Qindra mesazhe ngushëllimi, letra dhe telegrame për ndarjen e parakohshme nga jeta të një prej figurave kryesore të Partisë Demokratike, z.Sokol Olldashi, kanë mbërritur në adresën e Kryetarit të PD, Lulzim Basha. Ambasadorë të huaj të akredituar në Tiranë, përfaqësues të organizatave, të komuniteteve fetare e qytetarë të thjeshtë kanë shprehur dhimbjen e tyre dhe solidaritetin për ikjen tragjike nga jeta të deputetit të Partisë Demokratike.
Kanë ardhur letra dhe mesazhe ngushëllimi nga ambasadori i Francës në Tiranë, ambasadori i Kuvajtit, ambasadori i Greqisë, ambasadori i Libisë, ambasada e Kosovës, ambasadori i Spanjës, ambasadori i Britanisë së Madhe, ambasadori palestinez, shoqata Vatra, Kryetari i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Partia për Veprim Demokratik në Preshevë, Kryetari i komunës së Gjakovës, Agjensia e Lajmeve Rugova Press, Arqipeshkvi metropolit Tiranë-Durrës, monsinjor Rrok Mirdita, konsuj nderi e personalietete të tjerë të nderuar brenda dhe jashtë vendit.
Ndërkohë, shumë qytetarë të Tiranës dhe të Shqipërisë vazhdojnë të vizitojnë selinë e PD për të shprehur ngushëllimet dhe për të lënë shënim në librin e kujtimit për z.Olldashi.
Partia Demokratike dhe Kryetari i saj Lulzim Basha janë të prekur nga solidariteti i shfaqur në mënyrë masive nga qytetarët dhe përfaqësuesit e vendeve mike dhe të organizatave të ndryshme, për humbjen e parakohshme të një prej figurave më të njohura të Partisë Demokratike, deputetit Sokol Olldashi, dhe falenderojnë të gjithë ata që u gjenden afër në këto momente të vështira.