Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ish kryeministri Sali Berisha morën pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Europiane PPE. 

 

Drejtues të shteteve dhe qeverive anëtare të BE dhe institucioneve të BE kanë shprehur shqetësimin për veprimet antidemokratike të ndërmarra nga qeveria në këto 6 muaj. Në takimet e zhvilluara me kryetarin e PD Lulzim Basha gjatë punimeve të Kongresit të PPE,  personalitete të larta të politikës vendimmarrëse të BE kanë dhënë alarmin për përkeqësimin e standardeve demokratike në vend.

“Mesazhi nga kryetarët e qeverive të shteteve anëtare dhe drejtueseve të institucioneve europiane të pranishëm në këtë kongres ishte i qartë dhe pa ekuivok. Me frymën e saj antikushtetuese, me goditjet e njëpasnjëshme kundër institucioneve të pavarura dhe tentativës për t’i kapur ato, me goditjet ndaj administratës publike dhe në tërësi frymën e konfliktualitetit që ka injektuar në marrëdhëniet me opozitën, qeveria rrezikon seriozisht statusin në qershor. Jo vetëm kaq, por kjo sjellje e cila konsiderohet se po zhbën disa standarde të arritura tashmë në Shqipëri po rrezikon imazhin e Shqipërisë dhe progresin e gjithanshëm të Shqipërisë në raport me aspiratën e saj për integrim ne BE “ u shpreh zoti Basha pas takimit me drejtues të qeverive anëtare të BE dhe institucioneve europiane.

Zoti Basha ka marrë përgëzime për përpjekjet e drejta të Partisë Demokratike në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit ligjor nga Joseph Daul, kryetari i PPE, partisë më të madhe parlamentare të Bashkimit Europian, anëtarë të së cilës janë 12 kryetarë shtetesh dhe qeverish të vendeve anëtare të BE-së, 13 komisionerë të Komisionit Europian, Presidentin e Komisionit dhe të Këshillit Europian.

Zoti Basha pasi ka uruar Jean-Claude Juncker për zgjedhjen si kandidat të PPE për president të Komisionit Europian, ka marre mbështetjen e tij për integrimin europian të Shqipërisë.

“Është e qartë se institucionet e BE, qeveritë mike të përfaqësuara në PPE mbështesin pa rezerva perspektiven europiane të Shqipërisë, mbështesin pa asnjë paragjykim ecjen përpara të Shqipërisë drejt statusit të vendit kandidat por edhe drejt hapjes së negociatave. Pengesa e vetme është arritja e standardeve të kërkuara, pengesa e vetme është ruajtja e standardeve të arritura më parë.

Nga ana tjetër pati një vlerësim të njezëshëm për rolin konstruktiv qe PD po luan ne opozite ne mbrojtje te vlerave te demokracisë,  te shtetit ligjor, ne mbrojtje te institucioneve, ne mbrojtje te perspektives europiane dhe po kështu një vlerësim pozitiv për politiken e ndjekur nga PD për mbështetjen pa kushte të integrimit europian te vendit “ theksoi zoti Basha.

Kryetari i PD Lulzim Basha mori pjesë edhe në konferencën “Ballkani Perëndimor në BE, perspektiva dhe sfida “ ku theksoi nevojën për angazhim dhe fokus të vazhdueshëm për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike në Ballkanin Perëndimor dhe shprehu angazhimin dhe përkushtimin e PD ashtu si dje në qeverisje të vendit edhe sot në opozitë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.