i seancës,
Në fakt është jo e dhimbshme ajo që ka ndodhur dje, jo ulëritëse, por është tmerruese dhe unë nuk e kuptoj se çfarë nevoje keni për t’ju rikthyer retorikës së vitit /97 se kush i hapi depot, kush i mori armët, apo se çfarë ndodhi më pas.
E kuptoj që doni ta ktheni vëmendjen e publikut për të gjetur një shkaktar për ato fenomene që po ndodhin sot për situatën e krimit në vend që nuk ka ndodhur ndonjëherë deri më sot.
Unë dhe asnjë nga kolegët nuk thotë që ajo çka ndodhi dje është sepse Ministri tahiri kishte gjetur një njeri, apo polici i asaj zone kishte shkuar dhe krijuar një situatë në të cilën vëmendja ose pavëmendja e tyre, kryen krimin.
Ky do të ishte abuzim me politikën dhe atë çka ne themi. Por ajo çka themi ne sot zotërinj, është që nuk ka ndodhur kurrë që në klasë në orën e mësimit të vritet me armë një fëmijë dhe kjo ndodh sepse vëmendja nuk është tek siguria e jetës së qytetarëve dhe kjo ndodh sepse, ai drejtori i shkollës, ai drejtori i arsimit të rrethit e ka hallin a do të jetë në punë, iku nga puna apo nuk do të jetë në punë mësuesi, shkëputet e gjithë vëmendja.
Kjo ndodh sepse operacionet e policisë drejtohen në vend tjetër, kur sot primare si për ministrin e rendit, për secilin nga ne këtu në Parlament është, të kërkojmë sigurinë e jetës së çdo qytetari në këtë vend.
Ky është diskutimi, të cilin duhet ta bënim ne të gjithë sot, por në rast se fillon një proces i tërë shkarkimesh, lëvizjesh, heqjesh nga puna kur të gjithë njerëzit ndjehen të pasigurt seç do të ndodhë me fatin e tyre, sigurisht që vëmendja, duke qenë se janë qenie njerëzore nuk është më procesi i përditshëm i punës së tyre.
Për t’jua konkretizuar, kjo ishte arsyeja për të cilën kisha kërkuar fjalën sot. Po ju them se çfarë ndodh sot në këtë proces të shkarkimeve të cilat vetëm emrin nuk e kanë në operacionin fshesa në administratën publike.
Sepse, realisht ajo që po ndodh është operacioni fshesa në administratë dhe jo vetëm. Çfarë prisni ju kur të gjithë drejtorët arsimorë në rrethe, mësuesit dhe drejtorët e shkollave si ajo që ndodhi dje në Tiranë, po largohen njëri pas tjetrit në bazë të një procesi të cilën e keni quajtur një proces të konkurseve të hapura dhe në këto konkurse të hapura tuajat, po jua them: Sot kanë filluar punë dhe janë emëruar për arsye të veçanta, për mësues shumë të mirë, për njohuri shumë të mira në mësimdhënie dhe në arsim, Drejtori i Arsimit të Fierit, mësues i cili ka qenë dhe ka drejtuar fushatën e ministrit, i cili mban marrëdhëniet me Parlamentin, Drejtori i DAR-it në Korçë numërues i PS-së në zgjedhjet e 23 qershorit edhe ky i dalë nga një proces konkursi ku zgjidhet më i miri sigurisht, gjithmonë, një militant i kësaj mazhorance.
Kryetari i Partisë Socialiste në Berat, Drejtor i Drejtorisë Arsimore në Berat, nënkryetari i Bashkisë Rrëshen për Partinë Socialiste mësues gjuhë-letërsie drejtor i DAR në Lezhë.
Ish-kryetarja e Lidhjes së Gruas për LSI-në, që ka kaluar në PS, pra ka ndërruar parti, mësues gjuhë-letërsie, drejtorëshë e DAR në Vlorë.
Ajo që ka udhëhequr fushatën e PS-së në Gjirokastër, drejtoreshë e DAR në Gjirokastër.
Kryetarja e PS-së në Gramsh, drejtoreshë e DAR në Gramsh.
Dhe kështu me rradhë, të gjithë, të gjithë, të gjithë…
Pra, është bërë një konkurs i hapur, transparent për zgjedhjen e më të mirit dhe çuditërisht ky më i miri paska qenë ose militant, ose drejtues, ose nënkryetar Bashkie, ose çfarëdo lloj gjëje tjetër, por duhet të jetë pazgjidhshmërisht i lidhur me Partinë Socialiste.
Çështja e shkarkimeve në Administratën Publike:
Në datën 1 nëntor i pata dërguar një letër Ministres për Administratën Publike për t’u përgjigjur për ristrukturimet dhe shkarkimet në administratën publike.
Pasi nuk më erdhi përgjigja për 2 javë siç e parashikonte Ligji i statusit të deputetit dhe rregullorja e Kuvendit mora një xhevap, se për përgjigje nuk ishte, kur thuhej se përgjigja do të vinte nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
Në një ripërsëritje të kërkesës nga data 1 nëntor, sot jemi në datën 5 dhjetor drejtuar përsëri zonjës ministre ku i them se keni detyrimin për të raportuar sepse funksioni kontrollues i Parlamentit dhe rregullorja e tij ju detyron të raportoni në Parlament për masat e mara dhe sot në mëngjes më mbërrin më në fund më datën 5 dhjetor, po nga zonja ministre, pavarësisht se kishte thënë, përgjigjen do ta merrni nga Sekretari i Përgjithshëm një mandat për ristrukturimet në administratë.