Deputeti Noka denoncon skandalin e emërimit në polici të trafikantit të drogës, i njohur për raportet me Ministrin e Brendshëm në fushatën zgjedhore.

 

Çdo ditë dalin fakte të reja të përfshirjes së personave të dyshimtë dhe me lidhje kriminale, në Policinë e Shtetit.

I ndaluari i djeshëm nga Policia e Gjirokastrës me një ton marijuanë, me destinacion Italinë, është një punonjës i Policisë së Shtetit, i emëruar nga rilindja, me precedent penal, dhe njeri i afërt i Ministrit të Brendshëm.

I ndaluari i djeshëm, banor i kombinatit njihet për raportet e ngushta që ka me Tahirin, veçanërisht në fushatën e fundit elektorale, ku shërbente edhe si shoqërues i Ministrit të Brendshëm.

Duke përgëzuar forcat e Policisë së Gjirokastrës për aksionin e djeshëm, PD denoncon edhe një herë rilindjen në policinë e shtetit të personave të lidhur me krimin dhe me trafikun e drogës.

Sasia e frikshme e drogës e kapur dje, dhe mënyra e maskimit të njeriut të afërt të z.Tahiri, tregon qartë se me Rilindjen në vendin tonë, linjat e trafikut të drogës të lidhura direkt me ministrin janë vendosur, dhe se ky mekanizëm, vërteton edhe një herë shqetësimin e autoriteteve italiane dhe greke për sasinë e marramendëse të drogës që po mbërrin nga Shqipëria në shtetet fqinje.

Ne i kërkojmë Ministrit të Brendshëm t’i tregojë publikut marrëdhëniet që ka me Ardian Serezin dhe kur është takuar për herë të fundit me të.

Ne i kërkojmë Ministrit të Brendshëm, t’i tregojë qytetarëve, se kush janë kriteret që janë ndjekur për punësimin në Policinë e Shtetit, të trafikantit të drogës, një prej çunave të tij në Kombinat.