Deklarata e plotë e deputetes së PD Majlinda Bregu:
Parlamenti Europian me një votim historik i tha po rezolutës që mbështet Shqipërinë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Parlamenti Europian me këtë rezolutë ka njohur përpjekjet e kombit shqiptar, të shoqërisë sonë, të politikës dhe veçanërisht të qeverisjes së 8 viteve të fundit, për arritjen e rezultateve të kërkuara në rrugën jo të lehtë të integrimit europian, duke plotësuar detyrimet e kërkuara nga Komisioni Europian për marrjen e statusit europian në drejtim të 12 prioriteteve në reformimin e administratës publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Në rezolutën e miratuar vlerësohet standardi i lartë i zgjedhjeve të fundit dhe tranzicioni i butë politik i realizuar nga Partia Demokratike.
Po ashtu, theksohet roli i rëndësishëm që ka dhe duhet të ketë opozita në rrugën e mëtejshme të integrimit evropian të vendit.
Partia Demokratike e konsideron këtë akt të Parlamentit Europian një gur kilometrik në aspiratën tonë kombëtare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane.
Partia Demokratike falenderon Komisionin Europian për nxitjen që i ka dhënë integrimit të vendit dhe punën e madhe të bërë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare, sidomos në 8 vitet e qeverisjes së PD.
Partia Demokratike falenderon europarlamentarët e të gjithë kaheve politike, për impulsin dhe energjinë që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.
Rezoluta e Parlamentit europian është një inkurajim për vendin tonë që të ecë më shumë në rrugën e integrimit, dhe është një lajm i mirë për stabilitetin dhe progresin në rajon.
Kjo rezolutë është edhe një detyrim i ri për të gjithë ne, veçanërisht për qeverinë shqiptare, që të rrisë përgjegjshmërinë dhe efikasitetin në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe që kërkohen për negociatat, në përputhje edhe me Rezolutën e miratuar unanimisht nga Kuvendi i Shqipërisë.
Është një rastësi e bukur që kjo rezolutë miratohet pikërisht sot, me 12 dhjetor, ditëlindjen e Partisë Demokratike, që është në fakt partia e integrimit evropian të Shqipërisë.