Vrasja e sotme e 15 vjeçarit në ambientet e shkollës së mesme të Shkozetit, ka tronditur të gjithë shqiptarët.
Partia Demokratike gjendet afër familjes së viktimës dhe dhimbjes se saj në këtë ditë tragjike dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
E gjithë shoqëria shqiptare gjendet sot përballë krimit i cili ka marrë kurajo nga rënia e shtetit dhe kthimi i Policisë së Shtetit në polici partiake dhe të paaftë në kryerjen e detyrave të saj.
Kur burgjet e sigurisë së lartë nuk janë më të sigurta sepse kriminelet dalin si nga një shtëpi pushimi.
Kur rrugët nuk janë më të sigurta dhe aksidentet marrin përditë jetë njerëzish.
Kur banesat e njerëzve, bizneset dhe makinat e tyre nuk janë më të sigurta sepse tritoli po bën kërdinë.
Tashmë edhe shkollat nuk janë më të sigurta sepse nxënësit vriten me kallashnikov në mes të shkollës.
Nuk mund të ndodhë ndryshe kur Qeveria dhe Kryeministri Rama janë të përqendruar te interesat e tyre dhe Policinë e Shtetit duan me çdo kusht ta shndërrojnë në mekanizëm partiak për ta përdorur jo në interes të rendit dhe sigurisë për popullin.
Nuk mund të prodhojë rend dhe siguri, në rastin konkret në Durrës, një polici e cila drejtohet nga një drejtor qarku i cili është shpërblyer për kontributin e tij partiak si komisioner i Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit dhe nuk ka gradën që kërkon ligji për pozicionin qe mban.
Partia Demokratike është e vendosur të qëndrojë bashkë me popullin dhe t’i kërkojë qeverisë të bëjë detyrën e saj për të mirën e çdo qytetari.
Partia Demokratike gjendet e gjitha sot pranë familjes së djaloshit që humbi jetën nga krimi barbar dhe është tërësisht e angazhuar të japë kontributin e saj për të rinxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e krimit.