Kryetari i Partisë Demokratike priti sot në takim një delegacion deputetësh të Bundestagut Gjerman të cilët shoqëroheshin nga drejtoret ekzekutiv të Fondacionit Nehemia dhe Shoqatës Ekonomike Gjermani-Shqipëri.

 

Kryetari Basha u shprehu miqve gjermane mirënjohjen e thellë për mbështetjen e palëkundur dhe interesin e vazhdueshëm që Gjermania, i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë si në bashkëpunimin dypalësh ashtu dhe në projektin e integrimit në Bashkimin Europian. Ai theksoi se Partia Demokratike mbështet dhe inkurajon çdo nismë bashkëpunimi dypalëshe, në veçanti investimet e rëndësishme të sipërmarrësve gjermane në Shqipëri.

Deputeti i Bundestagut Johannes Selle e falenderoi Kryetarin Basha ne emër të delegacionit për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i përcolli atij përshëndetjet dhe urimet më të mira të kolegëve te tij në Bundestag-un gjerman. Deputeti Selle u shpreh se Gjermania dhe Bundestagu gjerman do të vijojnë të mbështesin të gjitha përpjekjet e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit por edhe Shqipëria duhet të bëjë më shumë punë jo vetëm për ruajtjen e standardeve të arritura deri në këtë moment por edhe për t’u përqendruar në parapërgatitjen e kritereve në të gjithë kapitujt që kërkon procesi.

Pasi u njoh me shqetësimet e opozitës shkaktuar nga zhvillimet e fundit në vend, deputeti Selle u shpreh se askush nuk perligjet të dalë mbi shtetin ligjor i cili është dhe mbetet i vetmi kuadër brenda të cilit mund të funksionoje veprimtaria e shtetit dhe e qeverisë. Ky është një parim e standard i panegociueshëm që duhet ruajtur e respektuar me çdo kusht jo vetëm sepse përben kërkese themelore për procesin e integrimit por dobësimi i shtetit ligjor krijon pasiguri dhe largon investimet e zhvillimin ekonomik, duke mos i shërbyer interesave te Shqipërisë dhe qytetareve te saj.

Kryetari i Partisë Demokratike duke ndarë këtë qëndrim parimor i konfirmoi miqve gjermanë qëndrimin e palëkundur të Partisë Demokratike në mbrojtje të kolonave kardinale të demokracisë, shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura si dhe për të mbështetur pa kushte procesin e integrimit europian të vendit.