Kryetari i Partisë Demokratike thekson vendosmërinë për të mos lejuar shkeljen e ligjit e Kushtetutës dhe rrezikimin e demokracisë nga Rama-Meta, dhe keqqeverisjen që po sjell varfëri.

 

Të  nderuar deputetë,

Për Partinë Demokratike, për grupin tonë parlamentar dhe aleatët tanë, për mbarë opozitën dhe opozitarizmin në Shqipëri, dita e sotme nuk është vetëm fillimi i një jave të zakonshme politike parlamentare, siç e kemi bërë zakon këto muaj, po më shumë, shumë më shumë se kaq. 

Kjo e hënë shënon fillimin e një periudhe të re, në një stad të ri akoma më të fuqishëm të  aksionit tonë politik përballë qeverisë më  gënjeshtare, më arrogante, më konfliktuale dhe më  të papërgjegjshme të njëzet e tre viteve të fundit.

Në fushën e betejës,  bashkë me ne si opozita politike parlamentare e vendit, ka zbritur Shqipëria në protestë, kanë zbritur të gjitha kategoritë  e mashtruara me premtime fallso nga Rama dhe Meta.

Të gjitha kategoritë e goditura deri në bukën e gojës nga qeverisja e tyre propagandistike, e pashpirt dhe e pandjeshme ndaj klithjes për mbijetesë të mijëra e mijëra qytetarëve që kanë humbur, po humbasin dhe pritet të humbasin vendin e punës apo biznesin e tyre si burimin e mbijetesës në këtë vend.

Të gjithë  njerëzit e lirë, pavarësisht ngjyrave dhe rreshtimeve politike,  po shohin të rrezikohen nga Rama, ligji, Kushtetuta, liritë dhe të drejtat, paqja sociale, statusi i vendit kandidat në BE, vetë Demokracia.

E pamë të gjithë e me siguri e panë edhe Rama-Meta ditën e enjte, në marshimin madhështor dhe paqësor të protestës në bulevardin “Dëshmorët e kombit”, të thirrur dhe të drejtuar prej nesh.

Marshimi i protestës vendosi dhe afirmoi një forcë të re të përballjes me qeverinë e votave të blera dhe mandateve të trafikuara.  

Ky është një lajm i mirë për çdo shqiptar.

Kjo është një ngjarje shpresëdhënëse, madje do të thosha shpëtimtare për demokracinë e rrezikuar, ndonëse beteja vazhdon dhe fuqia dhe intensiteti i protestave të tjera do të varen drejtpërsëdrejti nga situata e keqqeverisjes.

Nga ana jonë si Parti Demokratike dhe si opozitë,  duke falenderuar edhe njëherë nga zemra të  gjithë protestuesit që erdhën në shesh dhe të gjithë ata që  nuk morën pjesë  fizikisht për arsye të ndryshme, por ishin dhe janë shpirtërisht përballë qeverisë,  duam t’i sigurojmë  se do të  jemi në lartësinë e modestisë, vendosmërisë dhe përgjegjësisë që dikton vërshimi i tyre në protesta.

Me pjesëmarrjen e tyre masive në protestë, qytetarët treguan se nuk është koha për t’i qarë hallin qeverisë, por është koha për të qarë hallet e shtuara me shpejtësi të gjithë shqiptarëve këto gjashtë muaj të qeverisë Rama-Meta.

Kjo qeveri, vërtetë po mbush gjashtë muaj, por nuk është ngritur e nuk do të ngrihej askush pse qeveria nuk po bën mirë, siç ka premtuar. 

Janë ngritur e po ngrihen njerëzit sepse po e bën shumë më keq; 

Janë ngritur e po ngrihen njerëzit kundër qeverisë  së përkeqësimit të gjithanshëm, kundër mungesës së shpresës dhe rrugëdaljes nga tuneli, kundër errësirës së plotë në tunelin ku e ka futur vendin qeverisja Rama-Meta.

Ekonomia, siç kemi parashikuar, argumentuar dhe denoncuar në vijimësi në  takimet tona dhe në bashkëbisedimet me qytetarët dhe sipërmarrjen, vazhdon me shpejtësi rrokullisjen drejt mekjes dhe recesionit. Trendi dhe tendencat janë jashtëzakonisht negative dhe reflektojnë frymën e terrorit, revanshit dhe abuzivizmit të qeverisë në raport me ekonominë dhe biznesin. Kanë rënë të ardhurat, ka rënë në zero kreditimi i biznesit,  janë në rënie të lirë investimet e huaja. Te vetmet “rritje” janë borxhi dhe papunësia galopante.

Rriten taksat dhe akzicat përtej çdo logjike ekonomike, duke bërë që Shqipëria të jetë vendi me taksat me të larta në rajon, sipas publikimeve të fundit të Bankës Botërore.

Cili është rezultati?  Sa për ilustrim, të ardhurat për muajin janar 2014 janë me rreth 1,8 për qind më të ulëta në krahasim me janarin e një viti me parë, kur ishin në fuqi taksat dhe akcizat e vjetra, më të ulëta se këto.

Rrisin taksat në një anë, por sjellin më pak të ardhura në arkën e shtetit në anën tjetër.

Rrisin me dorë të rëndë borxhin, por as borxhe nuk shlyejnë, që do të ishte gjysma e së keqes, as detyrimet e rimbursimit të TVSH-së për biznesin nuk plotësojnë. 

Nxjerrin zëdhënësit për të reklamuar realizimin e planit të ulur, ndërkohë që gropa e mosrealizimeve dhe e vështirësive financiare të buxhetit vjen vetëm duke u rritur ditë për ditë.

Është e qartë se në këto kundërthënie flagrante; taksa më të larta, të ardhura më të ulëta, borxh më të madh, performarcë dhe rritje zero; jemi në kushtet e një anomalie në kufijtë e krimit ekonomik, ku përveç efekteve negative të parashikuara prej nesh të  paketës fiskale, shihet se është instaluar një informalitet dhe abuzivizëm i nivelit të lartë me monopole, me kontrabandë dhe korrupsionin evident. 

Pjesë e këtij skenari të pashpirt dhe të papërgjegjshëm është edhe vendimi i Edi Ramës për t’ju hequr bukën e gojës mbi 21 mijë familjeve të shoferëve të shërbimit taksi 8+1 dhe mohimin e këtij shërbimi ndaj qindra mijëra shqiptarëve që e kanë të vetmin mjet transporti të përditshëm.

E njëjta gjë po ndodh në fushën e rendit ku nën fanfarat propagandistike të qeverisë, vrasjet dhe pasiguria vetëm rriten, trafiku i drogës nën përkujdesjen e të emëruarve të rinj të erës Rama-Tahiri në Policinë e Shtetit, ka kapur nivelin e maunes.

Dje denoncuam një tjetër rast skandaloz në vazhdën e denoncimeve tona konkrete për individë konkretë, me lidhje konkrete në kupolën e lartë të qeverisë “Rama”, që janë  punësuar në Policinë e Shtetit për të siguruar rrugët e drogës, duke bërë që vetë qeveria të rrezikojë të damkoset me damkën ndërkombëtare; qeveri e drogës.

E patë reagimin mjeran të qeverisë.

Ne me fakte, ata me demagogji. 

Gjendja është shumë e rëndë. Prandaj po ngrihen shqiptarët.

“Shqipëria në protestë” nuk është  një shpikje e opozitës. “Shqipëria në protestë” është  Shqipëria sot, është gjendja e Shqipërisë sot,  është gjendja e shqiptarëve sot. Nuk është një kundërvënie e zakonshme e opozitarizmit në një anë dhe e qeverisë në anën tjetër, por është më shumë se kaq.

Është një përballje vendimtare që bashkon mbrojtjen e demokracisë me mbrojtjen e bukës së gojës nga mijëra dhe
për mijëra e mijëra njerëz.

“Shqipëria në protestë” foli qartë të enjten për qeverinë.

Edhe qeveria foli e po flet me “Shqipërinë në protestë”.

Foli me stilin e saj provokues, me politiken e saj të konfliktit dhe përplasjes, me shkarkimin e paligjshëm, antikushtetues dhe anti-institucional të kreut të ILDKP.

Foli dhe po flet me mosbotimin kriminal në fletoren zyrtare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Aktit Normativ për nëpunësin civil,  me qëllim që të votojë projektligjin e saj famëkeq, antikushtetues gjithashtu, për shkatërrimin me themel dhe pushtimin politik e partiak të administratës publike. 

Foli dhe po flet me një marsh të ri të arrogancës, shpërfilljes dhe sulmeve frontale kundër ligjit,  Kushtetutës dhe institucioneve.

Foli dhe po flet me një  valë të re këto ditë të reprezaljes në gjithë piramidën e administratës publike, duke mos kursyer as specialistë dhe specialiste me një karrierë dyzetvjeçare në prag të pensionit, që po marrin njoftimet e largimit nga puna vetëm se nuk figurojnë në listat e sekserëve zgjedhore me zarfa të qeverisë.

I kemi njoftuar shqiptarët në protestën e të enjtes dhe do të vazhdojmë të përsërisim, në respekt të ëndrrës tonë të  madhe europiane, se me kursin e pandalshëm të përplasjes me qytetarët, me ligjin, me institucionet e pavarura dhe me opozitën, qeveria Rama-Meta jo vetëm nuk jep asnjë shpresë se vendi do të përparojë në rrugën e integrimit evropian por në verbëri të plotë politike, po investohet ta shkatërrojë plotësisht këtë rrugë.

Në këto kushte, bëhet e domosdoshme që populli sovran të marrë në  dorë fatin e tij.

Dhe do ta marrë.

Gabohen rëndë ata që mendojnë se populli është sovran vetëm në letër, se me dinjitetin e tij mund të luhet. 

Protesta e të enjtes e ka caktuar fatin e saj. Ajo nuk do të ndalet.

“Shqipëria në protestë” është puna jonë si opozitë, puna e gjithë njerëzve të lirë të këtij vendi.

Me ngjarjet e fundit në  Kuvend, ku ligji dhe Kushtetuta u ekzekutuan përsëri me urdhrin politik të Ramës dhe Metës, ne do të rishikojmë marrëdhëniet tona me Kuvendin, në funksion të misionit tonë për mbrojtjen e ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë. Ne nuk do të pranojmë  t’i japim legjitimitet Parlamentit të  një shumice që ka zgjedhur të bëhet gijotina e ligjit dhe Kushtetutës.

Kjo, të nderuar deputetë, le të jetë java e intensifikimit të kontakteve të secilit prej jush me zgjedhësit tanë, me qytetarët anembanë vendit për të informuar mbi rrezikun vdekjeprurës për shtetin, demokracinë dhe liritë, të  veprimeve të fundit të shumicës Rama-Meta dhe për të marrë mendimet e tyre në funksion të vendimeve tona.

Me njerëzit e lirë për lirinë dhe demokracinë.

Faleminderit.