Kryetari i Partisë Demokratike pret Presidentin e Senatit Francez, Jean-Peirre Bel, dhe ndan me të shqetësimet e politikës në vend, dhe ndikimet e saj në procesin e integrimit europian të vendit.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha priti Presidentin e Senatit Francez Jean-Pierre Bel në një takim ku vëmendja kryesore u përqendrua tek integrimi europian i Shqipërisë dhe çështja e statusit të vendit kandidat.
Z.Basha falenderoi Presidentin e Senatit për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Franca Shqipërisë në të gjithë momentet e rëndësishme të integrimit euroatlantik, por i shprehu atij shqetësimin për kursin që ndërmori qeveria e re në dëm të demokracisë, në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, kundër standardeve europiane, çka bëri që të rritej doza e skepticizmit në shumë vende të BE-së, gjë që solli vendimin e dhjetorit të Këshillit të Ministrave, për mosdhënien e statusit.
Qeveria e kishte gati statusin e vendit kandidat, tha Basha, duke e informuar z.Bel për reformat e ndërmarra dhe kriteret e përmbushura nga qeverisja e mëparshme, deri në shtatorin e vitit të kaluar.
Basha shtoi se në këtë drejtim, rruga për marrjen e statusit nga qeveria e re ishte edhe më e lehtësuar, pasi Partia Demokratike dhe opozita mbështesin plotësisht dhe pa kushte procesin e integrimit dhe marrjen e statusit.
Por shtyrja e Ligjit për Nëpunësin Civil, nga qeveria, me një akt normativ që u shpall anti-kushtetues nga Gjykata, shkarkimet masive në administratë, lufta ndaj institucioneve të pavarura, bënë që statusi i vendit kandidat të mos merrej.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se ende më shqetësues, është fakti se qeveria nuk e lexoi si duhet vendimin e dhjetorit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian. Në vend të angazhimit për reformat e kërkuara, qeveria u angazhua në një proces fajësimi të të ashtuquajturve ekstremistë europianë dhe vijoi thellimin e bilancit negativ, duke zhbërë standardet e arritura dhe duke ndërmarrë sulme të njëpasnjëshme kundër institucioneve kushtetuese dhe vetë ligjit e kushtetutës.
“Qeveria nuk bëri asnjë reflektim pas vendimit të dhjetorit, përkundrazi vazhdoi me shkarkimet masive të punonjësve të administratës, nuk respektoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vijon ta keqpërdorë parlamentin si noter të akteve të veta, redukton hapësirën e debatit në Kuvend, uzurpoi kompetencat e Presidentit në rastin e shkarkimit dhe emërimit të kreut të ri të ILDKP-së”, theksoi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike e siguroi z. Bel se opozita është e vendosur për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit ligjor në vend.
Presidenti i Senatit francez u shpreh se integrimi europian është çështje me interes kombëtar, dhe kërkon patjetër konsensusin e palëve. Ai tha se vendimi i dhjetorit të Këshillit të Ministrave, ishte një mesazh për të ndërmarrë reformat e duhura për procesin e integrimit.
Duke e ripërsëritur qëndrimin e opozitës në mbështetje të plotë të marrjes së statusit, z.Basha i tha z.Bel se opozita do të dëshironte të debatonte me qeverinë dhe të kishte kundërshti me të për çështje programore të së majtës dhe të së djathtës, dhe jo për shtyllat themelore të shtetit të së drejtës dhe demokracisë që janë vënë seriozisht në rrezik nga mazhoranca aktuale.
Z.Basha dhe z.Bel konfirmuan marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Francës dhe konsolidimin e një portofoli të pasur raportesh dhe shkëmbimesh mes të dy vendeve.