Kryetari i Partisë Demokratike merr pjesë në tryezën e Forumit të Tiranës për Lirinë Ekonomike. “Përkeqësimi i indikatorëve të ekonomisë, rendit, sigurisë po shoqërohet me një rritje të frymës së protestës nga kategori të ndryshme shoqërore që nuk kanë dhe nuk ndjekin asnjë axhendë politike, por axhendën e tyre personale, familjare, dhe mbrojnë interesat e tyre si grupe interesi”.
Falenderoj pjesëmarrësit në këtë seminar dhe mundësinë që më jepni për të dëgjuar pikë së pari, për të përfituar nga diskutimet tuaja por dhe për të dhënë një kontribut modest dhe për të dalë nga ky seminar me sugjerime të vlefshme për aktualitetin dhe realitetin, për sfidat praktike që ndeshemi dhe po ndeshemi gjithmonë e më shumë. Përsa i përket fushës së lirisë dhe shtetit, në krah të emrit tim në axhendë shkruhet tema “Kërcënimi i ekonomisë, largimi nga politikat liberale në Shqipëri”. Mendoj se tema është e tejkaluar.
Kërcënimi nuk është më thjeshtë kërcënim por është akt. Po e nis me shembullin më të fundit me atë të grevës së shoferëve të taksive 8 + 1 e cila mbërtheu dje qendrën e Tiranës dhe bllokoi akset kryesore të vendit. Bëhet fjalë për qindra, për mijëra sipërmarrës së vegjël të vetëpunësuar të cilët në mënyrë të beftë dhe të paparalajmëruar u ndaluan nga qeveria të bëjnë atë që kanë bërë prej më shumë se 15 apo 20 vitesh në përputhje me mundësitë dhe nevojën e tregut, ofrimin e transportit për shumicën dërmuese të përdoruesve e klientëve në territorin e Shqipërisë. Ka natyrisht një tendencë të përditshme për ta kthyer edhe këtë grevë në një lojë fajësimi apo shfajësimi, dua ta them fare qartë se as unë dhe as Partia Demokratike dhe as opozita nuk jemi kundër reformave rregullatore. Por reformat rregullatore nuk mund të bien nga qielli, nuk mund të ekzekutohen në mënyrë teorike, nuk mund të prezantohen si të ishin fermane në kohën e Portës së Lartë por duhet të marrin parasysh realitete dinamike. E në veçanti kur këto reforma pretendojnë të ndërhyjnë në liritë ekonomike dhe në realitete te tregut të konsoliduara siç është rasti në fjalë.
Këtu dua të bëj një kontrast fare të qartë midis asaj çfarë ne besojmë dhe asaj që po shohim në terren. Nuk besoj se ndonjë qeveri liberale do të kishte guximin të vepronte në një mënyrë të tillë në raport me afro 21 mijë operatorë në tregun e lirë, me qindra mijëra klientë përfitues, në raport me dhjetëra mijëra nëpunës të shërbimit civil, të cilët sot janë larguar nga puna pa asnjë motiv në shumicën dërmuese të rasteve në kundërshtim me ligjin dhe të gjitha këto kanë ndodhur me një lehtësi nga qeveria socialiste të paimagjinueshme në kushtet e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë së një shteti funksional e normal.
Kjo është dhe arsyeja pse shohim këtë frymë revolte, këtë frymë të përkeqësimit të indikatorëve të përgjithshëm të ekonomisë, së rendit, të sigurisë e cila shoqërohet dhe po shoqërohet gjithmonë e më shumë me një rritje të frymës së protestës nga kategori të ndryshme shoqërore, shumica dërmuese e të cilëve nuk kanë dhe nuk ndjekin asnjë axhendë politike por ndjekin axhendën e tyre personale, familjare dhe mbrojnë interesat e tyre si grupe interesi.
Mbrojnë, siç u faktua dje në Tiranë, bukën e gojës.
Pra kjo frymë proteste duhet lexuar për atë që është. Nuk mund dhe duhet të ketë asnjë alibi se këtu paska një faktor politizimi të tejskajshëm apo se opozita po fërkon duart që shqiptarët po hidhen në protestë. Është e kundërta. Shqiptarët po hidhen në protestë për shkak të një goditje të intensifikuar të themeleve të ekonomisë, të tregut, të lirive, të sigurisë juridike, të shtetit ligjor.
Dua të them që kjo situatë që mund ta quaj ngricë, në realitetin ekonomik u paralajmëruar që në programin e ashtuquajtur të rilindjes së kundërshtarëve tanë të majtë tashmë në pushtet, ku nuk pamë asnjë koncept të avancimit të politikave stabilizuese dhe zhvilluese të vendit, por pamë një kolazh, një amalgamë politikash të vjetra etatiste dhe zgjidhjesh të tipit të shtetit të dorës fortë, së shtetit zgjidhës të çdo problemi, si garantuesi i zgjidhjes së çdo problemi.
Pra që në nisje një mentalitet i tillë, një përqasje e tillë, një konceptim i tillë i rolit të shtetit na bëri të shqetësohemi dhe të shohim me preokupim të madh rrugët, mënyrat, metodat me të cilat qeveria e ardhur në pushtet mbas zgjedhjeve të 23 qershorit do ti përvishej sfidave dhe punëve të mëdha që e prisnin.
U përkeqësua edhe më tej kjo në mënyrën e veprimit. Zonja Kolm tha se shoqëritë e lira janë ato të cilat po ecin me ritmet më të larta të zhvillimit, shoqëritë e lira të shtetit ligjor dhe të lirisë. Më bëri përshtypje se ndërkohë që dëgjuam një mbështetesë të thekur e të njohur të liberalizmit prapë se prapë renditjen e bëri shteti ligjor dhe liria. Mund ta rendisim edhe ndryshe, liria dhe shteti ligjor.
Përtej konceptimit të gabuar të kësaj qeverie kemi të bëjmë edhe me një përdorim të gabuar, abuziv, të pushteteve të mëdha që kjo qeveri i ka njohur vetes me anti reformën që ka lançuar në çdo fushë, siç është realiteti i paketës fiskale ku qeveria me një të rënë të lapsit pa asnjë konsultim dhe brenda një kohe të shkurtër rriti në mënyrë të ndjeshme taksa anembanë spektrit të tyre dhe nga ana tjetër veprimtarisë së kësaj qeverie në terren.
Shohim jo vetëm një tendencë për të gjetur zgjidhje nga sipër me urdhër e komandë siç është në rrafshin e financave, të cilat nuk po funksionojnë dhe ne e dinim që nuk do të funksiononin dhe nuk kanë funksionuar në asnjë realitet tjetër dhe nuk kanë për të funksionuar as në Shqipëri. I paralajmëruam dhe sot po shohim nga vetë shifrat e tyre që nuk besoj se do ti kontestojnë sepse edhe INSTAT-in e vunë nën kontroll politik, vunë të besuarit e tyre dhe janë të besuarit e tyre që po thonë si shembull që të ardhurat e janarit janë 1.8% më pak se të ardhurat e janarit të 2013 me taksa shumëfish më të larta.
Apo të dhëna të tjera të cilat tregojnë se kemi një përkeqësim të qartë përsa i përket indikatorëve kryesorë të ekonomisë që kanë të bëjnë me eksportin, me importin, kanë të bëjnë me prodhimtarinë në tërësi.
Apo kemi drejtpërdrejtë përgjigjen e anketimit të entiteteve të tjera të njohura të pavarura siç është Konfindustria e cila në përgjigje të anketimeve të bizneseve pas implementimit të taksave të reja, 72 % e biznesit të madh dhe 75 % e biznesit të vogël shprehet se paketa fiskale do të rrisë kostot, do të ulë konkurueshmërinë e prodhimeve vendase ndërkohë që 22 % e biznesit të madh sheh mundësinë për tu zhvendosur jashtë Shqipërisë.
Është data 1 mars dhe akoma nuk kemi mbushur tremujorin e parë të taksës së re. Ky është realiteti që ka shkaktuar tek biznesi. Ky është realiteti që ka shkaktuar tek përkeqësimi i konkurueshmërisë, i prodhimtarisë së ekonomisë shqiptare. Dhe për më keq, nuk është se ka sjellë një realitet të përmirësuar për financat e shtetit. Ka sjellë një realitet të përkeqësuar për financat e shtetit në raport me taksën e sheshtë, në raport me taksat e ulura, përkeqësimi i cili pritet të thellohet në muajt në vijim.
Ta krahasojmë këtë me situatën e taksës së sheshtë e cila u vendos me një kohë kur një nga problemet e Shqipërisë ishte ekonomia informale. Informaliteti në ekonomi ishte the
mbra e Akilit apo nyja gordiane e cila influenconte të gjithë parametrat e tjerë të qeverisjes, së ekonomisë, së shoqërisë.
Ne ia dolëm me taksën e sheshtë, pra ulëm informalitetin dhe kjo jo se është një konstatim akademik por sepse të ardhurat e shtetit u rritën në mënyrë progresive me prezantimin e taksës së sheshtë. Nga ana tjetër, investimet vendase dhe të huaja u rritën si rezultat i taksës së sheshtë dhe politikave liberale ekonomike që qeveria demokratike ndoqi në 8 vite 2005-2013. Shifrat e pakontestueshme të të raportuara nga Banka Botërore, nga institucione ndërkombëtare tregojnë se pavarësisht krizës ekonomike nga 2007 në 2012 në Shqipëri u regjistruan 28 mijë ndërmarrje të reja, 25 % më shumë.
Një tjetër e dhënë për investimet e huaja direkte sipas treguesve të Bankës Botërore nga 652 milionë dollarë në 2007, arritën në 1.3 miliardë dollarë në vitin 2009 që ishte kulmi i krizës ndërkombëtare. Pra një politikë liberale, një taksë e sheshtë është më shumë se kaq. Demonstron vullnet pozitiv të qeverisë për të hapur hapësira të lirisë, për të lejuar konkurrencën e lirë të jetë gjeneratori kryesor i dinamikës ekonomike dhe për të garantuar jo vetëm përmes taksës së sheshtë por dhe përmes një kuadri të liberalizuar rregullator që asnjë pengesë artificiale nuk ngrihet dhe çdo pengesë artificiale që vërehet konsiderohet si nj problem për tu zgjidhur nga qeveria.
E kundërta vërehet në këto 6 muaj. Jo vetëm taksat e larta, jo vetëm mentaliteti i shtetit si shpëtimtar, shtetit si garant i gjithçkaje, por zelli për ta përdorur shtetin në çdo fushë në mënyrë të tepruar ka sjellë konsenkuenca jashtëzakonisht negative të cilat në fund të fundit kanë dëmtuar vete kredibilitetin e shtetit.
Mentaliteti se Shqipëria mund te menaxhohet si kazermë ku për çdo problem çon policinë, bën task-frocën e çon policinë, mentaliteti se policia është përgjigja e çdo problemi, çfarë ka sjellë? Ka sjellë që policia po përdoret dhe po keqpërdoret në çdo fushë vend e pa vend përveç fushës në të cilën i është besuar mandati nga taksapaguesit shqiptarë që është fusha e rendit dhe e sigurisë. Vetëm në këtë fushë polica nuk ndihet por kemi përkeqësim të jashtëzakonshëm të indeksit të krimit, të indeksit të vjedhjeve, krimit kundër jetës të shpeshtimit të kriminalitetit të formave më të rënda siç është ai i përdorimit të eksplozivëve kundër jetës dhe pronës së qytetarëve, në këtë fushë nuk ndjehet shteti.
Në çdo fushë tjetër policia është e gjithpranishme dhe shikohet si receta për t’iu kundërvënë çdo problemi. E pra duket qartë se Shqipëria po kthehet në një kampion akademik të vërtetimit të tezës se një shtet i cili shkon nga grumbullimi pa fund pa kufi pa koncept i kompetencave jo vetëm nuk arrin ti ushtrojë ato siç duhet por zvogëlon gjithmonë e më shumë efiçencën zvogëlon gjithmonë e më shumë mundësinë për t’iu përgjigjur sipas ligjit dhe sipas rregullave detyrave që ka.
Ndërkohë që kaosi që vjen si rezultat i tkurrjes së aftësisë së shtetit për të vepruar aty ku duhet të veprojë kthehet në një gangrenë të vërtetë për të gjithë faktorët ekonomikë, për stabilitetin për sigurinë juridike e për çdo aspekt tjetër që lidhet drejtpërdrejt në biznes me garantimin e kushteve për investimet të brendshme apo të huaja, me garantimin e një jete normale në shoqëri.
Këtë po shohim sot në Shqipëri. I ka grumbulluar si një tahmaqar i madh shteti të gjitha kompetencat, në vend që të shohë se si mundet të marrë një pjesë të atij 40 për qind të ekonomisë informale që thotë Banka Botërore dhe ta kthejë në formale i është vërsulur atij 60 përqindëshi që mezi doli në dritë si rezultat i taksës së sheshtë i ka hedhur duart në fyt dhe u thotë: Ju do të paguani 50 për qind më shumë.
E çfarë shohim? 60 përqindëshi po tkurret dhe do të tkurret. Një pjesë kanë filluar masivisht të përdorë bilancet e dyta e ta thonë madje të revoltuar, kanë një ndjenjë revolte,: Kjo është e padrejtë. Ne që jemi formal na kërkohet të kontribuojmë më shumë ndërkohë që informaliteti vazhdon e gëlon, klientela vazhdon e gëlon ndërsa një pjesë tjetër shtyhen në mënyrë të dhunshme e të pashpirt drejt falimentimit, drejt zhbërjes, drejt zhdukjes si faktor ekonomik.
Shteti vazhdon dhe vetëkënaqet dhe ofron zgjidhje policore për çdo problem, duke përfshirë edhe probleme ekonomike të cilat nuk mund të kenë zgjidhje tjetër përveç zgjidhjeve të pranuara të shoqërive të lira ku shteti merr përgjegjësi për të garantuar konkurrencën e lirë merr përgjegjësinë jo për të qenë në favor të një klientele apo një tjetri por të garantuar barazinë e aktorëve në treg, merr përgjegjësinë për të garantuar rregulla të forta që zbatohen. Më mirë dy rregulla që zbatohen sesa 10 rregulla që nuk zbatohen dhe çojnë në përdorimin arbitrar të forcës së shtetit.
Kjo është situata ku ndodhemi sa i përket zhbërjes së çdo efekti pozitiv të politikave liberale të ndjekura në 8 vite, një antireformë e vërtetë. Këto janë rezultatet e antireformës.
Ky është impakti i zhbërjes së standardeve të arritura, nuk kemi avancim në asnjë standard as në raport me integrimin europian, por kemi një zhbërje dhe një rënie të çdo standardi të arritur deri tani. Kemi pasiguri totale dhe nuk kemi asnjë garanci që qeverisja është në gjendje të lexojë këtë dhe t’i përgjigjet me impulset e nevojshme që ka detyrë ti japë ekonomisë.
Hera e parë me përjashtim të qeverive tranzitore apo qeverive në luftë civile apo në kriza siç ishte ajo e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë që vjen qeveria e re dhe nuk ngjall asnjë impuls pozitiv por vetëm negativitet, pasiguri dhe frikë tek tregu dhe tregu nuk gënjen. Mund ta akuzosh opozitën që gënjen, mund të akuzosh grupet e interesit që gënjejnë. Tregu nuk gënjen , tregu është barometri më i vërtetë i gjendjes aktuale në vend dhe tregu po tregon fare qartë se qeveria ja ka dalë me sukses të plotë në këto 6 muaj të bëjë atë që këtu në këtë sallë kolegët socialistë dhe rregullatorë, pro-rregullatorë të respektuar kur i thanë në konferencën e PS-së; Sfida juaj është ta mbani vendin larg krizës. E kanë zhytur me sukses vendin në krizë.
Pse? Sepse në vend që të mbërtheheshin fort pas arritjeve pozitive , në vend që të zgjeronin gamën e lirisë – vetëm liria e vetëm liria ka prodhuar këto rezultate për shqiptarët – kanë bërë krejtësisht të kundërtën.
Kanë deklaruar veten e tyre dhe shtetin në duart e tyre, Mesia, dhe janë përveshur me një zell të paparë etatist zhbërjes së çdo standardi liberal dhe marrjes në dorë nga shteti të frenave në çdo fushë të zhvillimit të vendit dhe ky është rezultati.
Është një rezultat që nuk do ti shmangej dot asnjë qeveri dhe asnjë shtet sado i fuqishëm sepse antireforma, zhbërja e lirisë vënia e shtetit në qendër të funksionimit të ekonomisë, zhbërja e institucioneve të pavarura, goditja e institucioneve të pavarura, goditja e shtetit ligjor në asnjë vend të botës nuk kanë prodhuar dhe nuk do të prodhojnë kurrë një rezultat të ndryshëm nga kjo që po prodhon qeveria shqiptare në këtë vend; pasiguri, recesion, krize, frike, tkurrje dhe një armiqësi gjithmonë e më pak të heshtur midis faktorëve të ndryshëm shoqërorë dhe shtetit e politikave të shtetit.