Deklarata për media e koordinatores së shtypit, Silvi Bardhi:
Gjykata e Tiranës ka hedhur sot poshtë si të paligjshëm një vendim të Kryeministrit Edi Rama për lirimin nga detyra të Drejtoreshës së Statistikave, zonjës Ines Nurja.
Gjykata e Tiranës urdhëron kthimin e menjëhershëm në detyrë të drejtoreshës së statistikave.
Vendimi i sotëm i Gjykatës është një triumf i drejtësisë kundër arbitraritetit të Kryeministrit.
Edi Rama shkeli ligjin me shkarkimin që i bëri drejtoreshës së këtij instituti dhe Partia Demokratike e denoncoi rastin.
Kryeministri në kundërshtim me ligjin dhe me procedurën urdhëroi lirimin e Nurjes nga detyra dhe zëvendësimin e saj me një tjetër në një përpjekje për të futur nën kontroll institucionin e të vërtetave, një muaj më parë.
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Tiranës është një shenjë e mirë dhe shpresëdhënëse kundër revanshit dhe fushatës së spastrimit antiligjor që Kryeministri po bën në dëm të administratës prej më shumë se dy muajsh.
Partia Demokratike inkurajon gjykatat të vazhdojnë pa u trembur në misionin e tyre për të bërë drejtësi dhe për të mos lejuar qeverinë e vendit të shkelë ligjit, të drejtat e qytetarëve dhe dinjitetin e tyre human.